Vladimir Muça
Vladimir Muça
Shpallje

(Vëzhgime rreth librit “Shtëpia në rrugicë” të Fatmir Mingulit)

Në tejpamësinë e një bote

Duke ndjekur një stil të ri narrativ, ku mbisundojnë në formatin mozaik elementët e sugjestionit, siç definon në parathënien e librit shkrimtari (Hamdi) Erion Muça, Fatmir Minguli ndjek me konseguencë rrugicën ku gjendet  shtëpia e “artit të tij konformist”.

Në këtë koloritet tregimtar ai me mjeshtëri merr realitetet nga jeta si një shumi prototipesh, i trioron në sitën e mendimit mes metafizikës dhe reales, duke i rrugëtuar personazhet mrekullisht në autostradën e prozës së re bashkëkohore, në karexhiatën e tij, brenda konvencioneve të artit që ka vjelur mes studimeve e vëzhgimeve eseistike të lëvruar ndër vite.

Duke qenë një vëzhgues i hollë i risive letrare, ngulmues në perceptimet mistike, si një zen-budist, Fatmiri rrëmih botën në tejpamësinë e saj, me makro e mikro- kozmos, duke sjellë me anë të metaforave dhe simboleve thelbin  e jetësimit që është”e pafundmja.

Ndaj në këto përsiatje të reja tregimtare, fabulat vinë me lakuriqësinë e tyre, të xhveshura nga haluçinacionet e ankthet që jep estetika e absurdit. Autori me ekselencë, vjel nga mistikja atë çka është thelbësore: ekstraktin jetësor, duke lënë mënjanë ”fobitë shterruese”.

Në këto kontekste, ajo që mbisundon kreativitetin jetësor të tregimeve është ekzistencialja. Një ekzistenciale jo e mbyllur në “strofkën “ e Kafkës, por një ekzistenciale e kudo ndodhur, si te “Qeni i Slabinës”, “Fshati me çati”, “Lejleku”, ku autori vjen bindshëm me dukuritë e mbijetesës nga e shkuara, por që i shërben të tashmes si një preambul mbijetese.

Shembull ekselent është  tregimi ku ky eksitencializëm vjen me nocionet e një impresionizmi të kulluar, “Lejleku”, lidhur ngushtas me bio-diversitetin natyror. Impresionet e përfolura i kapërcejnë kufijtë e vetëvetes, duke u përqasur në tejpamësi, në një dramacitet shoqëror ku shenjtëria e familjes dhe lidhja bashkëshortore( shenjtëria e monogamisë së lejlekut) vjen si paradigmë e një shoqërie pa konflikte, ku sot divorcet janë plaga më e rëndë e ç’përbërjes të familjeve, bërthamës bazë të shoqërisë njerëzore. Ose tregimi i këndshëm “Ruajtsja e kohës”, i cili ngjall në shpirt mistika dhe impresione ekzistenciale, duke përcjellë ide dhe mesazhe me një tejpamësi kohore, mbi sublimitetin e njeriut e të natyrës, si një kontravers i shpirtvogëlsisë e hakërrimit njerëzor nga segmente të një sistemi shoqëror diktatorial.

2. Dypersonaliteti dhe filozofia e re tregimtare

Pothuaj, me frymën e tregimit ”Shkrimtari dhe fytyrëzbehti” janë shkruar edhe një pjesë e tregimeve, të cilat janë maisur në tavernën “Llaqi”. Në to dukuria e dypersonalitetit vjen si një rrjedhojë e filozofisë tregimtare, e cila na ofrohet si një produkt i subkoshiencave e të dramaticiteve të reja sociale.

Këto dypersonalitete Fatmiri me “armën “ stilistike të estetikës, i sjell si model të letrarizimit psiko-analitik, nën frymën Jung dhe Lakan, por me një veçori bio- shqiptare, në një këndvështrim të ri. Ai fut mjeshtërisht paralelizmin figurativ si rrugëtar me personazhet, i cili hap shtigjet rrëfimtare.

Gjithçka në këto kontekste vinë si gjetje të kushtëzuara, ku në nëntekste fshihet  letërlakmuesi psiko- terapik, përmes metaforës së mjegullës, ku personazhi kthehet në një qenie amorfe, kthehet në mjegull.

