Humbja e çdo konsiderate ndaj dëshmorit Ahmet Haxhiut – Bacës dhe familjes së tij nga krerët e shtetit të Kosovës

- Deputetja Albulena Haxhiu-mbesa e Ahmet Haxhiut-Bacës

Besoj se të gjithë ata që e kanë përcjellë seancën e Kuvendit të së premtes janë të trishtuar, veçan pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë kundër deputetëve të Opozitës së bashkuar duke i nxjerrë dhunshëm dhe zvarrë nga salla, e që diçka e tillë nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës! Trishtuese dhe indinjuese ishte skena nga ajo që e pësoi deputetja Albulena Haxhiu nga përplasja e fuqishme për tokë, pa farë kontrolle, deri në alivanosje! Hiç më pak ajo kishte përjetuar ofendimin e rëndë dhe të paparë në një seancë tjetër nga vetë kryetari i këtij kuvendi, Kadri Veseli, me sharjen e pakontrollë dhe të paskrupullt drejtuar asaj!…Dhe për çka? Për shkak se ka dalë në mbrojtje të Republikës së Kosovës!

Për ata që nuk kanë pasur rast të jenë të informuar se kush është dhe nga ç’familje vjen deputetja Albulena Haxhiu dhe çfarë “respekti” rujanë krerët e shtetit ndaj saj personalisht dhe gjyshit të saj, Ahmet Haxhiut-Bacës dhe familjes në përgjithësi, po japim këto të dhëna të huazuara nga autorët Emrush Xhemaili dhe Gafurr Elshani:

“Shtëpia e veprimtarit Haxhiu nuk ishte dhe nuk është një shtëpi e thjeshtë. Ajo ishte nga bazat më të rëndësishme të LPK-së në vitet ’80-ta dhe ’90-ta, dhe ka qenë bazë e organizatës ilegale që e organizonte baca Adem Demaçi në vitet ’60-ta”…, se “në vitin 1989 në këtë shtëpi u vendos një pjesë e teknikës për shtypje të trakteve dhe të buletinëve, si “Zëri i Kosovës” dhe “Rruga e lirisë”…, se në këtë shtëpi (ku u lind dhe u rrit Albulena Haxhiu S.P.) “u përgatit lufta çlirimtare e popullit tonë kundër okupatorit serb…” (E. Xhemaili)

“Vetëm 14-vjeç ishte Ahmet Haxhiu kur është arrestuar për herë të parë nga serbët, të cilët në vitin 1945 ia kishin vrarë babanë Shaipin. Ai ishte njëri ndër më aktivët në iniciativën për bashkimin e grupeve ilegale shqiptare që vepronin kundër okupatorit serb. Si rezultat i këtij bashkimi u formua Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, që për ideolog kishte Adem Demaçin. Ahmet Haxhiu vuri në dispozicion të organizatës së sapoformuar të gjitha forcat. Ai ishte njëri ndër më aktivët në aksionin për ngritjen e flamujve kombëtar që ndërmori Lëvizja në vitin 1964…”

“Në vitet 80-ta dhe 90-ta e deri sa vdiq, Ahmet Haxhiu ishte njëri nga drejtuesit e LPK-së. Ai bënte pjesë në sektorin e veçantë, që në fakt ishte sektor për furnizim me pajisje ushtarake, ku Baca ka qenë ndër më aktivët. Pas rrethimit të parë të komandantit legjendar Adem Jashari, ishte Ahmet Haxhiu ai që ia dërgoi një mitraloz dhe municion të nevojshëm komandantit në Prekaz. Amaneti i tij i fundit ishte që gjeneratat e reja ta çojnë punën përpara drejt çlirimit të Kosovës…” (G. Elshani)

A nuk mjafton me kaq për të njohur fytyrën e vërtetë të krerëve të Republikës së Kosovës se cilët janë këta, e mbi të gjithë të Kadri Veselit e Hashim Thaçit?!

Kurkush nuk ka vdekur prej turpit!