Faton Feka, aktivist i palodhshëm në të mirë të qytetit të Mitrovicës.

Në një intervistë të shkurtër me aktivistin e kamotshëm e të palodhur të VV-s në Mitrovicë, Faton Feka, ne mësuam se si ai angazhohet tash e sa kohë në këtë organizatë dhe kur ka vendosur të bashkohet me ndryshimin për të mirë, siç thotë ai.

 

Si erdhi deri tek ideja, ose vullneti juaj që të angazhoheni politikisht?

Duke u bazuar në gjendjen politike që po rëndohej në Kosovë, nga qeverisja e Administratës së UNMIK-ut, dhe nga serviliteti i udhëheqësve politik të Kosovës, zërin e vetëdijes për qytetarët e vendit tim, unë e pashë tek Lëvizja VETËVENDOSJE! Ishte viti 2006 kur u binda përfundimisht, se në Kosovë tanimë ekziston një Lëvizje në krye me Albin Kurtin, që në asnjë moment nuk hesht dhe nuk lejon që të shkelen të drejtat e shqiptarëve.

 

Kur dhe pse vendosët të bashkoheni me Lëvizjen VETËVENDOSJE?

Me përvojën time 10 vjeçare, në organizata të ndryshme Ndërkombëtare dhe Vendore, nga viti 2010, jam larguar nga biznesi dhe organizata ku punoja, për tu angazhuar me tërë qenien time në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, me qëllim që të kontribuoj sado pak në ngritjen e vetëdijes qytetare.

Çfarë mund të thoni për organizatën tuaj e cila është në rritje shumë të madhe ditëve të fundit.

Duke qenë pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!,  mësova se si duhet të jesh aktiv, për padrejtësitë që i bëhen shoqërisë sonë, padrejtësi këto të cilat nuk ishin të pakta sidomos viteve te fundit. Është nderë i madh, me qenë në mesin e aktivistëve shembullor, të cilët sakrifikojnë çdo gjë për të mbrojtur interesat e vendit tonë.

 

Faton Feka, kandidon për Asamble Komunale të Mitrovicës, në këto zgjedhje lokale dhe ka numrin 5.