3. Magjia tregimtare dhe mistikja

Magjia tregimtare dhe mistikja, dy kategori estetike të cilat Fatmir Minguli i shkrin bukur me njera tjetrën, në një amalgamë prozadorike, duke nxjerrë në dritë të diellit nëntekste mesazhiere dhe ide që përftohen më lehtë nga lexuesi. Etalon i një përqasje të tillë estetike është tregimi “Koshi magjik prej xunkthi”, ku vetëmohimi i subkoshiencave, puna këmbëngulëse, të mos vetëkënaqurit, rrisin vlerat krijuese e prodhuese si gjenerator i shumë të mirave.

Një mesazh sa filozofik aq dhe didaktik, i cili vjen nëpërmjet një psiko-terapeutike ku si një grintë metaforike, sajesa e koshit të xunkthit vjen si paradigmë filozofike e jetës.

Në universialitetin metaforik, si përbërse e një familje, një qyeti, një shteti, vjen dhe tregimi “Shtëpia në rrugicë”. Përmes vizioneve mistike, si në mizanskenat e një teatri absurd, përmes mistikes, në skakierën alegorike, autori sjell vizionet e një substance të re kohore shumë të dëshirueshme. Shtëpia (shteti) në pafundësinë e njëqind viteve tranzicion në luftë për të bërë shtet, mbeti atje në zanafillë, i parëndësishëm, mbyllur në papërfillshmëri ku: “Psikologjikisht ishim të rrethuar nga një atmosferë e frikshme, një atmosferë që na ngjallte idenë e shkretisë, xhunglës, sureales.”

Këto mizanskena qerthullohen në mendjen e lexuesit edhe në tregimin “Valixhja që lëviz”, ku mistikja nga e ngurtësuar, amorfe, na vjen e shpirtëzuar përmes mizanskenave haluçinante, ku: “ misteri është vertëtim i heshtur që përfaqësohet nga valixhja e dërrasës e bërë me drurin e pyllit të Prodanit”.

“Guri i rëndë në vend të vet”. Kjo shprehje urtake popullore e sintetizuar bukur me valixhen e cila brodhi anë e kënd botës e tani, si një ”hanëme” misterioze, u kthye në vendin e tij.

Përqasjet e reja, do thoja provokative, drejt një proze të re në letrat shqipe jo vetëm te tregimi “Refleksione në shi” por dhe në tregime të tjera, ku elementi tregimtar dhe ato estetikë ndërthuren bukur me njeri tjetrin, sa që efektet e iluzionit marrin trajtat aureole. Mistikja dhe abstraktja vinë si dukuri më të thekshme te tregimi “Misteri i sixhadave” por ka një dallim thelbësor në trajtimin estetik.

Në qendër të këtij abstragimi mbi misterin e sixhades vendoset njeriu me aparencën e tij, ndriçuar anë e kënd, ndonëse nën trysninë e egër të parasë. Që në këtë tregim, të hershëm do të thoja, nga të parët tregime, dallojmë disa më thelbësore të prozës, që Fatmiri “kultivon”.

0 – narracioni  filozofik i problemeve shoqërorë  të ndjekur hap pas hapi, në perspektivë drejt një substanceje të  re.

0 – kulturë gjuhësore të shprehuri të gjëra të erudicionit kulturologjik.

0 – dialogjet vinë plot jetë, mbarsur me aktualitete të pakoha, në jetërsimin e tyre, sa të duket se nuk po lexon një tregim, por sikur po dëgjon njerëzit tek dialogojnë në tavernën “Llaqi”.

0 – kur i lexon tregimet, mendja të thotë se po lexon diçka bruto nga jeta se filtri krijues mungon. Por jo! Vërtetë autori nuk tregon kujdes të “zbukurojë” personazhet por nga ana tjetër vërejmë se autori është ekselent në përzgjedhjen e fjalorit, fonemave, është lakonik. Një angazhim i tillë artistik është frut i një pune të kujdesëshme, i triorimit të materialit jetësor, që për mendimin tim është treguesi më i mirë i pjekurisë artistike të autorit.

Rrëfime brenda rrëfimit

Shumë interesante janë  mënyrat e shmangies të monotonisë rrëfimtare nga autori në këtë vëllim me tregime. Shmangien nga monotonia Fatmiri ka ditur ta  shmangë me një stilistikë shumë interesante, me cilësinë e ofsajtit letrar.

