Shpallje

Qysh nga orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë gjithçka ishte kuq e zi. Po festohet 105 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.Por jo vetëm kaq. Shqiptarët e Kosovës kanë edhe ditë tjera. Është 20 vjetori i daljes publike të UÇK-së si dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.

Në sheshin kryesor të Prishtinës është hapur panairi tashmë tradicional “Unë blej shqip, po ju?”. Qytetarë anekënd Kosovës kanë ardhur në Prishtinë për të promovuar produktet vendore.E për festat e Nëntorit nuk ka se si të mos jenë prezent veshjet kombëtare, të punuara me dorë.Duda Sylejmani ka ardhur nga Prizreni që të ekspozojë punimet e këtyre veshjeve dhe pret që të shes shumë nga to.

“Unë e kam dyqanin në Prizren të teshave kombëtare, kam ardhur këtu për panair të organizuar më rastin e festes së 28 nëntorit . Tani për tani nuk kemi shtije të veshjeve më vone pritet të ketë, këto veshje i punoj unë vet”, tha Sylejmani.E Armond Gjeloshaj kishte ardhur nga Shqipëria për të ekspozuar prodhimet e qumështit.Ai thotë se ky panair ka një rëndësi të veçantë sepse organizohet bashkë nga dy shtetet.

Ndërkaq Era Subashi e cila ka ardhur nga Tirana tha se është hera e katërt që merr pjese në këtë Panair dhe se është e kënaqur me prezantimin e produkteve që i prodhon vet ajo.Përveç nga Kosova e Shqipëria, nga Australia e largët pas 18 vitesh kishte ardhur në Prishtinë edhe një shqiptar me prejardhje nga Ulqini.Rifat Divani thotë se ndihet shumë i kënaqur se si po kremtohet kjo festë dhe është pajisur më veshje të ndryshme nga panairi./jetaonline/