Shpallje

Në Universitetin e Prishtinës një pjesë e lëndëve bazike mësohen përmes skriptave, sllajdeve dhe përmbledhjeve të ligjëratave, thuhet në një hulumtim të Preportr. Kjo formë e studimeve nuk garanton cilësi bazike, e të mos flasim për cilësi shkencore, pasi që në të gjitha fakultetet e UP-së publikohen vetëm tri revista shkencore, cilësia e të cilave konsiderohet pa kontribut shkencor edhe nga vetë rektorati i UP-sëMësimi me skripta në vend të librave po vazhdon ende në Universitetin e Prishtinës (UP). Në shumë departamente të UP-së, lëndët obliguese mësohen me skripta, përmbledhje ligjëratash, sllajde si dhe me literaturë alternative, e deri tek testet “e rrjedhura” që shpërndahen si literaturë për provime, të cilat nuk kanë cilësi akademike, por kanë përmbajtje të përgjithshme.

Mësimi në këtë formë bëhet për dy arsye: e para se mungojnë librat bazë dhe e dyta për atë literaturë që është në dispozicion, bëhet përmbledhje në formë të eseve apo të testeve dhe studentët shpesh ia dalin ta kalojnë provimin në këtë mënyrë. Në këtë hulumtim janë marrë për bazë vetëm lëndët obliguese, e jo edhe ato zgjedhore.Departamenti i Gjeografisë boton revistën “Kërkime Gjeografike”. Shpejtim Bulliqi kryeredaktor i kësaj reviste thotë se kjo revistë botohet në gjuhën shqipe, por ka edhe punime në gjuhën angleze brenda saj.Ndërsa, për shkak të mos përkrahjes financiare disa nga revistat tjera janë ndalur së funksionuari. Njëra nga to është revista “Njohja”, e cila ishte e vetmja që ishte shpërndarë përmes internetit edhe në vende të tjera, ndërkaq aty kanë shkruar edhe autorë të huaj.Hasnije Ilazi e cila ka qenë kryeredaktore e kësaj reviste, ka thënë për Preportr se botimi i parë i revistës “Njohja” ka dalë në qershor të vitit 2012, dhe pas këtij kanë dale edhe dy numra, një herë në vit. Ajo thotë se kjo revistë ka përmbledhur artikuj në gjuhën shqipe dhe angleze kryesisht nga fusha e filozofisë, sociologjisë, shkencat politike dhe se autorët kanë qenë shkencëtarë me renome nga Kosova, SHBA, Franca, Hungaria,Kroacia, Shqipëria etj.

“Botimi i revistës është ndalur në kohën e rektorit prof. Ramadan Zejnullahu. ‘Platformania’ e asaj kohe ka larguar revistën edhe nga web faqja e rektoratit, ndërsa punimet e kësaj reviste nuk janë pranuar më për avancime të stafit akademik edhe përkundër faktit se artikujt kanë pasur edhe recensione ndërkombëtare. Pas këtij vendimi degradues si për revistën, ashtu edhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në atë kohë për botimet e saj, qoftë me anën financiare, qofte me artikuj ose recensione, botimi i revistës është ndalur, si pasojë e mosinteresimit të autorëve për të botuar dhe për shkak të çështjeve financiare”, thotë Ilazi.Ajo thotë se vendimet sikur ky për mosnjohjen e revistës shkencore të shkencave sociale dhe humanistike, janë vendime shkurtpamëse me pasoja afatgjata dhe me ndikime domethënëse negative në procese akademike në Kosovë.Gjithashtu një nga revistat që është mbyllur është “Edukologjia”, revistë kjo që është botuar nga Fakulteti i Edukimit. Begzad Baliu person kontaktues në këtë revistë thotë se numri i parë i kësaj reviste ka dalë në vitin 2001, kur Fakulteti i Edukimit, quhej Fakulteti i Mësuesisë.

“Pastaj ka vazhduar të dalë në vitin 2002, njëherë në vit dhe janë botuar katër numra radhazi në gjuhen shqipe, boshnjake, turke dhe angleze, pasi ne kishim studentë të etniteteve të ndryshme në Prishtinë dhe në Prizren e Gjilan. Kishte edhe redaksi ndërkombëtare”, thotë Baliu.Ai tregon edhe arsyet e mbylljes së kësaj reviste, ndërsa nuk thotë diçka konkrete nëse kjo revistë do të botohet sërish.“Arsyet janë të ndryshme, por më shumë premtimi i dekanatit se ‘nëse ristrukturohet redaksia me bord ndërkombëtar’ do t’ përkrahet edhe materialisht nga një universitet kanadez. Me këtë rast është shpërndarë redaksia dhe morëm premtime nga Kanadaja, por vetëm premtime”, thotë profesori Baliu.Departamenti i historisë ka botuar revistën “Buletini”, por edhe kjo revistë nuk është duke u botuar. Arsyet e mosbotimit kanë të bëjnë me mospërkrahjen financiare dhe mosinteresimin e stafit akademik për të sjellë sërish në botim këtë revistë.Duhet theksuar se në web-sajtin e rektoratit të UP-së që disa muaj nuk figuron asnjë revistë, as ato që janë duke u botuar ende, as ato që janë botuar vite më parë.Në lidhje me punën shkencore në UP, Shkëlzen Gashi thotë se një nga problemet e “varfërisë” shkencore në UP është stafi i mësimdhënësve që sipas tij nuk kanë përgatitje profesionale për të qenë as në pozitat që i kanë.

“Është e vështirë, por jo e pamundshme, që njësitë akademike të UP-së të nxjerrin revista akademike kur ¾ e stafit akademik në UP nuk e meritojnë fare me qenë pjesë e këtij stafi. Për më shumë, për të pasur revista akademike, duhet që secila njësi akademike në UP të ketë bibliotekat e veta me literaturën më bashkëkohore dhe të parapaguhet në revistat akademike ndërkombëtare. Po ashtu, duhet që profesorët që do të publikonin në këto revista akademike të motivoheshin”, theksoi Gashi.Rinor Qehaja thotë se iluzioni më i madh që ekziston për UP-në është ai i të thirrurit si një institucion shkencor. Sipas tij, parakusht që një universitet të ofrojë kontribut në shkencë është hulumtimi, parakusht për hulumtimin është një buxhet i lartë i alokuar për të, literaturë të qasshme dhe kapacitete njerëzore.“Në asnjë moment Universiteti i Prishtinës nuk ka poseduar me të mësipërmet, për rrjedhojë edhe revistat akademike të botuara nga UP, nuk ofrojnë ndonjë vlerë të shtuar në botën akademike, po më shumë paraqesin një instrument të mirë kontrolluar për proces të avancimeve akademike brenda institucionit”, theksoi Qehaja./jetaonline/