Shpallje

Një burrë 33 vjeçar shqiptar nga Kosova është vrarë natën e së enjtes në Vjenë, pasi është sulmuar me thikë nga dy burra të panjohur.

Ai ishte duke ecur me një grua 44 vjeçe kroate në kohën kur është sulmuar nga dy burra të panjohur, të veshur me rroba të zeza, ka thënë një burim policor për orf.at.

Sipas Indeksonline, personi i vrarë me iniciale Sh.A. është me prejardhje nga fshati Shtedim i Podujevës.

“Dy burrat e përmendur, sipas gruas dëshmitare, e kanë sulmuar 33 vjeçarin pa i thënë asnjë fjalë dhe e kanë therur, sipas të gjitha gjasave, me thikë”.

Viktima ka pësuar një plagë të rëndë në gjoks, dyshohet nga goditja me thikë, thonë në polici, transmeton albinfo.ch. Pastaj ai është transportuar për në spital, ku si pasojë e plagëve, ka vdekur pas dy orëve. Sulmuesit e dyshuar kanë ikur në drejtim të Stacionit Kryesor Hekurudhor.

Motivi i vrasjes është ende i panjohur ndërsa të dyshuarit po ndiqen dhe ndaj tyre po zhvillohen hetime për vrasje të rëndë.

Policia me këtë rast kërkon ndihmë edhe nga qytetarët. “Dy dorasit e panjohur kanë qenë të veshur me të zeza dhe në kokë kanë pasur edhe kapele të zeza. Janë të gjatë rreth 180 cm”.

Policia austriake dyshon se vrasja është kryer nga dy shqiptarë nga Maqedonia.

Arsyeja që ka shpier me këtë akt tragjik dyshohet të jetë një sherr i mëhershëm mes dy palëve./DardaniaPost