Mbrapaskenat e një “faksioni”

Shkruan: Boiken Abazi

E duan, plasën, vdiqën të kenë një fraksion të vockël antistatutor brenda Lëvizjes, që është sa i pabazë aq edhe pa bazë (mbështetje nga poshtë). Por m.q.s nuk ka mbështetje nga poshtë, atëherë në të vërtetë po flasim për faksion, jo fraksion. Fraksioni normalisht do shtrihej vertikalisht, në gjithë orgnizatën, por ata njëherë kanë vetëm një mini faksion, i cili ka shtrirje horizontale, dhe prek vetëm disa deputetë, aktivistë me pagë në Lëvizje, dhe miqtë e familjarët e tyre. E ç’tjetër të kërkojnë tani që u vajti bosh sulmi për të marrë drejtimin e Lëvizjes?! Duan fraksion, por njëherë kanë faksion. Duan fraksion sepse shpresojnë shumë të bëjnë negociata të mëdha me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, jashtë organeve vendimmarrëse, për të tentuar kushtëzimin për poste, për vende në lista në zgjedhjet e radhës, për paga e privilegje, për të punësuar brenda Lëvizjes e për t’u ushqyer me fondin e Lëvizjes, e kështu me radhë. Kjo e fundit të sjellë në mendje mënyrën se si rriten bimët kacavjerrëse, ose shushunjat, që mbështeten/ushqehen duke përdorur organizma të tjerë të shëndoshë.

Sigurisht lajmin për fraksion (që në fakt është thjeshtë faksion) e nxjerrin sot një herë, përmes një gazetari në një intervistë “të rastësishme”, me një “pyetje të rastësishme” që bëhet nga gazetari, me një titull të “rastësishëm” që i vihet intervistës, titull që në fakt nuk ka asnjë lidhje me përgjigjen që gazetari ka marrë për pyetjen. Këtë taktikë të fundit mediatike e bëjnë që mos të merret vesh që kanë shumë muaj që e kanë planifikuar këtë gjë, sepse kishin frikë që mund të dështonin dhe të mos imponoheshin dot për ta çuar para planin e tyre që tentonte minimin e demokracisë së brendshme, për të parandaluar kandidimin e Albin Kurtit për kryetar. Dhe m.q.s kandidimin nuk e ndalën dot, edhe pse tentuan me gjithë ç’kishin si arsenal, do vazhdojnë të sulmojnë Albini Kurtin (kot së koti) për të justifikuar kërkesën për krijimin e fraksioni (lexo “faksionit”) të tyre. Nuk e thanë këtë gjë që në fillim dhe haptazi, edhe pse e kanë përmendur idenë e fraksionit, një herë si “shkarazi”, në një takim informal me Visar Ymerin, në korrik të vitit 2017. Nuk e thonin dot hapur brenda organizatës apo në publik, se kur synon manipulimin e opinionit publik, “nuk bënë” të thuhet gjithçka hapur e që në fillim, se publiku mund të tronditet e të të kthehet kundër. Prandaj, e përgatisin publikun gradualisht, me hapa, që të mësohet publiku gradualisht me idenë, jo menjëherë… Eh këto taktika të lodhura!

Sakaq, në publik mbase edhe zhvillojnë retorikën se po e bëjnë gjithçka nën flamurin e tyre të luftës ndaj termit bosh: “linçim”. Sepse, për më tepër, deri tani nuk kanë arritur të artikulojnë, e as të bien dakord me njëri-tjetrin, brenda faksionit, se cilat do jenë dallimet programore me Lëvizjen që të justifikojnë një ditë fraksionin. Madje po shpresojnë që në ditën në vijim të shpikin ndonjë dallim rrugës, të kapen diku, more ku të munden, që ta shfrytëzojnë si pretekst për të justifikuar faksionin me qëllim fraksionimin, që mos të kuptohet që e kanë vetëm per poste e privilegje. Kjo nuk ka të bëjë me lirinë dhe liberalen, por me pushtetin dhe materialen. Mundet edhe të vazhdojnë pastaj me përrallisje të tipit “kjo ndarje në fraksion është në emër të unitetit”, apo “me fraksion është bukur, pasi me fraksion është edhe moda në Evropë”, pikërisht nga që Lëvizjen e shohin si parti e jo si lëvizje shoqërore e qytetare. E thënë mbase ndryshe, nga ana e tyre, mund të shtrohej se duan ndarjen me fraksion (edhe pse e dime që është thjeshtë faksion) në emër të unitetit, që mos të thonë të vërtetën që unitetin ndaj programit e organizatës së Lëvizjes ka kohë që nuk e kanë si synim. Ata thjeshtë njëherë nuk janë gati të formojmë parti më vete, se nuk kanë bazë – këtë ata shpresojnë ta realizojnë në një tjetër kohë.

Do mund ta vazhdojnë përrallisjen për mënyrën se si shumë parti progresive në Perëndim kanë fraksione, edhe pse Kosova, për sa i përket zhvillimit politik dhe ekonomik të saj është e pakrahasueshme me cilindo vend Perëndimor. Por kjo nuk ka rëndësi per ta, sepse ata nuk harrojnë postet brenda Lëvizjes, pagat, privilegjet, një ditë shpresojnë ndarjen e posteve qeveritare, etj. Edhe pse Perëndimi, e shume vende të tjera, ka kohë që ulëret se ka krizë të përfaqësimit me partitë e fraksionuara të veta, as kjo nuk ka rëndësi, sepse “analistët” e pushtetit në Kosovë do t’i dalin në mbrojtje faksionit, si të ishte me të vërtetë fraksion, edhe pse antistatutor e antiprogramor, në emër të “demokracisë”.