Përse dështoi procesi i legalizimit të ndërtimeve pa leje në Kosovë

“Ne me zgjidhjet e reja urbanistike vetëm bëjmë legalizimin e ndërtimeve informate (pa leje), e asgjë tjetër”

Ashtu si është pritur,pas datës 16 mars 2016 u vërtetua se procesi për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë tërësisht dështoi, si rezultat i shumë rrethanave kundër ligjore dhe anti-teknike që kanë ndodhur në Kosovën e pas luftës. Mashtrohen të gjithë ata se lejimi i ndërtimeve pa leje mundet të zgjidhet me direktiva ligjore në mënyrë mekanike,ky proces është shumë ma i ndërlikuar dhe kompleks,                                 kërkon trajtim profesional e jo politik.

Duke u nisur nga numri i madh i ndërtimeve pa leje,gati është e pa mundur të zgjidhet kjo plagë e rëndë,që do ta pllakosë Kosovën në dekadat e ardhshme me pasoja të mëdha. Ndërtimet pa leje do të jenë pengesë e madhe në zhvillimin e ardhshëm hapësinor dhe urban të tërë territorit,do të ketë pasoja të rënda në proceset ekonomike,sociale,demografike,në mbrojtjen e mjedisit si dhe të trashëgimisë kulturore,që pak kush në Kosovë i din dhe i vlerëson.

Publikisht  në një shkrim autorial në dhjetor 2014,kushtuar kësaj problematike, kamë shprehur dyshimin në suksesin e zbatimit  të legalizimeve,në formën se si ishte paraparë të bëhet,dhe kamë kërkuar dhe argumentuar të bëhen ndryshime dhe plotësime të ligjit nr 04/L-188, të aprovuar në dhjetor 2013 në Kuvendin e Kosovës.

A ka bërë pyetje ndonjëri nga vendimmarrësit Kosovar se përse ishte kaq i vogël numri i njerëzve që kishin aplikuar për legalizimin e objekteve të tyre pa leje ( 2.4 %). Numri prej 8493 vetave që kanë aplikuar për legalizim në tërë Kosovën,nga numri  i përgjithshëm 352 836 vetave që janë paraqitur,që janë lejuar me ndërtuar pa leje është alarmant,shqetëson seriozisht, tregon një realitet të hidhët. Situatën e kanë krijuar të gjithë ata të cilët aspak nuk janë brengosur se në cilën humnerë urbane janë duke e dërguar një popullatë të tërë.

Arsyeja kryesore e kësaj jo-dëgjueshmërie qytetare qëndron në faktin se populli ma në fund ka kuptuar se faktorët vendimmarrës nuk janë të gatshëm, e besa edhe nuk kanë guximin me u ballafaquar me zbatimin e ligjit për ndërtimet pa leje,që vetë e kanë aprovuar pas 14 vite liri. E populli i gjorë është detyruar të ndërtoi dhe të blej banesa në objekte të ndërtuara pa leje ,e çka është ma e keqja,pa kontroll teknik shtetëror (mbikëqyrje shtetërore neutrale).Parat që i kanë paguar për “shërbime” komunale për fat të keq të tyre dhe të gjithë neve,kanë shkuar në xhepa private e jo në arkën e shtetit,ashtu si do të duhej. Për këtë e kemi këtë revoltën e heshtur e të gjithë atyre që janë detyruar të ndërtojnë pa leje.

Do të ketë legalizime të ndryshme të grupeve të interesit me ndërhyrje politike,por ma se pakti do të ketë legalizime profesionale duke respektuar normat dhe standardet e Planifikimit Hapësinor dhe Urban,edhe se kriteret janë mirë të definuar në ligj. Po vërtetohet ajo thënia e një urbanisti Shqiptar me nam se “Ne me zgjidhjet e reja urbanistike vetëm bëjmë legalizimin e ndërtimeve informate (pa leje),e asgjë tjetër”. Ky fenomen po na përsëritet me dekada edhe në vitet e pas luftës, në princip jemi të prirë të kemi zhvillime stihikë me inercion të territorit.

