A jemi diçka në rrezik, a çka është puna që po na ‘ruani’ me polici?

Në njërën anë, kafenetë e Prishtinës plot me njerëz.

Në sheshe, gjithë ditën enden e shetisin gjinja, nuk ke ku e qet gjilpanën.

Në anën tjetër, qindra policë qëndrojnë tok bashkë, të ndarë në grupe të mëdha, i kanë rrethuar institucionet qeveritare.

Pse Skender Hyseni nuk po tregon çka është puna?

Pse po punohet nën ‘mbijëqyrje’ policore!

A jemi diçka në rrezik, a çka?
Nga kush duhet të kemi frikë?

Një autobus policë e ruajnë ‘presidencën e ardhshme të Hashim Thaçit’, pastaj qosh më qosh sheh policë shesheve, në gjendje gatishmërie!

Nëse ka shkuar puna deri aty sa të ‘frikësohet’ pushteti se opozita i sulmon institucionet bashkë me punëtorë, atëherë kjo është paranojë e tmerrshme!

E nëse dini diçka, ndonjë info që zbulon se institucionet janë të rrezikuara nga ndonjë sulm terrorist, ju e keni obligim të na njoftoni, dhe së paku në orar të punës të vishemi e të mbathemi adekuat, për të ikur më lehtë në rast rreziku.

Nuk është normale me t’ndejt polici te dera e zyrës, e ti mos me ditë për çka po rrin dhe nga kush po të ruan!

Nëse janë këto varianta të pushtetit për të krijuar atmosferë frike, dhe për të përfituar nga frika, s’di qysh nuk po e shohin se nuk është rendi që frika t’i mbyll njerëzit në shtëpitë e tyre.

E nëse pushteti ka arsye të ketë frikë, janë të obliguar të na tregojnë nëse jemi najsen në rrezik.
Ky është absurd i llojit të vet: në vend se të ndihesh i sigurt, ti frikësohesh kur i sheh rreth vetes gjithë ata policë.

Diçka nuk është në rregull.
Ose është në rrezik pushteti, ose jemi në rrezik ne.

Një i tretë mund ta shfrytëzojë rastin dhe të përfitojë politikisht nga kriza juaj politike.
Qe, tash, edhe nëse një ‘shkëndijë elektrike’ e ka djegur veturën e ministrit të bujqësisë, askush më nuk do ta besojë.

P.S. Që institucionet qeveritare (brenda dhe jashtë) janë të rrethuara nga policia, nuk ka raportuar asnjë TV-gazetë.