Fahri Xharra
Fahri Xharra
Shpallje

Shkruan: Fahri Xharra

I kemi do periudha për të cilat as nuk na vje keq e as bile së paku (sa për sy e faqe ) të kërkojmë falje publike. Por , jo dhe kurrësesi jo.

Kur , në vitin 1992, gjatë vizitës së parë që bëri z. Sejfi Protopapa në Shqipëri, i shkoi në shtëpi shkrimtarit Dritëro Agolli për të parë nëse ai, pas shkërmoqjes së diktaturës kishte evoluar, në se kishte kuptuar dëmet që i kishte shkaktuar politizimi i skajshëm veprave të tij.

Gjatë bisedës z. Protopapa i tha shkrimtarit se ai si ballist nuk kishte vrarë asnjë shqiptar dhe se nuk kishte bashkëpunuar me pushtuesit gjermanë, se i vetmi „faj“ i tij që nuk mund t’ia falte PKSH / PPSH-ja ishte denoncimi dhe publikimi i direktivës sekrete të Enver Hoxhës të 10 shtatorit 1943. Mirëpo shkrimtari nuk i kërkoi të falur për deformimet që kishte sajuar, por duke qeshur i tha se zgjedhja e emrit te personazhit ishte rastësore. Më tej ish ballisti i tha shkrimtarit se mbas shfaqjes së filmit dhe botimit të romanit, familjarët e tij në Shqipëri filluan të shikoheshin më egër se më parë, dhe ata, për të shpëtuar nga pasojat e luftës së klasave ndërruan mbiemrin. Përsëri shkrimtari nuk shprehu asnjë keqardhje.

Pra e kam fjalën për Sali Protopapën aq shumë të urrejtur nga filmi “ I teti në bronze “ i Dritero Agollit. Po ku ta dinim të vërtetën , ne të shkretët asokohe ( në vitet e 70-ta ) ? Sali Protopapa është një personazh filmik, i njohur pothuaj për të gjithë shqiptarët. Emri i tij është përzgjedhur nga shkrimtari Dritëro Agolli në romanin “Komisari Memo” dhe personifikon një komandant çete ballistësh të dhënë pas rakisë dhe drekave e darkave me mish qengji. I njëjti emër është ruajtur edhe në skenarin e filmit “I teti në bronz”, i luajtur me mjeshtëri nga Pirro Mani. Në rrëfimet e tij, Dritëro Agolli thotë se e kishte krijuar këtë personazh duke pasur parasysh rrëfimet për bëmat e një ballisti të quajtur Xume Protopapa. Gjithashtu, Agolli ka pohuar se kurrë nuk e kishte menduar se Sejfi Protopapa, një nga Protopapët e fisit nga ai kishte marrë shtysën për këtë personazh, ishte ende gjallë.

Po ky ishte Sejfi Protopapa , pra emri i tij i vërtetë është Sejfi Protopapa. Ishte bir i një avokati me origjinë nga fshati Protopapë i Korçës. Kishte lindur në Berat më 20 shkurt 1923. Arsimohet në vendlindje dhe në Itali. Në vitin 1943, kur ishte vetëm 20 vjeç, ishte emërua komandanti i një çete të Ballit, që vepronte në zonën e Roskovecit, e ndodhur midis Beratit dhe Fierit. Në vitin 1944 ai largohet përfundimisht nga Shqipëria .Fillimisht vendoset në Itali dhe më tej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aty vazhdon studimet dhe diplomohet për Fizikë Bërthamore.

Mashtrimi ideologjik është një katastrofë mendore ; gjithë kohën e urreja Sali Protopapen duke mos ditur se jam duke e urrejtur Sejfi Protopapen i diplomuar në Fizkën Berthamore . O zot !

Ky personazh “high class” i Dritero Agollit në të vërtetë quhej Sejfi Protopapa. Një burrë i shkuar në moshë, por jo në mentalitet ( vitet e 90-ta ). Një shqiptar më shumë patriot se sa të gjithë ata që menduan ndryshe si ai. Por, që fati nuk deshi ta linte atje në Beratin e tij, por ta hidhte në Itali e më pas në SHBA. Por, më shumë se jeta e tij plot tallaze dhe pse jo edhe shkëlqim, na vjen po aq interesant me një histori që dikur e kemi mësuar ndryshe. Njëfarë Sali Protopapa, në filmin “I teti në bronx”, përherë na ka lënë një shije negative teksa e shihnim të shqyente kofshën e dashit me dhëmbët e mëdhenj. Apo edhe të therte dashin e kopesë mu në mes të dhomës, pasi spërkati murin me gjak dhe i ndoti dhomën me kakërdhi.

Autorët e veprave të realizmit socialist duhet t’i dënojnë krimet e tyre artistike. Për publikimin e direktivës sektete, Sejfi Protopapa u anatemua prej Partisë Komuniste Shqiptare, u fut në listat e armiqve të popullit, kurse prej artit të realizmit socialist u kthye në një figurë negative përmes tipit të ballistit me emrin Sali Protopapa .

Takimi ballë për ballë me Sejfi Protopapen tregoi qartë se Dritëro Agolli, një nga shkrimtarët më të talentuar të letërsisë së kohës së diktaturës nuk kishte bërë asnjë hap drejt pendesës, asnjë hap evoluimi, për të dënuar politizimin e skajshëm të veprave të veta të hartuara në përputhje me normat e metodës së realizmit socialist.

“Fatkeqësish sot Dritëro Agollin, kalemxhinjtë prokomunistë e quajnë Patriark të letrave shqipe, dhe ky nuk revoltohet, nuk e konsideron fyerje, por e merr mburje një epitet të tillë, një epitet që nuk u është dhënë as Gjon Buzukut, Pjetër Bogdanit, Jeronim De Radës, Naim Frahërit, Gjergj Fishtës, etj. Dritëroi pra e ka për mburje të quhet si mjeshtri, kryeustai i letërsisë shqiptare të realizmit socialist, duke mos dashur të kuptojë se shumica e veprave të tij dhe e kolegëve të tjerë përbëjnë krimin artistik të kohës së diktaturës.” ( Dr. Thanas L. Gjika SHBA)

Unë pendohem që nga mos dija e kam urrejtur një njeri të madh i cili : “Menjeherë mbas shkërmoqjes së diktaturës komuniste, Sejfi Protopapa u angazhua në luftën për mbrojtjen e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai u bashkua me z. Antoni Athanas, Very Rev’ Arthur Liolin, etj dhe shkoi në Shqipëri për të mbrojtur Autoqefalinë e Kishës Orthodokse Shqiptare. Ai ka shkruar artikuj të ndryshëm për këtë problem dhe investoi për të shugurar priftërinj orthodksë shqiptarë në Rumani, Maqedoni dhe këtu në Amerike, priftërinj që punojnë në rrugë të pavarur prej Hirësisë së tij Janullatos. Z. Protopapa në këtë drejtim kishte punuar në përputhje me rrugën e ideuar prej Sami Frashërit, i cili kur e ngriti i pari problemin e Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare si vepër me rëndësi kombëtare, tha se atë duhej ta kryenin së bashku shqiptarët e krishterë në bashkëpunim me shqiptarët myslimanë “

Referencat :

-” Protopapa ndryshe” “Roland Qafoku

– “TRE MESIME NGA JETA E 90-VJEÇARIT SEJFI PROTOPAPA” Dr. Thanas L. Gjika (USA)/

– :Rrëfimi i një ballisti të sinqertë “ nga Petrit Qejvani