Lalburitja e tavanit

(Rrëfim i një miku)

Shpallje

LLAMBURITJA E TAVANIT

Vullnet Mato
Vullnet Mato

Më çuan vullnetar në hidrocentral,
megjithëse tri pëllëmbë shtati.
Shtyja karrocën, sa të bëhej mal,
diga e liqenit mbi lumin e Matit.

Quhesha vullnetar, ndonëse i detyruar,
qafën të lidhur me shall të kuq.
U sfilita mes “revolucionarësh”rrethuar,
në brigadën pararojë me barinj e bujq.

Gjashtë muaj në barakat hangar,
me bukë misri dhe supë fasulesh,
me kazma, lopata e thirrjet,”Urra!”
që flamuri i brigadës të mos ulej…

Britmat e shtirura, plot hare rinore,
më bënë të ngjirem në çdo reshtim.
Më ngushëllonte veç drita diellore,
që do llamburiste në tavanin tim…

Sepse një rrëke e lumit shqiptar,
më takonte nga drita e pasurisë,
si çdo trashëgim tjetër kombëtar,
ta kisha falas në tavan të shtëpisë…

Kur mbaruam, sulmues më shpallën,
gjoksin shkruar me tri “S” të verdha.
Me “Urra!” mbi kamion zgërdallën,
zorrët i lashë në gropat nga erdha…

* * *

Por, tani nga lëmosha e pensionistit,
s’më mjaftojnë as për supë paratë,
jo të paguaj mbi-faturimet e faturistit,
që mbahet, nëse plotëson kilovat…

Nga vullnetar, duhet të quhem murg,
jo se në tavan u kthye flaka e qiririt,
por se mua më pret manastiri, burg,
nga super kamata e rritjes së çmimit!…

Oh, jetën time mjerane, uroj mos ta keni,
filluar me supë fasulesh, mbaruar me supë qeni!…