Klasa e dështuar politike, sindromë kancerogjen i shtetit të Kosovës

Sëmundjet pasojë e luftës, varfëria "rezultat" i egoizmit njerëzor!

Tetë vjet vendnumrim, rrethërrotullim, tetë vjet rrëshqitje dhe izolim ndërkombëtar për Kosovën nuk janë pak, madje janë shumë për një shtet në formim e sipër, janë tepër shumë për një popull më varfëri ekstreme.

Por akoma më të rënda bëhen për popullin e varfër, për faktin që për tetë vite rresht mbi supe barti një kastë politike të korruptuar dhe shantazhuar, duke u pasuruar skajshëm në kurriz të saj!

Tetë vjet regres politik, ekonomik, social, shëndetësor, kulturor, sportiv, edukativ dhe moral të shtetit të Kosovës, do të mbetën gjatë në kujtesën e popullit,…të shkruara apo të pashkruara qofshin ato!

Përderisa liderët shtetëror bëjnë gara në kapjën e tenderëve milionësh në proceset e privatizimit,…popullata e lodhur nga varfërija numëron kilogramët e fundit të miellit dhe artikujve tjerë ushqimor në shtëpitë e tyre,… të sëmurët që askush nuk përkujdeset për ta, numërojnë ditët e fundit të jetës,…janë qeniet më të pafajshme, që s’janë gjë tjetër veqse viktima të keqqeverisjes dhe abuzimit të liderëve partiak me institucionet e vendit.
Të përditshme janë bërë storjet televizive e të rinjëve dhe fëmijëve me sëmundje të rënda. Vetëm muajin e fundit i kemi më dhjetëra raste që kërkojnë ndihmën për shpëtim.

Sikur rastet e sipërpermendura të të sëmurëve të ishin të komunitetit serb, me siguri gjërat do të trajtoheshin pak më ndryshe.

Jo vetëm që do të mirrej seriozisht Qeveria e Kosovës më këtë problem, kjo do të shkonte tutje për trajtim edhe në KS të OKB-së dhe në instancat tjera ndërkombëtare.

Për çka, shumë shpejtë do të ndërmirreshin masa urgjente për shërimin e tyre si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Për ironi të faktit, askush në Kosovë nuk dëshiron apo nuk e ka guximin të merret me shkaqet e këtyre sëmundjeve të rënda, për të cilat akoma nuk është bërë asnjë akzaminim apo hulumtim profesional nga mjekësia ligjore!

Si ka mundësi të ndodhë kjo në vendin i cili ka qeveritarët më të pasur në rajon, deputet milionera, kryetar komunash poashtu milionera!

Si ka mundësi të vdesin njerëzit nga sëmundjet e rënda në vendin ku po ndërtohën Autostradat më moderne dhe më të kushtueshme në rajon?

Si ka mundësi e gjithë kjo “odiseadë” sëmundjesh të kaloj e pa vrejtur nga qeveritarët dhe milionerët kosovar?!
Edhe sa jetëra të njoma duhet të fikën, për të prekur ndërgjegjën e fjetur qeveritare?

Pse hesht qeveria karshi një fenomeni fatal të qytetarëve të vet?

I kuptojmë angazhimet e qeverisë së kosovës për akomodimin e pakicës serbe në rrjedhat e sistemit politik, por krahas kësaj nuk do duhej harruar as shumicën shqiptare në vend,…të paktën, duhet t’i dëgjojnë zërat e atyre që kërkojnë ndihmë për shpëtimin e jetëve njerëzore!

Për dallim nga problemi i pakicave serbe, që është kryekëput politik, problemi i sëmundjeve të rënda vdekjeprurëse është problem nacional i shumicës shqiptare, por mbi të gjitha është edhe problem humanitar.

Nëse Qeveria e Kosovës nuk është në gjendje të mirret e vetme me shërimin e qytetarëve të saj, atëhere pse të mos e kërkojë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar, në ketë rast UNHCR-it, UNICEF-it apo organizatave tjera humanitare, për shpëtimin e shumë jetëve të njoma dhe të pafajshme të qytetarëve të varfër të vendit të tyre!

Heshtja e qeveritarëve në Prishtinë ndaj dukurisë së sëmundjeve vdekjeprurëse e të rinjëve shqiptar, e ka vetëm një spjegim-mjerimin dhe egoizmin njerëzor në të cilin kanë rënë.

“Varfëria nuk është vepër e Zotit, por vjenë si rezultat i egoizmit njerëzor”

Nuk e di, si nuk i vret ndërgjegja këta pushtetarët e sotëm, që dikur aq shumë thirreshin në vlerat e luftës, disa prej të cilëve ishin edhe pjesë e luftës, përderisa sa të tjerë ishin jashtë vendit dhe luftën e “shijonin” vetëm përmes TV-së, kur në Kosovë luftohej për jetë a vdekje.

Ndërsa sot, quditërisht po bëhen të shurdhër dhe të verbër, para një situate të rëndë socio-ekonomike dhe shëndetësore të bashkëluftëtarëve të tyre.

