Shpallje

Vladimir Muça
Shkrimtar, kritik

Romanin “Passio” Anton Gjoçaj e solli në panteonin e letrave shqipe në një kohë eminente, kur trupi njerëzor i kombit po sikteriset anë e kënd botës, kur më shumë se kurrë nevojitet ndalesa e kësaj hemoragjie shoqërore, jo vetëm tek shqiptarët e Malit të Zi, por edhe në tokën amë. Romani vjen si një domosdoshmëri  e një zgjimi të vetëdijes kombëtare dhe i një zgjimi të  nacionalizmi shoqëror.  Dy apoteoza që e kanë mbajtur gjallë ndërgjegjen shqiptare ndër shekuj.

Romani “Passio” vjen si një paradigmë kundërshtie i dukjeve politike të sotme dhe i zhvillimeve social – demografike, nëpërmjet përjetimeve të thella shpirtërore si dhe i njohjeve të realiteteve në dualitetin absurd të një kohe, e cila çdo  ditë e më shumë agravon fatin e individit e të shoqërisë.

Arti prozadorik migjenian, veshur me inovacione të reja moderne, përçues të një substance kohore, vjen në formatin e romanit  si një domosdoshmëri e printimit kohor, duke gjetur vetëveten njerëzore, që nga fëmijëria e tretur nëpër botë, nëpër relievin shpirtëror të hartave.

I cytur nga represioni i egër drazho mihajlloviçëve në vitet 45-46, Zefi i vogël 15 vjeçar len shtëpinë, ate bujtinë njëdhomëshe në Arrzë të Malsisë së Madhe emigron, e birësohet në Itali, duke lënë motrën e vogël dhe nënën vejushë.  Odiseja e emigrimit vazhdoi me Jozef Montanarën (Zefi) në Amerikë. Me zellin e këmbënguljen e tij arrin të natyralizohet si shtetas amerikan dhe te bëhet një piktor i përmasave botërore, i lakmuar nga shumë dashamirës të artit. Por me gjithë realizimin e këtyre ëndërrave dhe dëshirave në botën e artit, ndjenja amësisë për vendlindjen krijon një brazed të thellë dypersonaliteti e cila e mbyll Jozefin në vetveten e tij në një botë në botë të askundit. Endërrat për vendlindjen, motrën, nënën, qengjin, behen makthet e jetës së tij. Gjithnjë e më shumë ata marrin format e kundërshtisë të jetës në botën e “lire” si superior të një jete të lenë dikur në harresë.

Antoni, si kundërshti e kësaj hemoragjie, shprishjeje shoqërore, na ka sjellë një produkt romanesk krejt të ri, me inovacione stilistike dhe estetike moderne, ku sharmin thelbësor artistik e përbëjnë metaforizimi e simbolizmi polivalent, fryma e pathosi poetik, ekstarkti i përzgjedhur  popullor dhe të vërtetat ambikuide, në të cilën përjeton sot bota shqiptare!

Autori ynë i nderuar dhe i thjeshtë, si të vërtetat e këtij romani, në këtë rrëfimtari  shpërfill kodet letrare, nuk i qëndron besnik fabulës narrative, por vjen me një arkitekturë të re letrare, një prozadorizëm mozaik, duke e çliruar romanin nga lineariteti tregimtar, duke përdorur me sukses introduktet revokuese, monologun, dialogun kursimtar, psiko-analitikën e personazheve, parabolat dhe paralelizmat figurative aq shumë të pëlqyera dhe në botime të tjera.

Duke analizuar egon e personazhit ( por edhe të vetes) me një psiko-terapeutikë, Antoni sulmon superegon, e cila me anë të superheroit, kërkon të vendosë rregulla. Këtë,  autori  e realizon bukur  duke e deheroizuar rrëfimtarinë, duke na dhënë jo superheroin, por njeriun e vërtetë jetësor e human (motra dhe nëna).

Në kontekst, subjekti  dhe mesazhet  që përcjell romani, më shumë se në çdo substancë  kohore, të përjetuar nga breza emigrantësh, janë  më shumë se kurrë të ndjeshme sot, kur nga tranzicioni absurd,  shoqëria e sotme shqipatre po përjeton një hemoragji të tejskajshme shoqërore, në përmasa biblike nga goliati emigracion.

