Shpallje

Qyteti i Shkodrës është tronditur paraditen e së shtunës nga një shpërthim eksplozivi në lagjen Rus, pranë tregut të qytetit.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur 8 persona, midis të cilëve dhe shënjestra e dyshuar e këtij atentati, Lulzim Kulla 42 vjeç, i cili ka marrë plagë të rënda, ndërsa 7 të plagosurit e tjerë kanë marrë dëmtime pa rrezik për jetët e tyre.

Lënda shpërthyese, rreth 300 gram tritol, ishte vendosur në një motor i cili ishte parkuar mes banesës së Kulles dhe mjetit të tij të parkuar pak çaste para shpërthimit. Aktivizimi i lëndës plasëse, që dyshohet se është realizuar me komandim në distancë, ndodhi kur Kulla u afrua për tu futur në banesë, çka sipas policise ngre dyshime se lëvizjet e tij janë survejuar nga organizatorët e atentatit.

Policia e mbërritur në vendngjarje ka ngritur një grup të posaçëm hetimi, ndërsa kanë mbërritur ekspertë edhe nga drejtoria e përgjithshme e policisë. Përveç provave materiale në vendngjarje, kanë nisur verifikimet e kamerave të sigurisë që ndodhen rreth vendngjarjes për të identifikuar së paku personin që ka parkuar motorin bombë. Dëshmitarë okularë tregojnë momentin e shpërthimit.

Lulzim Kulla është një person me precedentë të mëparshme penale dhe i skeduar nga policia e Shkodrës. Në qershor të vitit të kaluar ai u arrestua nga policia për kultivim të lëndëve narkotike në zonën e Dukagjinit, por u lirua sërish pas disa muajsh.

Ndërsa pas vitit 1997, Kulla është njohur edhe si i forti i Shkodrës, pasi dyshohet se ka qenë pjesë e disa grupeve kriminale në atë kohë.