Shpallje

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së fundmi ka dërguar një kërkesë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo organizatë ka kërkuar që në Komunën e Prishtinës të ndërtohen përmendore për shtatë dëshmorë të rënë në luftën për liri të UÇK-së.

Kërkesën e kësaj organizate dërguar Kuvendit, e ka konfirmuar, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Migjen Shala.
“Po, kemi bërë kërkesë”, ka thënë ai.

Shala, i cili njëherësh është asamblist nga radhët e PDK-së në Komunën e Prishtinës, ndër të tjera ka theksuar se kanë kërkuar që në Prishtinë të ngriten shtatoret e komandantit legjendar Adem Jashari, shtatorja e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, Nuhi Berishës, Rexhep Malës si dhe shtatoret e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut.

Nuk është hera e parë që anëtarë të kësaj organizate kanë kërkuar që në kryeqytet të ngritën shtatore të figurave historike të UÇK-së.

Organizatat e dala nga lufta e fundit në Kosovë, tash e një kohë kanë kërkuar që në Prishtinë të ketë shtatore të komandantit Adem Jashari, për ta nderuar veprën e tij. Ndërkaq në anën tjetër, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë afat kohor se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë.