Popullorja, populistja, folku, dashuria dhe Lëvizja

“Popullore” dhe “populiste” janë dy terma që nuk mund të barazohen, edhe pse ato shpesh keqpërdoren. Të thuhet që dikush është popullor sepse bindjet dhe veprimin i ka në një linjë me vullnetin e shprehur dhe aspiratën e një populli, nuk do të thotë që personi është edhe populist. Një prej dallimeve kyç mes personit popullor dhe atij populist, është që populisti përdor frikën dhe dëshirat e vogla të një populli, pa besuar në to, për interesa të ngushta pushteti. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka qenë kurrë populiste. Po të kishte qenë e tillë nuk do të ishte themeluar kurrë, pasi në Kosovën e pasluftës, pas tradhëtisë së çështjes kombëtare që bënë partitë e dala nga lufta, dhe pas vendosjes së një sistemi neokolonialist ndërkombëtar, mbizotëronte frika për të thënë të vërtetën dhe ngarendja pas interesit të ngushtë personal, në dëm të idealeve dhe aspiratës kombëtare. Prandaj, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë dhe mbetet Lëvizje popullore që gëzon popullaritet! Kjo i tremb kundërshtarët tanë politikë.

Termi “folk” e ka prejardhjen nga gjuhët gjermanike dhe anglo-saksone, dhe është një term që i referohet popullit, njerëzve të thjeshtë, ose vetë kombit. Për pasojë “Folku” dhe “populli” janë përdorur edhe si terma të ndërshkëmbyeshëm. Por nëse do të bënim një dallim mes “folkut” dhe “popullit”, i pari do të lidhej më shumë me identitetin, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore dhe materiale të një kombi, ndërsa i dyti do të lidhej më shumë me angazhimin politik. Çdo angazhim masiv popullor ka brenda të njëjtit vektor edhe “popull” edhe “folk”, pra edhe politikë edhe përbashkim shpirtëror. “Folku” brumos dashurinë e çdo njeriu për popullin dhe atdheun e vetë përmes folklorit – kulturës dhe trashëgimisë popullore – të dalë nga vetë populli. Partikularja shqiptare, e shprehur përmes folklorit, është forma me përmbajtje që shpresh vlerat universale të kombit shqiptar. Universalja nuk është e zbrazët. Këtë e ka kuptuar mirë, dhe që herët, edhe UNESCO, që ka listuar trashëgiminë kulturore materiale shqiptare – Gjirokastrën, Beratin dhe Butrintin – si vendndodhje unike të trashëgimisë botërore, por me vlera universale. Dhe njëlloj ka vepruar UNESCO edhe kur e ka listuar iso-polifoninë shqiptare si pjesë të trashëgimisë shpirtërore botërore me vlera për gjithë njerëzimin.

Të tentosh të anulosh një shprehje si të pavlerë, pa u marrë me domethënien e saj, dhe vetëm nga që buron prej folklorit të një populli, është të tentosh të anulosh vetë “folkun”, për pasojë edhe vetë popullin. Në thelb kjo është tentativë për të eliminuar dashurinë e farkëtuar përmes përbashkimit shpirtëror. Populli e di që folklori dhe turbo-folku (degradimi i folklorit) nuk janë e njëjta gjë. Analisti i pushtetit antipopullor, dhe ata që e mendojnë si ai, edhe kur e dinë këtë gjë nuk duan ta pranojnë. Analisti i pushtetit anitpopullor preferon gjithnjë të merret vetëm me interesin e ngushtë individual, jo me aspiratat kolektive. Analisti i pushtetit antipopullor tenton të shfaqet përherë si njeriu racional i përllogaritjeve, i atyre llogarive që bëhen me letër e laps, por përherë në kurriz të popullit! Përllogaritjet pa dashuri përfundojnë vetëm në interes të ngushtë personal. Të ishte vetëm çështje llogarish, shqiptarët nuk do e kishin shpallur kurrë Pavarësinë në vitin 1912. Të ishte vetëm çështje llogarish, UÇK-ja nuk do të ishte themeluar kurrë. Të ishte vetëm çështje llogarish, Lëvizja VETËVENDOSJE! as nuk do të kishte ekzistuar. Me rritjen dhe zhvillimin e saj, Lëvizja ka dëshmuar se kush merret vetëm me llogari, nuk i dalin asnjëherë hesapet.

Bashkimi kombëtar nuk mund të jetë vetëm çështje llogarish të ftohta me letër dhe laps. Ai është pikë së pari çështje dashurie për popullin dhe atdheun, dashuri për njeri-tjetrin dhe për lirinë kolektive. Nësë do të ishtë vetëm çështje llogarish, pa dashuri, atëherë dikush mund të dilte edhe në konkluzionin se do të ishte më mirë nëse Kosova bashkohej me një superfuqi botërore, dhe jo me Republikën e Shqipërisë. Në bashkimin me superfuqinë, njëmend mund t’i dilnin llogaritë dikujt në nivel personal. Ama, kjo lloj llogarie do të ishte degjenerim i përpjekjes për liri kolektive dhe sovranitet. Do të ishte aneksim nga një shtet tjetër, por jo edhe bashkim për çlirim dhe emancipim.

Lëvizja është e ndërtuar mbi dashurinë, dhe e faktorizon dashurinë në çdo llogari që bënë drejt përmbushjes së aspitarës kombëtare. Prandaj, Lëvizja nuk ka vetëm Program Politik dhe Statut, por i tha edhe mbështetësve të saj në fushatat zgjedhore të zhvilluara sivjet në Kosovë se ndryshimi bëhet ME ZEMËR!