U nevojitën ma tepër se dy vite të konstatohet se ky ligj paska mangësi,dhe se duhet një ligj i ri i cili do to marr kohë të çmueshme, një vit e gjysmë, sipas prononcimit publik të Ministrit aktual të MMPH-së. Nëse supozohet të ketë disa ndryshime të dispozitave ligjore të ligjit, që konsiston me shtyrjen e afateve ligjore atëherë duhet bërë korrigjimin,plotësimin (amandamentimin) e tij,proces që merr shumë ma pak kohë,se sa përpilimi i një ligji të ri i cili prapë nuk do të zgjidhë problemet e ndërtimeve pa leje në Kosovë. Numri i vogël i aplikantëve për legalizim (2.4 % ) në tërë Kosovën nuk mundet të jetë argument për shtyrjen e afatit për një vit e gjysmë, sa do të propozohet me ligjin e ardhshëm për legalizim,e jo me AMANDEMINTIMIN e ekzistuesit.

Nuk ka ligj në botë i cili në këtë mënyrë e trajton problematikën e ndërtimeve pa leje,pa pasur guxim me e zbatuar këtë “plagë të rëndë” të shoqërisë kosovare. Kërkohen intervenime të dhimbshme, me pasoja të mëdha për të gjithë aktorët që ishin faktorë vendimmarrës në të dy nivelet shtetërore,çdo njëri duhet të jep përgjegjësi për veprimet e veta. Posaçërisht ata që e monopolizuan tërë situatën urbane në Kosovën e pas luftës,ndërtuan ashtu si deshën vet pa e respektuar asnjë  ligj,udhëzim administrativ apo rregullore të nivelit qendror apo lokal.

Esenciale duhej të ishte se të gjitha këto ndërtimet e ndodhura pa leje duhej kategorizuar sipas kronologjisë së ndodhur dhe interesave klanore e jo vetëm ashtu si është kërkuar me ligjin aktual. Duhet me ndërmarrë veprime të dhimbshme radikale, pasi strukturat ekzistuese udhëheqëse lejuan këtë shoqëri të shkoi drejtë greminës hapësinore dhe urbane në tërë Kosovën e pas luftës. Pasojat e të cilës sot po vërehen,po pengojnë planifikimin e mirëfilltë hapësinor dhe urban. Po ulin në ekstrem kualitetin e një jete të dinjitetshme urbane të cilën ky popull i stër-vuajtur e ka merituar. Duhen ndryshime radikale politike në fushën e urbanistikës,po e cenuar demokracinë e brishtë kosovare,duke i aktivizuar të gjitha mekanizmat për mbrojtjen e sajë si llogaridhënia, përgjegjësia menaxhuese, transparenca etj.

Këtyre ditëve më rastisi të përcjelli një polemikë për rrënimin ndërtimeve pa leje në fshatin turistik të Prevallës, në mes të Ministrit aktual dhe ish Ministrit të MMPH-së. Fare nuk përmendet ajo çka ka ndodhur në kompleksin turistik të Brezovicës, janë lejuar ndërtime pa leje edhe nga këta dy  Ministra të Qeverisë të Kosovës. As imagjinata e shfrenuar e ndonjë shoqërie të degjeneruar nuk do të mundte të paramendonte veprime të tillë,e shteti i ynë “demokratik” i lejoi këto ndërtime në parkun nacional “Mali i Sharit” dhe në tërë Kosovën.

Ka kërkesa absurde në këtë ligj të cilat askujt nuk do ti shërbejnë,për atë çdo garniturë e re ekzekutive (Ministër) do të prolongoi dhe shtyjë procesin në pafundësi, duke propozuar dhe aprovuar ligje të reja. Ky do të jetë fati i të gjitha atyre ndërtimeve pa leje në Kosovë me pasoja të mëdha dhe të pa riparueshme në të ardhmen.

Nuk mundën ata që lejuan këto ndërtime pa leje me e rregulluar situatën e krijuar nga vetë ata,që vazhdimisht e prolongojnë këtë problematikë.Tek tani pas 17 vite po konstatojnë se ligji ekzistues i aprovuar para dy vite po na del i mangët dhe duhet me bërë ligj të ri, e kështu në vazhdimësi. Si duket zgjidhja shihet në shtyrjen e problemit në pafundësi,me përpilimin e ligjeve të reja.

Ligji aktual u aprovua pas presioneve të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare,në dhjetor 2013 për ligjshmëri funksionale, dështimi i plotë i tij do të ketë pasoja të  rënda edhe ndaj obligimeve ndërkombëtare. Ky popull do të tejkaloi edhe këtë katrahurë urbane,do të ripërtërihet dhe do të ndërtoi,i njeh strukturat vendimmarrëse vendore se si kanë punuar këto vite në fushën e planifikimit hapësinor,urbanizmit dhe arkitekturës.