Shiu vrastar

Shiu Vrastar
Shpallje
Vullnet Mato
Vullnet Mato

Nga dita kur i lagur qull, ai guxoi ta shante pak:

“O shi, të dhjefsha renë që të nxori nga barku!”

Shiu nuk iu nda këmba-këmbës për asnjë çast,

ta qullte edhe familjarisht, ç’i përmbante pragu.

 

Kur çatia pronë shteti, i pikoi shumë nën tjegulla,

shau sërish brenda mureve të mos e dëgjonin:

“O shi, të shurrofsha avujt me gjithë mjegulla!”

Pa ditur se era i kish venë në tavan mikrofonin.

 

Shiu mblodhi nga pikat e çative ca shpifje të zeza,

dhe i hapi atij një dosje me kapak akulli të trashë.

Në gjyq bubullimash vendosi të ndiqej në tre breza,

duke u mbyllur në minierë me tela, si urith gjembaç.

 

Atje ai shau pa frikë, se s’kish ku ta çonin më keq:

“Mallkuar qofsh, o shi Lindor, xhelat i Shqipërisë!”

U dënua sërish me dyer qiellore, mbyllur nga retë:

pushkatim vetëtimash e varrin mos ia dinë as minjtë.

 

Me motivacion: “Kriminel i rrezikshëm për qiell beharin,

kapur në flagrancë, kur tentoi të vriste një re me shi.”

Farefisi i tij ka njëzet e ca vjet, që po i kërkon varrin,

në përrenj e zalle, ku shiu po i lag të gjithë përsëri…