Me mjeshtri ai fut në çaste të monotonisë letrare, rrëfimin brenda rrëfimit; biles ai shkon edhe më tej. Duke ndjerë se tregimi do kishte një farë zbehtësie, do t’i mungonte emocioni, ai me anë të një gongu letrar ngulmon në futjen e gjetjeve të reja nga korpusi i tij enciklopedik, duke kapërcyer  fragmentarizmin e duke ndërtuar rrëfimtarinë mes dy a më shumë vetave, ku personazhi autor vendoset në rolin e moderatorit. Kjo ka sjellë në këto tregime spikatjen dukshëm të ndryshimeve të thella shoqërore si dhe evolimin e njeriut në një dramacitet social.

Autori me sukses, arrin të japë artistikisht përmes alegorive, metaforave, simboleve, emancipimin shpirtëror të njeriut jo si një konstatim, por si një pohim artistik i thellë i të vërtetave shoqërore, i të domosdoshmes, kushtëzuar nga marëdheniet e reja ekonomike shoqërore.

5. Pasazhe poetike e tharm bodecian

Si pjesë integrale e estetikave moderne me veçorinë e tyre janë dhe futja e pasazheve, trilleve poetike e tharmi bodecian me sharmin e groteskut. Pasazhet poetikë, si pjesa më potenciale artistike e kanë vendosur prozën bashkëkohore shqiptare krah për krah simotrave europiane.

Tregimi “Tre poetë dhe i katërti” është shembulli më i plotëruar, ku tharmi bodecian e trillet poetike zenë vend në narracion, si pjesë e domosdoshme, si stimulante artistike, që gjeneron zhvillim në dramaticitetin shoqëror, si një kontravers për dje dhe për sot ku: “ Lolot dhe këngëtarët, kërcimtaret dhe filozofët ishin gjithmonë pranë mbretit.” sepse: ”Që atëherë për poetët nuk pyet më njeri. Ata lindin, krijojnë dhe vdesin aty ku kanë qenë, ose bredhin nëpër botë. Shumë prej tyre vdesin të rinj. Poezia Evë  lind vazhdimisht me dhimbje, por vetëm poezia e vërtetë.”

Një shembull esencialisht aktual në të gjithë kohërat. Jo më kot autori, në vazhdimësi, si për të shtuar valencat ideore e mesazhiere plotëron në tregimet “Një gazetar në koktej” dhe “Manekini” tregime të zhanrit bodecian, ku Fatmiri me mjeshtri ka ditur të krijojë situata komike, të na japë kllounitetin e një gazetari pa diplomë i cili abuzon me lirinë e fjalës e të punës si gazetar. Grotesku dhe komikja vinë këndshëm në kuadër të situatave komike krijuar nga autori me shumë art dhe finesë.

Fatmiri definon në të drejtën  e tij estetike por edhe timen, si një vëzhgues, se janë situatat komike ato që stimulojnë groteskun dhe komiken dhe jo siç ndodh rëndom paraqitja klloune e personazheve.

6. Pas vëzhgime

Në tërësinë komplementare këto proza përmbledhin në vetevete erudicionin kulturologjik dhe filozofik të autorit, ku përvojat e krijuara kanë gjeneracionin e tyre në rrafshin krijues, si një konceptim shumëdimensional.

Në këtë kontekst, personazhet e tregimeve, në formëzimin e tyre artistik, vinë përtej provincializmit e prototipeve arkaikë apo të heronjve të tipit Lei Fen.

Autori ka kryer një mision në letërsinë shqipe të pas viteve ’90 duke dhënë kontributin e tij modest në deheroizimin e letërsisë, krijimin e personazhit  njeri, ndaj antagonizmi i personazheve nuk është më brenda sistemit të ri shoqëror por në hijen brenda vetes, mbetur si reminishencë në një konflikt të vazhdueshëm midis kotësisë dhe gjërave më të çmuara të jetës, midis arrogancës dhe persekucioneve tragjike, mes shpirtërores e njerëzores shoqërore.

Miq e dashamirës të artit shkrimor, shijojini këto tregime të çliruara nga kornizat e soc- surealizmit dogmatik , nga provincionalizmi arkaik; mes rreshtave do të gjeni veten tuaj në tejpamësi. Do gjeni pjesë  të jetës suaj diku mes pasazheve e groteskut hirëplotë.

Atje do ju feksë një dritë shprese e ringjalljes të muzave për një substanciale të re kohore, shumë të dëshiruar.

Durrës – Korrik 2017
Shkruar nga: Vladimir Muça, shkrimtar e kritik