Shpallje

Sapo kemi hyrë në stinën e dimrit, në të cilën rrezikohet më tepër të kalohet në mbipeshë për shkak të pakësimit të aktivitetit fizik prej të ftohtit.

Nga ana tjetër, edhe konsumi i produkteve me shumë kalori, si gatimet me brumëra dhe me shumë yndyrë, fasulet, mishi, etj. bëjnë që të jemi më të predispozuar për të shtuar disa kile më tepër në këtë periudhë të vitit.

Shumë veta kërkojnë të ndjekin edhe dieta për të rënë nga shëndeti, mirëpo shpesh dietat janë të vështira për t’u ndjekur, pasi parashikojnë një ndryshim drastik të regjimit ushqimor.

Për këtë arsye, shumë specialistë të dietologjisë në botë rekomandojnë që ndryshimi i regjimit ushqimor të bëhet gradualisht, jo në mënyrë të menjëhershme. Ata sugjerojnë një dietë, në të cilën nuk duhet të mungojë kurrsesi orizi. Dieta me oriz përfshin gatime të ndryshme gjatë javës, por që përbëhen nga ky produkt ushqimor.

Përgjatë javës, ju duhet të konsumoni pesë vakte në ditë, nga të cilët tri duhet të jenë të pandryshuar : mëngjesi me një gotë qumësht dhe një filxhan xhaj (evitoni konsumin e kafesë), vakti i paradites, pra midis mëngjesit dhe drekës, dhe vakti i pasdites midis drekës dhe darkës.

Në të dy këto vakte duhet të konsumoni fruta. Ndërkohë në vaktin e drekës dhe darkës duhet të bëni ndryshimet në gatimet me oriz.

Mënyra se si mund t’i organizoni gatimet mund të jetë e ndryshme në ditë të ndryshme, sipas dëshirës suaj, por përpiquni që përherë ta ndryshoni gatimin.

Një herë bëni pilaf, një herë gatuajeni si supë, herë të tjera bëni tavë me domate dhe speca të mbushura me oriz etj. Fatmirësisht, ne kemi plot gatime tradicionale me orizin, gjë që do t’ju japë mundësi të gatuani produkte të ndryshme.

Duhet të keni parasysh të mos harroni të shtoni zarzavatet në dietën tuaj. Drekën dhe darkën nuk duhet ta konsumoni vetëm me oriz. Organizoni njërin vakt me gatimin me oriz dhe vaktin tjetër duhet të konsumoni diçka tjetër të shëndetshme, si perimet e ziera, sallata jeshile, brokoli, etj.

Bëni kombinimet sipas dëshirës suaj, por duke mënjanuar ushqimet me shumë yndyrë, brumërat dhe perimet e skuqura. Përveçse janë armiqtë më të mëdhenj të shëndetit, ato përmbajnë shumë kalori dhe bëjnë që të shtosh më lehtësisht në peshë, ndaj largojuni atyre sa më parë.

Mos harroni edhe të konsumoni shumë lëngje, si lëngjet e frutave, apo produktet e bulmetit si kosi apo qumështi.

Gjithmonë shikoni tabelën e kalorive që përmban çdo produkt që blini dhe mos u tundoni nga dëshira juaj për të konsumuar gjërat që pëlqeni, por të konsumoni ato që duhen për të rënë në peshë.

Në fund të kësaj diete trupi juaj do t’ju falenderojë. Dieta mund të zgjasë për aq kohë sa ju të dëshironi, pasi nuk sjell probleme në shëndet, por dietologët rekomandojnë të jetë afatgjatë. Që në muajin e pare do t’i shihni ndryshimet e peshës tek vetja juaj. / Bota.al