Shpallje

Këtë të premte, në Komisionin e Ligjeve mazhoranca ka përjashtuar 4 nga 7 kandidatët për Prokuror të përkohshëm. Ndërkohë që ka lënë në garë vetëm tre emera: Arta Marku, Ferdidand Elezi dhe Ermira Tafani.

Lëta janë profilet e 3 kandidaturave të mbetura për Kryeprokurorin e përkohshëm:

Arta Marku, 41-vjeçe nga Puka, prokurore në rrethin e Shkodrës është një nga kandidatët për kryeprokuror të përkohshëm.
Marku ka mbarur në vitin 1999 shkollën e lartë në Shkodër, ndërsa Magjistraturën në 2001 dhe ka një eksperiencë prej 15 vitesh si zv/prokurore e këtij rrethi.
Bashkëshorti i saj punon si Oficer i Policisë Gjyqësore (OPGJ) për qarkun Lezhë, Shkodër dhe Kukës. Marku përgjatë karrierës së saj 15-vjeçare në Prokurorinë e Shkodrës, nuk ka hetuar asnjë dosje të bujshme. Ndërkohë që në media ka qarkulluar lajmi se 41-vjeçarja është propozim i kreut të Komisionit të Ligjeve dhe deputetit të PS, Ulsi Manja. Ky i fundit e ka mohuar diçla të tillë.

Ferdinand Elezi ka kryer funksionin e prokurorit që prej vitit 1999, kur është emëruar në detyrën e drejtuesit të prokurorisë së rrethit Kavaje deri në vitin 2002. Pas kësaj detyra ai ka qenë zëvendësdrejtues i Prokurorisë së rrethit gjyqësor Durrës deri në vitin 2005, kur është emëruar drejtues i Prokurorisë së Apelit në Tiranë.

Prej vitit 2006 e në vazhdim, Elezi ushtron funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Apelit Durrës.

Ndërsa për Elezin është aluduar se ka mbështetjen e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako i cili është duke lobuar fuqishëm që mazhoranca socialiste të votojë atë si kryeprokuror të ri të përkohshëm.

Ermira Tafani, 45 vjeç, për momentin është prokurore në prokurorinë e rrethit Elbasan. Ajo është diplomuar në Universitetin Aleksandër Xhuvani në Elbasan. Tafani ka dhënë mësim në këtë universitet qysh nga viti 1998 deri në vitin 2012. Po ashtu Tafani punon si prokurore në “Shoqërinë shqiptare-amerikane të Ligjit’ qysh nga viti 1995. ©Lapsi.al