Luftëtarët. dëshmorët, invalidët, martirët, nuk meritojnë të mbetën të harruar nga shteti, e assesi të mbesin raste socilale dhe në mëshirën e Zotit!

Ata luftuan per një shtet të lirë e të barabartë për të gjithë. Mirëpo për fat të keq, sot vlerat e lirisë po i gëzojnë pseudopatriotët, përfituesit e luftës të konvertuar në politikan-biznesmen.

Si pasojë e kësaj, sot luftëtarët nuk i gëzohen lirisë e as pavarsisë së përgjysmuar, për të cilat dhanë gjymtyrët e trupit tyre,…të mbetur pa asnjë përkujdesje shtetërore, të nëpërkëmbur e përbuzur nga shoqëria dhe shteti!

Nuk është nderë për një vend të sapodalur nga lufta, që në njërën anë të ketë politikan milionera, ndërsa në tjetrën ish luftëtarët e lirisë mbledhin kanaqe rrugëve për të mbijetuar nga varfëria!

Kjo gjëndje e krijuar, përveq së e dhimbshme, mund të jetë edhe një rrezik për një shpërthim më përmasa përmbysëse për shtetin e Kosovës!

Ska dyshim se plagët e shtetit të Kosovës janë të shumta dhe të shumllojshme: varfëria, papunësia dhe shpërngulja…janë plagët të ardhura si pasojë e mungesës së zhvillimit ekonomik, krimit të organizuar dhe korrupsionit nga mungesa e funksionimit të sistemit të drejtësisë,…dështimet në sistemin arsimor, shëndetësor, kulturor të vendit dhe shumë e shumë të tjera,…por mbi të gjitha është klasa e dështuar politike, e shndrruar në sindrom kancerogjen të shtetit të Kosovës.

Pushtetarët, janë dhe do të mbetën edhe për një kohë të gjatë bartësit e të gjitha plagëve të shtetit, gjitha vuajtjeve dhe mundimeve, thyerjeve shpirtërore dhe zhgënjimeve të qytetarëve.

Pa largimin total të kësaj klase kancerogjene nga pushteti, pa ndëshkimin e të inkriminuarëve në krime dhe korrupsion, pa depolitizimin e institucioneve të pavarura dhe pa rimëkëmbjen ekonomike të vendit do të ishte iluzive të flitet për ndryshime pozitive, e aq më pak për parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e veta etnike.

Imoraliteti i kastës aktuale politike kosovare i ka kaluar të gjitha limitet

Kur jemi në këtë segment, tek gjendja e krijuar në Kosovë, na del përpara thënja e të madhit dhe të pa vdekshmit, profesorit Fehmi Agani; “Koha sjellë çka investojmë ne dhe sa arrijmë ne në kohë”.

Ky mendim i logjikshëm na obligon të investojmë sa më shumë që është e mundur në realizimin e interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës, si dhe në shfrytëzimin e kohës, si dhurata më e çmuar që na ofrohet çdo ditë nga i madhi Zot.

Mirëpo, këtë investim duhet ta bëjë vetë populli, e jo qeveritë e huaja të instaluara në Kosovë. Në rrethana të tjera do të mjaftonin më pak se 17 vite pritje, prej të cilave më tepër se tetë vite pavarësi, për të arritur në realizimin e ëndrrave të artyre që sakrifikuan për shtetin e Kosovës.

Por nëse vazhdohet kështu, mund të kalojnë edhe po aq vite të tjera e populli të mos e merrë fatin e Kosovës në duart e veta.

Të mos presim kot. Vendi ynë ka nevojë për ndihmën tonë. Kombi ynë ka nevojë për qytetarët e vet e jo për karrieristë, sepse karrierizmi është kancer i demokracisë dhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi.

Një fillim i ri, me njerëz të ri, gjakë të ri dhe të pastër kombëtar do ta shpëtonte Kosovën nga katandisja e mëtutjeshme,…që e solli buzë greminës klasa e shëmtuar aktuale politike e vendit, e njerëzve pa integritet moral, servil ndaj ndërkombëtarëve dhe e pabesë ndaj bashkombasve të vet.

Ju politikaj të akomoduar në qeverinë e “re”, mbase mund të ndjeheni të lumtur, edhe pse popullit i keni bërë jetën ferr, kur në të njëjtën kohë vetës i keni siguruar gjitha të mirat e kësaj bote…vazhdoni të garoni për poste e privilegje të reja,…ngase nesër do ta kini më lehtë të mbani pushtetin pa njerëzit,…që ikja nga vendlindja e tyre u ka mbetë i vetmi shpëtim nga varfëria dhe denigrimi moral.

Por një gjë mos e harroni, ju pushtetar që i keni nxënë dritën e diellit dhe vrarë ardhmërinë e këtij populli, mallkimin e tij do ta keni mbrapa edhe në ferr po të shkoni.

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz