‘Kriza’ që filloi si fushatë kundër Albinit në 2016-tën

Shkruan: Valdrin Ahmeti

Dorëheqistët po ankohen se çdo kritikë është linçim. Me logjikën e Blerim Latifit, ata pohojnë se baza e VV është llum linçues dhe Albini diktator. Sipas tyre i vetmi kolektiv demokratik qenka grupi i vogël i disa të punësuarve në majat e hierarkisë së Lëvizjes.

Mirëpo fakti është se linçimet, shpifjet, sharjet e fyerjet, pikërisht me stil të PDK, të Buzhalëve, Xharrëve e Latifëve, i ka bërë dhe i bën pikërisht ai grup, i mbledhur në formë klike rreth ish-sekretarit, Dardanit. Këta që ankohen për linçime e absolutizëm, e kanë ditur moti planin e Dardanit dhe ia kanë rrahur shpinën për kohë të gjatë.

Unë e Dardani, kishim mbi 6 muaj që nuk ishim takuar e diskutuar gjatë. Herën e fundit kur u takuam me të ishte 31 mars 2016. Aty ishte i pranishëm dhe Arbër Zaimi, dhe ia thamë me dhjetëra kritika për një klikë të burokratëve, 7-8 veta që kontrollonin gjithçka e që kishin krijuar rreth të mbyllur e përjashtues. Ne mendonim se këto kritika Dardani mund të mos i dinte ndaj dhe folëm me të. Këto kritika Arbëri më pas i ka diskutuar në mënyrë transparente, gojarisht por edhe me email me Visarin, Albinin madje edhe me aktivistë të klikës, si kritika konstruktive.

Dardani në takim tha se u pajtua me 99% të kritikave, mirëpo tha se nuk shihte zgjidhje. Që prej asaj kohe unë e Dardani jam takuar vetëm kalimthi nëpër koridore të zyreve, në situata të sikletshme si dita kur u arrestuan aktivistët tanë (29 gusht) e protestën e 1 shtatorit. Të gjitha situata që kërkonin zgjidhje akute. Të gjithë shprehnim gatishmërinë për cfarëdo që do të ndodhte. Të paktën ashtu më dukej atëkohë. Më vonë mësova që Dardani nuk kishte marrë pjesë në protestë më 1 shtator, për më shumë, kishte thirrur portalin policor indeksonline që të shkonte në zyrë, ta fotografonte dhe të bënte lajm mospjesëmarrjen e tij ne protestë. Për çfarë arsye na la të gjithëve vetë kurrë nuk e kuptova.

Gjatë gjithë kësaj kohe, ndaj meje filluan të ndodhnin disa gjëra “të pashpjegueshme”. Edhe pse mbaja detyrën e kordinatorit të aktiviteteve, filluan të organizonin aktivitete pa më njoftuar fare. Në zyrë anëtarët e klikës nuk flisnin, por komunikonin me viber në prezencën time. Detyrat e mia nuk m’i ngarkonin mua, por dikujt tjetër, më shpesh Gëzon Kastratit. Ky përjashtim de fakto, ishte reagimi i këtyre “demokratëve” ndaj kritikave të mia. Po ashtu gjatë kësaj kohe filluan një fushatë shpifjesh ndaj meje, por edhe ndaj Arbërit. Për mua thoshin se unë paskam vjedhur një kerr në 2010, rast i cili ka qenë gjatë dhe pas fushatës zgjedhore 2010 kur unë e kam mbajtur për disa muaj një një kerr të Lëvizjes për të shkuar në shtëpi dhe njëkohësisht herë pas here e kam përdorur për nevoja personale (gjë që ka qenë totalisht e gabuar). Unë nuk kam pasur leje zyrtare për përdorim të kerrit, dhe më pas e kam pranuar vendimin e komisionit disiplinor për dënim pa u ankuar në asnjë organ tjetër të Lëvizjes. Jam aktivisti që është dënuar më rëndë, megjithatë nuk jam idhnuar me Lëvizjen. Poashtu jam i vetmi që i kam njoftuar të gjithë aktivistët në atë kohë për gabimin tim, pa pritur që vendimi i komisionit të bëhet i plotfuqishëm. Pas kësaj vetë Dardani më patë drejtuar në sekretariatin për ngritje fondesh, e më vonë më patë emruar si drejtues i departamentit të mbrojtjes së votës dhe drejtues të aktiviteteve e aksioneve në Lëvizje, pavarësisht se vendimi i komisionit e ndalonte këtê gjë. Pas meje, filluan edhe shpifjet ndaj Arbër Zaimit, kinse që nuk vjen në zyrë, edhe pse ai për shkak të llojit të punës, punonte nga shtëpia me studim e shkrim tekstesh, siç kishte bërë gjithnjë. Madje këta që shpifnin për të kanë harruar se nuk i kanë lënë as zyrë Arbërit, dhe njëkohësisht mbi 2 vite e kanë lënë pa kompjuter në zyre.

Pas më shumê se 6 muajsh, saktësisht më 26 nëntor 2016, ish-sekretari Molliqaj, pas shumë këmbënguljeve të Arbër Zaimit që të na pajtonte mua e Dardanin, ai kërkoi të takohemi e të rrinim më gjatë. Na tha se e kishte marrë malli të rrinte me neve dhe na ftoi për birra. Takimin e filloi ngrohtë dhe bisedonim sikur të ishim takuar e kishim disktuar përditë për shumë tema.

Tha që pakënaqësitë dhe kritikat e mia ndaj klikës ishin të drejta, por ata ishin më shumë në numër. Tash i njëjti flet për arrogancë të numrave!

Tha që tash është koha që t’i lëjmë anash pakënaqësitë dhe kritikat se edhe ashtu ishte ky ‘problemi i madh’.

