‘Urrejtja e pakushtëzuar’ e gruas!

Sa e sa dajakun e hanë gratë shqiptare, nuk din goja me kallxu.

Përveç keqardhje, e ndjej edhe njëfarë neverie të madhe ndaj grave që rrihen, grrithen, kacafyten me burrat e tyre, e të nesërmen i sheh inxhet krah për krahu me ta, tuj ble patligjana e kastraveca.

S’po flas për viktima të rastit dhe për ato gra që rrihen duke e mbrojtur veten dhe lypin çare dhe shpëtim.
E kam fjalën për viktimën e dhunës së përhershme, ajo më lidhet mua me mazohistin.

Aty ku e dini se frymon një sadist, gjithmonë do ta gjeni një mazohiste, një grua që ka nevojë për ‘ndjenja të forta’ për t’u ndjerë gjallë.
Ata(sado-mazo) i japin njani-tjetrit atë që e kërkojnë, jo atë që e meritojnë.

Sociolog shqiptar që punon najsen nuk njoh, prandaj nuk e di se sa prej këtyre grave e durojnë dajakun sepse janë të bindura se ‘s’kanë ku shkojnë’,
dhe për sa prej tyre kjo është ‘mënyrë e jetës’!

A ka gruaja shqiptare ku shkon kur i teshet shpirti?

Me shku te vëllai-nuk të don kunata, edhe në qofsh ti njeriu më i mirë në botë, ajo ty nuk të do, dhe këtu nuk ka asnjë dilemë.

Femrat mbyten në urretje ndaj njëra-tjetrës.
Duke e ‘studiuar’ urrejtjen e madhe që mbretëron mes femrave shqiptare, për shembull urrejtja e resë për vjehrrën dhe kunatat, e sheh ti se kjo lloj urrejtje e tyre është ‘urrejtje e pakushtëzuar’, pra ti si kunatë apo si vjeherr nuk ke nevojë të ‘japësh asnjë arsye’ për ta nxitur urrejtjen e kunatës apo resë tënde, sepse ajo ty të urren vetvetiu, në mënyrën më natyrore të mundshme, qe s’qe e mirë ti; e meritove, s’e meritove ti.

Duke e ditur çfarë e pret nëse e lë burrin sadist dhe kthehet te shpia e prindërve, gruaja më lehtë e përballon ‘urrejtjen e kushtëzuar’ të burrit të saj të dhunshëm (i cili najherë edhe mundet me dasht e m’u sjell butë me të), sesa që mundet me duru ‘urrejtjen e pakushtëzuar’ të nuseve në shtëpinë e prindërve.

A i keni dëgju ju gratë çfarë urrejtje kanë për vajzat (kunatat e tyre) dhe se si gjithmonë në rastet kur e qajnë veten (për çfarë kanë heq nja 20 vjet pasi janë martu), thonë: ‘unë i kam gjet’ 3 kunata pa martu, kur hynin në banjo 1 sahat…ma merrshin pinceten e vet’llave, m’i vesh’shin fustanet…çka kam hjek unë as gjarpri nër gurë nuk ka hjek’….njëmend, vuajtje e madhe kjo.

Tjetër temë shumica e grave shqiptare nuk kanë përveç ‘jo vjehrra, jo kunata’, mjerim.
Vjehrra në kulturën shqiptare ‘është e keqe dhe neveritëse’, është gjëja më e keqe që i ndodh një nuseje, anipse ajo mund të jetë njeri i mirë, që i ndihmon asaj m’i rrit fëmijët, që ia kryen punët e shpisë, që e trajton si bijën e saj, por kot, asgjë nuk e lëkund këtë ‘urrejtje të pakushtëzuar’ të nuses për të.

Në botën e grave ka shumë urretje ‘të pakushtëzuar’ (ashtu siç ka dashuri të pakushtëzuar), dhe në fund, të gjitha fundosen në urrejtjen e tyre.
Sepse, të gjitha bëhen plaka.
Dhe sepse urrejtja jote të shkatërron ty.