Duke bërë  psiko- analizën e kësaj plage shoqërore që s’iu nda popullit tonë në shekuj, autori njëkohësisht, me anë të ambiguitetit analitik të një dypersonaliteti, letrarizon idetë frojdiste nën frymën Lakant, duke na dhënë anamnezën dhe psiko- terapeutikën të ngjarjeve dhe fenomeneve.

Boshti i sensibilitetit në roman antraktsohet tek dramaciteti  shoqëror, me një monolog , sa të personazhit autor (Antonit) aq dhe të Jozef Montanaros, duke e mbushur me një narracion biblik me parabola e metafora funksionale, në kontaktet e një proze poetike, me copra mozaike tregimtare, dukuri kjo e romanit post modern.

Sentencat e shumta, si dhe ekstarktet popullore të futura me finesë artistike, ushqejnë ndjellësinë tek lexuesi për një lexim fikshën, duke u futur e dalë nga humbellat e një jete, herë i robëtuar e herë me forcën e mbijetesës. Rrëfimtaria  lundron në ujrat e një romani sa ekzistencialist në dukuritë moderne të stilit dhe estetikës, aq dhe realist, mbushamendës në subjektivtetin   narativ.

Nën frymën e letrarizimit të filozofisë psiko- terapeutike frojdiane, prokurori  Jozef dhe i pandehuri Zef, na japin protonizmin e të kundërtave  në konceptin dialektik të ligjeve të mohimit, ku mohimi i mohimit  gjithnjë sjell një risi jo vetëm materiale, sikundër fara mohon bimën, ( biri familjen) por dhe një risi shpirtërore në kontakte të reja të “substancës” shpirtërore.

Nëpërmjet këtij dyluftimi, autori shtron para lexuesit një nga dukuritë thelbësore  të zhvillimit shoqëror: kush nuk lufton me vetë veten nuk ka perspektiva zhvillimore në aspektet ekzistenciale të jetësimit njerëzor.

Padyshim që ky është një mesazh fondamental, i cili vjen si paradigmë gjatë gjithë kapitujve të romanit. Lufta me vetë veten ose siç thuhet në gjuhën e politikës ”katarsis” është thagma thelbësore e zhvillimit njerëzor.

Sigurisht, këtu kanë kontributin e vet dhe mesazhet didaktike në marëdhëniet familjare, të cilat vinë si një apotheozë, si një domosdoshmëri, për një shoqëri njerëzore të shëndoshë.

Pyetjet e Nikollë Markut janë përçuesit e kësaj thagme. Ata marrin rolin  e një tyrjele e cila zhbiron jo vetëm mendjen, por edhe shpirtin e Jozefëve anë e kand, në diasporën shqiptare.

Ndonëse bashkombësit tanë i ndajnë mijra kilometra nga njeri tjetri, ata i përbashkon një ndjenjësi, një forcë mbijetese: nacionalizma shoqërore, e cila gjithëkënd e kthen në origjinë, jo si djali plangprishës, i cili mbytet  në unin e vet trandeshent ( kapitujt e parë ), por në të kundërtën e Kafkës ku personazhi mbyllet në botën e tij të brendëshme , në një dypersonalitet digresiv në romanin “Kështjella”.

Jozef Montanaro dhe ( Gjon Zefi) vinë më shoqërorë, më antraktivë në substancat kohore që përjetojnë. Ligji i kompensimit vjen si paradigmë e një jete, në një jetë tjetër, si rregullatore jo vetëm ndjenjësore, por edhe shoqërore.

-Haka shkon tek i zoti- siç thotë me plot të drejtë në parathënie Dimitrov Popoviç: ” ngadhnjim biologjik”, si një çlirim shoqëror, protonizëm social i qëndrestarisë të kombit shqiptar.

Gjithçka në nën shtresa mendimore, vjen dhe si një proklamatë jo vetëm për trojet e tkurrura shqiptare në Mal të Zi, por edhe si një thirmë për t’i dhënë jetë këtij “ngadhnjimi biologjik” anë e kand diasporës shqiptare, ku gjaku i shprishur të përftojë aftësitë rijetësore jo vetëm të individit Jozef, duke mbjellë në dheun amë bistakun e ri të rigjallërimit breznorë (lindja e djalit), por për të gjithë bashkëkombasit e migruar, për më shumë përkushtim ndaj dheut mëmë.

