Shpallje

Policia Rajonale e Ferizajt rreth mesditës të së mërkurës, ka intervistuar një zyrtar komunal (R.B) si të dyshuar për keqpërdorim të pozitës dhe të hapësirës brenda komunës. I intervistuari dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një të mitur.

Kryetari i komunës së Ferizajt Agim Aliu ka marrë masa dhe e ka suspenduar nga puna këtë zyrtar. “Kryetari i komunës ka marrë masa dhe e ka suspenduar një zyrtar komunal të komuniteteve për keqpërdorim të detyrës derisa dyshohej se ka shfrytëzuar hapësirat e komunës për marrëdhënie seksuale”, ka thënë për Kohën Ditore zëdhënësi i komunës së Ferizajt Selim Marevci.

Ai më tej nuk ka dhënë detaje rreth kësaj ngjarje por ka treguar se kryetari i komunës Agim Aliu me kohë është zotuar se amoraliteti do të largohej nga institucionet publike. “Do të rritet niveli i disiplinës në çdo aspekt, ndërkaq për raste të tilla do të merren vendime të menjëhershme për suspendim nga puna”, ka thënë Marevci.

Ndërkohë, nëpërmjet një komunikate për media komuna e Ferizajt ka sqaruar se kryetari Aliu mori vendim për pezullim parandalues nga puna të zyrtarit komunal R.B .

“Gjatë ditës së sotme në objektin e Komunës së Ferizajt, është njoftuar ngacmim seksual i supozuar në vendin e punës ndaj të miturës me iniciale E.B. nga zyrtari komunal R.B. Me të marr një informacion të tillë, pas dëshmive të dëshmitarëve, kryetari Aliu ka marr vendim për pezullim parandalues nga puna të zyrtarit R.B.

me arsyetimin se zyrtari përkatës ka bërë shkelje të rëndë disiplinore, të paraparë me rregullativën ligjore në fuqi si dhe me qëllim që të ndërpritet vazhdimësia e shkeljes së rëndë disiplinore dhe ruajtjen e provave mori këtë vendim. Komuna e Ferizajt inkurajon organet e sigurisë dhe drejtësisë që të zbardhin detajisht këtë rast dhe përgjegjësit të vihen para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e Komunës.

Ndërkaq në Policinë e Ferizajt, kanë thënë se pas intervistimit i dyshuari është liruar derisa nuk ka ndonjë element të kësaj vepre.

“Prokurori dhe Policia e ka liruar të dyshuarin derisa nuk ka elemente të veprës penale, ndërkaq hetimet janë duke vazhduar. Komuna mund ta suspendojë zyrtarin sepse është çështje e tyre e brendshme, ndërkaq prokuroria dhe policia i kanë punët e tyre dhe rasti është duke u hetuar”, ka thënë Agim Gashi zëdhënës i Policisë Rajonale në Ferizaj.