Shpallje

Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e kryetarit të kësaj komune, Bekim Jashari, raporton ORAinfo.

Ky i fundit e ka akuzuar Lushtakun se ka ikur në Gjermani në vitin 1993 duke e lënë babin dhe mixhën e Jasharit në Kosovë.

Këto deklarata e ka mohuar Lushtaku duke thënë se Bekim Jashari ka qenë i ri dhe nuk e mban mend çfarë ka ndodhur. “Unë e respektoj familjen Jashari, Bekim ka qenë i ri në atë nuk e mban mend. Nuk i komentoj deklaratat e tij”, ka thënë për ORAinfo Sami Lushtaku.

Duke folur për akuzat e Jasharit se përkrahësit e Lushtakut po e bllokojnë punën e tij si kryetar i Skenderajt, Lushtaku ka mohuar se po e pengon ai. “Ai është kryetar i Komunës, jo unë. Asamblistët e kanë detyrën e tyre dhe i marrin vendimet vetë”, ka thënë Lushtaku.

Kujtojmë që gjatë ditës përmes një konferencë për media, kryetari i Skenderaj Bekim Jashari ka kritikuar asamblistët e PDK-së se po e pengojnë punën në këtë komunë, duke mos marrë pjesë në seancat e Kuvendit Komunal.

Madje Bekimi i cili është djali i Hamëz Jasharit e ka akuzuar Lushtakun se kishte ikur në Gjermani dhe i kishte lënë vetë babain  dhe xhaxhain e tij.

“Mu më befasoi fakti sot se pse 3 këshilltarët e AKR’së nuk erdhën që kanë qenë në seancën e fundit …pse iu bashkëngjiten këtij grupi… se Sami Lushtaku nuk më befason aspak, Sami Lushtaku edhe babën edhe migjen tem në  93’tën i ka lon, 5 vite ka ik në Gjermani. S’më befason ai,  sepse është po ai Samia që ka qenë atëherë”, ka thënë Jashari. /Alma Baxhaku/ORAinfo/