Shpallje

Në rrjetin social Facebook është publikuar një peticion që i është derguar Bashksisë Islame të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës për ndlaimin e ndërtimit të Xhamisë në qendër të Prishtinës. Peticionin mund ta lexoni mëposhtë:

———

 

 

Ftoj të gjithë qytetarët, pavarësisht besimit fetar, ftoj edhe miqtë që janë praktikues të besimit islam ta përkrahin këtë iniciativë për mbrojtje të ligjit dhe harmonisë arkitektonike në qytet.

Projekti arkitektonik i Xhamisë Qëndrore në Prishtinë duhet të rishikohet. Normalisht, është e drejtë të kërkohet ndërtimi i një xhamie në qytet dhe askush nuk e konteston këtë, por projekti aktual i propozuar i xhamisë nuk guxon të lejohet nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, sepse ky objekt nuk është në përputhje me planin rregullues të lagjes e as me kriteret e konkursit.

Prandaj kërkojmë që të përsëritet edhe njëherë procesi i përzgjedhjes së projektit fitues, duke respektuar në tërësi kriteret e konkursit dhe planin rregullues të lagjes.

Më poshtë lexojeni letrën zyrtare dërguar Komunës së Prishtinës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës:

Drejtuar:
Bashkësisë Islame të Kosovës
Komunës së Prishtinës

Data/Vendi:
14 korrik 2017, Prishtinë

Kërkesë për ndalim të procesit të dhënies së lejes për objektin fetar në lagjen Dardania

Ne të poshtë shënuarit, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të procesit të ndërtimit të objektit me destinacion fetar në lagjen Dardania në Prishtinë. Objekti me destinacion fetar nuk është në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut që është e përcaktuar në planin rregullativ. Objekti poashtu nuk është në përputhje me kriteret e konkursit të publikuara për kompanitë arkitektonike që kanë aplikuar për ndërtimin e këtij projekti.

Sipas Planit Rregullues të Lagjes Dardania, të miratuar në vitin 2009, që përcakton rregullat për ndërtim dhe zhvillim të lagjes dhe parcelës ku është planifikuar objekti fetar, një projekt i ndërtuar aty duhet të jetë “në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut”, sipas përshkrimit për Kushtet e Veçanta të Bllokut 8c, faqe 164 të planit (bashkangjitur me këtë letër).

Ndërkohë, sipas kritereve në “Konkursin për Ndërtimin e Xhamisë Qëndrore” që e ka përzgjedhur projektin e kontestuar, përcaktohen qartazi kriteret e përzgjedhjes. Kritere këto që janë shkelur në projektin aktual. Në faqen 53 të këtij dokumenti (të bashkangjitur me këtë letër) thuhet përveç tjerash se objekti fetar duhet të jetë “i integruar në ambientin dhe kontekstit urban të lagjes”.

Objekti i përzgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës ka stil arkitektonik tërësisht në kundërshim me kontekstin dhe ambientin përreth të lagjes për shkak se është projekt me stil arkitektonit të shekullit XV dhe XVI, përdersia objektet përreth i takojnë stilit modernist utilitarian të arkitekturës. Objekti poashtu nuk e përmbush kriterin e “origjinalitetit arkitektonik” të përshkruar në faqen 54 të konkursit, përderisa ndërtesa në fjalë është kopje e një ndërtese tjetër në shtet tjetër.

Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Institucionet Qëndrore që këto procese ti bëjnë në përputhje me planin rregullues të lagjes, me transparencë të plotë karshi qytetarëve dhe në përputhje me kriteret e paracaktuara të konkursit.

Së këndejmi, ne si nënshkrues të këtij dokumenti, nuk jemi kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por jemi gjithsesi të interesuar për një proces ligjor, gjithpërfshirës dhe profesional për kryeqytetin tonë. Përderisa Prishtina është në fazë të përmirësimit të infrastrukturës së saj, në respektim të ligjeve dhe të harmonizimit të planeve dhe rregullave, kërkojmë që ato të aplikohen pa përjashtim edhe në procesin e ndërtimit të Xhamisë Qëndrore në Prishtinë. Për ta facilituar këtë proces, është domosdoshmëri që të krijohen dëgjime publike të hapura me qytetarët e lagjes, me urbanistë dhe arkitektë, me përfaqësuesit komunal dhe qendror, dhe me të gjitha palët tjera që preken nga ky proces.

Prandaj kërkojmë që të përsëritet edhe njëherë procesi i përzgjedhjes së projektit fitues, duke respektuar në tërësi kriteret e konkursit dhe planin rregullues të lagjes.

Liria e besimit dhe praktikimit të fesë në vendin tonë është e drejtë e patjetërsueshme që na takojnë të gjithëve, njësoj qysh ligjet e Kosovës dhe ambienti urban i qytetit na takojnë të gjithëve njësoj. Andaj, duke mbështetur lirinë e besimit dhe asociimit, kërkojmë ndërtimin e objekteve dhe ndërtesave në përputhje me rregullat urbanistike dhe ligje të kryeqytetit dhe shtetit tonë.

Nënshkruar nga:
Yll Rugova
Alban Muja
Bardhi Haliti
Eli Krasniqi
Petrit Gora
Ares Shporta
Vigan Hoxha
Visar Arifaj
Lura Limani
Besa Luzha
Eli Gashi
Krenar Shala
Agron Istrefi
Florina Duli
Gani Jakupi
Venera Mustafa
Burim Ejupi
Vullnet Senaja
Dafina Zherka
Krenar Gashi
Rushit Arifi
Driton Pllana
Lum Mita
Kastriot Musliu
Mrikë Sefaj
Habib Mekolli
Dalina Berisha
Faruk Ahmeti
Luan Ibraj
Elvin Blakaj
Sadri Ramabaja

———