Autori, duke na dhënë karakteret e Jozefit (Zefit), motrës dhe nënës, duke zgjedhur faktet dhe ndodhitë jetësore, në triorin e tij mendimor, me korrektësi artistike, ka përgjithësuar e interpretuar materialin jetësor që fluron nëpër diasporë, në përputhje me botëkuptimin e tij ideal, duke evidentuar dukuritë më të rëndësishme të jetës njerëzore.

Pikërisht  këtu qëndron dhe personaliteti, veçoria narrative e Anton Gojçajt se: ai ka ruajtur me fanatizëm realizmin duke i dhënë më shumë natyralizëm dhe ekzistencializëm veprës “Passio”, në ato valenca të pranueshme nga botëkuptimi e përvojat e veta letrare e botërore.

Ai në këto koncepte është i bindur në atë çfarë definon prof. dr. Alfred Uçi se”…letërsia në çdo formë të saj është një përvetësim shpirtëror i botës  siç është përvetësim shpirtëror dhe akti më i thjeshtë i përshkrimit të fakteve” ( Alfred Uçi- Labirinthet e modernizmit, f.312)

Në këtë frymë, Gojçaj me romanin “Passio” realizon përputhjen e idesë, mendimit, me veprimin; duke i vendosur në funksion të plotë subkoshiencën e njeriut me sjelljet njerëzore. Ky është dhe ashti kryesor në filozofinë prozadorike të modernitetit romanesk, jo  vetëm në shekullin e kaluar por edhe në shekullin e njëzet e një.

Autori depërton mjeshtrisht, thellë dukurive  dhe ngjarjeve të revokuara në fshatin malor Arzë nëpërmjet introdukteve tregimtare, por dhe ngjarjeve e fenomeneve në substancë të re kohore. Me alkiminë e fjalëve dhe të përvojave jetësore, ai zbulon të vërtetat, duke u futur në thelbin e sendeve e fenomeneve.

Përmes detajeve natyraliste si rrugët për në fshat, atelejeja, shtëpia, shpella e mbuluar nga ferrat, rrasa shkëmbore, ekzistencializmi i nënës burrneshë, autori ka arritur të na japë të tërën, duke arritur të pasqyrojë dukuri dhe rrethana tipike shqiptare në një pozicion paksa ambiguid ndaj këtij realiteti.

Me këtë mozaikë rrëfimtare ai nuk ka mbet si shumë të tjerë një rrëfimtar i thjeshtë , i rëndomtë i një kronike, por vjen si një krijues i një amalgame të një jete të tërë pesëdhjetë e pesë  vjeçare emigracioni, me antraksionin e egër shpërfytërues në subkoshiencën e njeriut.

Në këtë roman, shkrimtarët, studjuesit, sociologët, lexuesit, jo vetëm në Malin e Zi, por në dheun amë dhe në të gjithë diasporën, do të gjejnë në çdo kapitull një kalorës templar në kërkim të një iracionaleje të dëshirueshme, e cila shtegton nga një kohë e tashme, në një kohë të kaluar, duke na sjellë impresionet shoqërore si gjurmëtare të së tashmes, e një të ardhmeje , trashëgimtare të gjenezës të një shoqërie njerzore  e cila e gjen jetësimin në këtë vazhdimësi të cirkuitës shoqërore, në ato shtjella që stisin vorbullat në tërësinë e jetës.

Në memorizimin  e romanit “Passio ” në letërsinë bashkëkohore, siç duket, Anton Gojçaj  e ka marrë frymëzimin e nismën letrare  nga sentenca e perandorit filozof, Mark Aurel, i cili proklamonte  pa mëdyshje se: ” Të gjithë ne jemi krijuar për të bashkëjetuar mes njerëzve  tanë, të cilëve u detyrohemi që t’ i ndihmojmë …dhe t’i pranojmë ashtu siç janë.”

Tetor
2016