Miratimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtare në Shqipëri

Mos ta mashtrojmë vetë vetën,kurrë në Shqipëri nuk ka pasur kontroll të mirëfilltë hapësinor dhe urban të territorit,ashtu si e kërkojnë rregullat,normat dhe standardet ndërkombëtare të rregullimit të territorit. Ka pasur synime që kjo çështje, jetike për funksionimin e një shteti,të tentohet t’i referohet ekzistencës së “Planeve rregulluese” të cilat zakonisht shumë pak janë zbatuar, gjatë historisë mbi njëqind vjeçare të shtetit Shqiptarë. Grupet e ndryshme politike kanë vepruar sipas interesave të tyre politike e kurrsesi nuk e kanë pasur primare interesin shtetëror,ashtu si vepron e tërë bota e civilizuar. Të gjitha zhvillimet hapësinore janë bazuar në ca principe të pa qëndrueshme të kohës, dhe natyrisht edhe sot janë pengesë e madhe për zhvillimin e territorit.

Është hera e parë që miratimi i Planit të Përgjithshëm Kombëtarë (PPK), (14 qershor 2016), u bë duke iu përmbajtur të gjitha principeve dhe rregullave që i diktojnë kërkesat e një pune të tillë. Pa dyshim është një hap gjigant në fillimin e rrugës, që me metoda bashkëkohore të trajtohet në mënyrë profesionale i tërë territori i shtetit, ku politika duhej të ishte vetëm mjet shërbyes i zbatimit të dokumenteve hapësinore dhe urbane, të cilat të gjithë në mënyrë obliguese duhet me i respektua,për hir të mirëqenies së popullit shqiptarë.

Shumë mirë e theksonin disa njohës të kësaj problematike, si arkitekti i madh Shqiptar i Kosovës Bashkim Fehmiu i ndjerë, i cili theksonte se ky dokument hapësinor duhet të jetë Kushtetuta e dytë e shtetit,atë duhet çmuar dhe ruajtur si “sytë e ballit”. Asaj duhet me iu referuar çdo herë që do të ketë nevojë dhe kërkesa për korrigjime,plotësime apo ndryshime,sipas kërkesave reale të dokumenteve hapësinore dhe urbane,në të gjitha nivelet shtetërore.

Është punuar shumë që një kohë të gjatë,mbi dy vjet e gjysmë, që të përpilohet ky dokument i rëndësishëm hapësinor,kishte vështirësi të mëdha në mbledhjen e të      dhënave hapësinore për tërë territorin e shtetit. Së pari u deshtë që Legjislacioni ekzistues të plotësohet,harmonizohet me principet, direktivat ndërkombëtare dhe të miratohet,që u arrit në vitin 2014. Pësuan fazat gjithëpërfshirëse përgatitore dhe kryesore,me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve kryesor në proces.

Plani i Përgjithshëm Kombëtare (PPK) i miratuar, duhet të funksionoi si koordinator i të gjitha kërkesave hapësinore, që rrjedhin nga kërkesat reale të nivelit vendor (Bashkitë) dhe ati Qendror (Ministritë) dhe agjencive të ndryshme qeveritare,jo qeveritare dhe të shoqërisë civile. Aty duhet të harmonizohen,ballafaqohen të gjitha kërkesat,konfliktet dhe dëshirat,regjionale,lokale,klanore apo të grupeve të interesit me premisa edhe abuzive. Duhet të jetë një bazament i shëndoshë,ku të gjithë së bashku në pajtim do të parashohin zhvillimet e ardhshme hapësinore në Shqipëri. Me forcën e argumenteve duhet bindur të gjithë pjesëmarrësit në proces,duke e mbrojtur me fakte reale interesin shtetëror,e në të njëjtën kohë duke plotësuar kërkesat legjitime të tyre.

Një element fondamental,të cilin përfaqësuesit shtetërorë e kanë potencuar, gjatë procesit të punës së mundimshme të dokumentit është FLEKSIBILITETI. Ky princip që e karakterizon këtë dokument hapësinor në procesin e zbatimit-realizimit të tij është qenësor. Këtu është esenca e përshtatjes së rrethanave të reja, që po i imponon ekonomia e tregut, si dhe të arriturat marramendëse teknike dhe teknologjike, të cilave domosdo duhet me iu përshtatur, nëse dëshirojmë të jemi në hap me kohën e shekullit të ri.

Kjo “Kërkon një konsensus dhe marrëveshje politike që t’i kalojë kufijtë e një mandate”,theksoi zonja Englantina Gjermeni Ministre e MZHUT në prezantim. Ky dokument do të ketë një afat ligjor 15 vjeçar por parashihet rishikimi,rifreskimi minimum çdo 5 vjet,ashtu ishin deklaratat e Ministres. Me zbatimin e këti principi ky dokument është në tërësi kompatibilë me rregullat e zbatueshme të Planifikimit Strategjik Hapësinor,që sot zbatohet në tërë botën pasi Planifikimi i vjetër Konvencional,u tregua i tejkaluar,me metoda të ngurta, që e kishte karakterizuar atë në shekullin e kaluar.

