Të rrëzuar nga dy karrige!

13
Shpallje

Shkruan: Kimete Berisha

Në kurbet ndjeheni të ‘huaj’, numra serik, inferiorë dhe jokompetentë, të ndarë në dy kultura. as andej e as këndej.

– Në Kosovë ju bëjnë të ndjeheni të ‘tepërt’, dhe të vonuar. Kurbetçari është i destinuar të ndjejë një pikëllim të përhershëm në shpirtin e tij. Dhe meqë mërzia nuk ka kufij, kur rrëzohet kurbetçari, që thotë Selman Rushdie, rrëzohet nga dy karrigie, nga ajo e kurbetit dhe nga ajo e vendlindjes.

– Pas hebrenjëve, shqiptarët janë populli i dytë në botë që e duan atdheun në mënyrë të organizuar. S’ka në botë këso dashurie të organizuar. Ky dimension i dashurisë është magjik dhe i pakuptueshëm. Është dashuri hyjnore që rritet nga largësia.

Prandaj dashuria obsesive e shqiptarëve ndaj atdheut duhet të studiohet.

– Për mua diaspora shqiptare është e shenjtë (është dashuri që ia kalon Biblës), sepse vetëm jep dhe nuk merr asgjë nga vendlindja.
Ndërtojnë shtëpi në atdhe, e jetojnë në mërgim. Çdo shtëpi e tyre për mua është xhami, është kishë, është vend i shenjtë.
Ata e mbjellin dashurinë në oborrin e shtëpisë, mbjellin lule e trëndafila verë më verë, mbjellin pisha e pemë, të cilat nuk i mbjellin për vete, se ata shkojnë nga këtu, nuk i presin t’i shohin kah rriten, nuk i presin t’i hanë për vete, as të pushojnë nën hijen e tyre.

– Unë ndjehem si mikro-kurbetçare anipse jetoj 40 kilomentra larg vendlindjes. Sa herë shkoj në Mitrovicë kaloj pranë shtëpisë së fëmijërisë, më këputen këmbët në dy gjunjtë kur ndahem nga familja dhe kthehem në shtëpi, gjithmonë kthehem duke qarë.
Sepse, çdo largësi është largësi, s’ka largësi të madhe dhe të vogël për shpirtin.
Sepse çdo ndarje është ‘vdekje’.
Sepse, ti kurrë s’e di a do të kthehesh në shtëpi përsëri.

– Të neveritesh nga dora që të jep bukë -është mallkim për ty.

– Të fyesh djersën e punëtorëve që kurrë nuk ngopen gjumë, është mëkat i madh;

– T’ua prishësh pushimin atyre që kurrë nuk pushojnë përveç një herë në vit kur vijnë në Kosovë – është krim;

– T’u bësh zullum të mërziturve-mos pyet për ty;

– Të thuash (siç i dëgjoj shumë shqiptarë myslimanë) se kurbetçarët vozisin shpejt dhe shkaktojnë aksidente, do të thotë se ju nuk jeni fetar (jeni fetar folklorik dhe të pavetëdijshëm), sepse feja nuk e njeh aksidentalen. Feja islame thotë se askush nuk vdes pa exhel dhe se vdekja është e shkruar dhe nuk mund të evitohet.

– Të thuash se ‘ata shesin mend’, është budallaëk, sepse ne jemi ata që shesim mend, e ata janë sponzorët e mendjemadhësisë sonë.
Rreth 1 miliard euro në vit vijnë nga diaspora në Kosovë për të na e ushyer neve barkun dhe për të na e rritur mendjen (përjashto Iphon-a, teknikë e garderobë).

– Të thuash se ata e nuk e duan Kosovën më shumë se ne – është gabim i madh logjik, sepse ata krejt paret që i kanë i sjellin në Kosovë, kurse krejt paret që i ka Kosova i shpenzoni (edhe i vjedhni) Ju, kurrë pa punu kush kurrgjë, veç tuj filozofu;

– Të thuash se vishen pa shije, nuk është e vërtetë. Ata s’kanë komplekse dhe vishen që të ndjehen rehat në trupin e tyre.
Plus që vishen dhe duken bukur.

– Nuk e kam asnjë anëtarë të familjes në kurbet. Do të bëhesha e para kurbetçare, me gjithë qejf, sepse edhe ashtu më përcjell një mall i përhershëm për atdhe, anipse me të dy këmbët shkel në të.
Është një dashuri mistike kjo, sikur nëna që e ka në duar fëmiun e tij dhe ndërkohë që e përqafon ndjen mall për të, sikur e frikësuar se po i rrëshqet nga dora ajo ‘dashuri’.

P.S. Mua më dhimbsen shumë. Ka shumë prej tyre që nuke kanë askend, nuk i pret askush, vijnë për t’i vizituar kujtimet e tyre.
Sa herë vjen fundi i verës, Kosova lahet me lotë. Ju kam parë, e di. Çdo përqafim i ndarjes me të dashurit t’u përjetohet si përqafimi i fundit.

DiasporaTV
Shpallje