Ne u interesuam se ç’po ndodhë dhe a nuk ishte mbyllur ky problem tashmë (se edhe kështu na kishin thënë)?

Tha që i gjithë problemi kishte filluar se Albini i paska ofenduar shokët e shoqet e Dardanit. E pyeta se çfarë ishin ofendimet, tregoi për kritikën e Albinit për pabarëzinë, klikën, elitarizmin, e një grupi të aktivistëve që kishin pozitat drejtuese në sekretarit, që i binte vartës të Dardanit.

Biseduam gjatë edhe për Astritin, pasi ai që prej kur ndodhi ajo ngjarje këmbëngulte se ajo ishte vetëvrasje, gjë që na i tha edhe gjatë homazheve për Astritin. Në takimin e datës 26 nëntor na tha që nuk do të lejonte të flitej për Astritin si i vrarë sepse prej fillimit ishte i bindur që ai kishte bërë vetëvrasje. Pretendimi i tij ishte kundër mendimeve tona, por edhe kundër logjikës së thjeshtë. Në rrethanat si vdiq Astriti, fillimisht dyshohet e hetohet për vrasje, e nëse kjo nuk vërtetohet shihen opsionet e tjera. A nëse prej fillimit ky paska qenë i bindur për vetëvrasje, opsioni i vrasjes mbetet i pahetuar.

Tha që Albini do të mbetej i vetëm dhe pa organizatë sepse me Albinin po shihet që nuk po fitojmë. Sigurisht që ishte sa irrituese edhe shqetësuese kur këtë e thoshte sekretari organizativ.

Shau dhe ofendoi Albinin me fjalorin më të ulët dhe tha se Albini nuk e donte askënd dhe na i kujtoi 2-3 mospajtime tonat të mëparshme (mijat dhe Arbërit) me Albinin, që të na e vërtetonte se e kishte mirë. Ai si duket mendonte se fakti që Albini ka patur mospajtime me ne 2-3 herë dhe kemi debatuar me të, mjafton që ne të ishim kundër Albinit.

Tha se Lëvizja do të çahej nëse nga Lëvizja do të dilte ai dhe një grup i aktivistëve. Përmendi thuajse gjithë klikën dhe kur pa që e pamë me dyshim, shtoi në fund dhe emrin tim që të ndihesha pjesë grupit). Dorëheqjet e sotme ai i ka përmendur me emra që në nëntor 2016, prandaj nuk është e vërtetë se këto dorëheqje ndodhin si reagim ndaj kritikave të aktivistëve në facebook.

Iu lutëm që para të gjithash të dy ata, Dardani e Albini të shihnin mundësinë të tërhiqeshin e të mos i shkaktonin dëm Lëvizjes dhe se tashmë kjo nuk e dëmton vetëm Lëvizjen por gjithë kombin shqiptar. Na tha se s’kishte ç’të bënte dhe se ishte lodhur ‘duke lëshuar pe’ dhe se ai (Dardani) nuk e kishte ndërmend të tërhiqej dhe se ishte nje inatxhi i fortë.

E pyetëm se a e dijnë shumë persona për përmasat që kishte marrë ky problem. Tha se po, ai po flet me secilin, dhe se tashmë kjo nuk do të ndalej. I kërkuam të zgjidhej brenda organeve, por tha se skishte çfarë të zgjidhej brenda organeve, tashmë Albini ishte veç një deputet dhe nuk mund të vendosë asgjë në Lëvizje. Më vonë morëm vesh se që atëherë ai kishte ngarkuar me detyrë Gëzon Kastratin që të takohej me aktivistë e tu thoshte se Albini është diktator dhe i sëmurë nga paranoja.

Sigurisht që gjithë takimi ishte një dush i ftohtë për të dy ne (mua dhe Arbërin). Ky takim nuk ishte thjeshtë takim informues për atë çfarë po ndodhte por ishte takim rekrutimi kundër Albinit. Me lajka e ledhatime për të dy neve Molliqaj mendonte se sikurse ai, do ta donim më shumë veten se Lëvizjen. Në të njëjtën kohë kritikonte klikën për shpifjet kundër meje dhe Arbërit, duke thënë se janë fëmijë të papjekur që s’kanë asnjë përvojë pune jashtë Lëvizjes dhe nuk kanë arritur asgjë vetë prandaj janë xhelozë ndaj nesh.

Gjatë javëve dhe muajve në vazhdim kuptuam që me të njëjtat fjalë po vazhdohej kjo fushatë e pistë ndaj Albin Kurtit nga klika e tij duke takuar aktivistët.

Pas atij takimi, isha shumë i shqetësuar. Arbëri më tha të mos flas me askënd, por të nesërmen unë fola me Albinin, i tregova për këto, dhe i thashë të kujdeset sa më shumë. Që prej asaj kohe, Arbëri dhe unë u linçuam fyem e u shpif per ne edhe më shumë, paturpësisht, në të gjitha forumet e Lëvizjes, pikërisht pse ia prishëm planin e rekrutimit Molliqajt.

Kërkesat që ato që i ka thënë Dardani në atë takim të sqarohen në një takim më Visarin, nuk u morrën parasysh nga Visari. As e-mail-et ku kërkonim të ndaleshin shpifjet ndaj nesh në Lëvizje nuk e morën asnjë përgjigje nga ai.

Andaj, Visari i cili gjatë gjithë kësaj kohe i rrahte shpinën Dardanit dhe klikës së tij për linçimet fyerjet e shpifjet që i bënte ndaj Albinit e të gjithë tjerëve që nuk ishim në planin e tij, nuk mundet ky Visar tash të përballet me të gjitha këto fakte e argumente, prandaj dhe zgjodhi të ikte.