Kjo do të jetë punë shumë e vështirë,kërkon angazhim dhe ekspertizë të lartë profesionale, në të dy nivelet qeverisëse të cilat nuk mungojnë në Shqipëri. Esenciale duhet pasur përkrahjen gjithëpërfshirëse të gjithë faktorëve vendimmarrës, pa marrë parasysh përkatësive politike,që duhet vlerësuar si kualitet pozitiv në sistemin shumë partiak shqiptarë. Një e metë e madhe është ajo se duhet ndryshuar tërësisht mendësinë hapësinore dhe urbane një shekullore,duhet ndryshuar mënyrën se si është punuar dhe vepruar në 25 vitet e demokracisë së brishtë Shqiptare. Duhet tërësisht flakur praktikat e kaluara abuzive dhe korruptive me territorin, që sot po vërehet që kanë shkaktuar dëme të pariparueshme në natyrë dhe në kualitetin e jetës urbane ne vendbanimet Shqiptare.

Kjo mundet të arrihet vetëm me vullnetin e fortë e të gjithëve dhe me funksionimin e shtetit ligjor, pasi parakushtet për të funksionuar kjo lami vetëm kanë filluar të krijohen, me miratimin e PPT si dhe dy dokumenteve tjera hapësinore po ashtu të rëndësishëm si  “Plani i Integruar Ndërsektorial për Bregdetin” dhe “Plani i Integruar Ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës”. Pastaj duhet të pësojnë fazat e përfundimit të gjitha planeve vendore për të gjitha 61 bashkite, të bazuara dhe duke respektuar PPT,njëherë do të krijohen kushtet reale për përpilimin e dokumenteve tjera urbane dhe njiherit zhvillimin e kontrolluar hapësinor të territorit Shqiptar.

Ka edhe shumë çështje tjera për të cilat duhet punuar në vazhdimësi, për  të ngritur kualitetin e dokumenteve hapësinore në të gjitha nivelet, si janë sigurimi i indikatorëve dhe të dhënave hapësinore realiste që i kemi në natyrë,pasi ekziston bindja reale se të dhënat hapësinore të shfrytëzuara në dokument,janë të supozuara,jo reale. Por kryesore është krijimi i bazës së shëndosh e të dhënave hapësinore e cila gjithnjë tërë kohën duhet azhuruar,plotësuar,kompletuar.

Nuk duhet pasur iluzione se kjo do të arrihet lehtë,kërkohet punë e vazhdueshme duke u bazuar vetëm në dokumentet e hulumtuara,studiuara,analizuara me profesionalizëm të lartë,të miratuara në tërësi sipas Ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit nr107/2014,i cili natyrisht duhet plotësuar,ndryshuar, varësish nga kërkesat reale vendore dhe ndërkombëtare. Sfide madhe do të jetë inkorporimi i të gjitha kërkesave reale që vijnë nga sektori shoqëror dhe ai privat në teren,në territor, nga dokumentet hapësinore,të parapara në letër. Kjo është e vetmja rrugë për të flakur një herë e përgjithmonë zhvillimin kaotik të territorit,abuzimet dhe format tjera të ndërtimeve me leje e pa leje,që e kanë dëmtuar skajsmerisht shtetin Shqiptar gjatë historisë së re.

E kaluara e Kosovës dhe eksperienca e sajë me trajtimin e hapësirës-territorit të sajë do të ishte e mirëseardhur për Shqipërinë. Në vitet e shtatëdhjeta (1972) Kosova e bëri planin e parë hapësinor vendor si rezultat i decentralizimit të pushtetit federal të asaj kohe,pas viteve të shumta të një sistemi centralist të sllavëve të jugut. Nuk mundemi të mburremi me atë çka dhe si është punua në ato vite,por kryesore kishte filluar respektimi i një rruge për të trasuar të ardhmen e saj hapësinore dhe urbane. E meta ma e madhe në atë proces ishte mungesa e ekspertëve shqiptar të fushës. Ajo çka ndodhi pas luftës së vitit 1999 nuk mundet të shpjegohet,duhet hulumtime detale të thukta me i elaboruar këto vite,të tmerrit urban, edhe se kishte dokumente hapësinore por ato ishin të huaja për vendimmarrësit kosovar.

Në vitin 2010 u miratua “Plani hapësinor i Kosovës 2010-2020” edhe se dokumenti voluminoz ishte i gatshëm që në vitin 2005,por nuk ishin të qarta qëllimet e klasës politike, përse kishte kundërshtime të punohet si e tërë bota e civilizuar. Këto tendenca destruktive i demaskoi  koha e sotme,ku edhe përkundër dokumenteve të shumta në të gjitha nivelet, situata hapësinore është katastrofale në tërë Kosovën,si rezulltat i mos zbatimit të tyre. Se si funksionon kjo lami sot në Kosovë ma së miri e tregon e kaluara e afërt e jona e pas luftës së vitit 1999. Në ketë periodë ishim në gjendje që vetë të degradojmë me të madhe hapësirën tonë,e si produkt e kemi jetën urbane shumë të varfër nëpër vendbanimet tona.

Në fund duhet përshëndetur hapat konkrete të ndërmarra për trajtimin serioz të hapësirës dhe urbanistikës,gjegjësisht territorit të shtetit Shqiptar,të kuptuarit të faktit se pa dokumente hapësinore të mirëfillta nuk do të ketë prosperitet dhe zhvillim të shoqërisë Shqiptare. Ky dokument duhet të jetë si udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët, e posaçërisht për ata të Kosovës, të cilët dikur i kishin të rregulluara  këto qeshje urbane dhe hapësinore. Uroj që këto dokument të miratuara të mos i zbukurojnë raftet e institucioneve vendimmarrëse si në Kosovë,por të fillojnë të zbatohen e mos të përsëritën gabimet e të kaluarës së afërme shqiptare, apo  vazhdimin e sjelljeve vandale ndaj hapësirë – territorit jetësor si në Kosovë.