Në shumicën e rasteve kjo urrejtje vjen si pasojë se shumë kush nuk e merr atë që e ka dashur.

Asnjëherë nuk e kam dëgjuar një grua shqiptare që e lavdon apo e flet një gjysmë fjale të mirë për vjehrren e vet (ky është fenomen shqiptar).

Sikurse njerka, që në kulturën dhe traditën shqiptare paraqitet si ‘shtrigë e madhe’, anipse ajo mund të jetë një ‘nënë’ shumë më e mirë dhe më e sjellshme se nëna biologjike.
Badihava, për shqiptarin, s’e ka nënë!

Në botën e burrave merr mot më i mirë.
Ata as nuk dashurojnë në mënyrë të pakushtëzuar, as nuk urrejnë vetvetiu në mënyrë të pakushtëzuar.
Ata kalkulojnë.
Ata edhe kur plaken e bëhen vjehërr, nga nuset urrehen më pak, ose fare nuk i urrejnë.
Ku me ditë pse!

Shyqyr që se dini sa urrejtja e pashprehur dhe e padiktuar fshihet në zemrën e gruas.
Dhe, ju që sot i rrihni gratë, ku-ku për juve çka ju pret kur të plakeni.

S’do të vdisni pa u turpëruar para tyre, sepse ato, as nuk ua falin, as nuk ua harrojnë. Rrnojnë me ju se si do të përfundoni në duart e tyre.

Bota e gruas ka nevojë për një ‘prijës’, dhe bash kjo nevojë i bën fatkqija ato.
E burri s’ka nevojë të bëhet prijësi yt, po ka nevojë të sillet si ‘fëmiu’ yt, të cilit i rrin gati, ia gjen çorapet e humbura brenda dollapit, se ai nuk din ku i ka lënë;
ia hekuros teshat, se ai s’din m’i hekuros, as nuk duhet me ditë.

Dashuria nga larg, është më e bukura. I thonë dashuri e pakushtëzuar, e ndoshta është ‘liri’.

P.S. Shkrimi u frymëzua nga piskama e një gruaje që e dëgjova nga larg, dhe nga zëri i një burri që me zë që s’ka ku shkon më i lart, i bërtiste asaj dhe e quante ‘shtrigë’.

Gjithmonë, me fundin e barkut, e kam urryer këtë mentalitet.
E humb njeriu rrugën për t’u kthyer në shtëpi, kur hyn në ‘maskarallak’ të shqiptarëve, që për shkak se janë të varfër, dhe të dorëzuar, jetojnë kallaballak bashkë, në dhomat e pushtuara nga urrejtja e pakushtëzuar.

Pastaj, ra shi i rrëmbyeshëm, dhe pushoi piskama për sot.
E pasi u ndal shiu, çifti ‘sado-mazo’ lëshoi muzikë me zë bubullime.

P.S. S’di ku po zateteni me këta ‘lahpera’ që ju zhdepin dru sepse ju u dukeni kurrkushi.

Por di me ju thënë: lypni çare, lypeni hisen e babës, mos jini të shkreta se askujt s’i dhimbseni;
mos e prisni hasret pleqninë, të bëheni plaka për t’u hakmerr ndaj plakut tënd në moshën që ai ‘s’e mban dot shurrën, e lëre më t’ju rrah siç jeni mësuar’.

E ti vajzë e re, kurrë mos e merr për burrë djalin që s’e do.
Sepse, kur ti martohesh me njeriun që nuk e do, aty lind ajo urrejtja e pakushtëzuar, urreja që nuk njeh kufi.
Dhe jeton edhe pas vdekjes.

Kanë ditur diçka ktyneherë shqiptarët që kanë thënë ‘Femra lind në shtëpinë e huaj, e vdes në shtëpinë e vet’

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz