Shpallje

Çfarë do të ndodhë më 9 shkurt në Kosovë?

Një seancë plenare e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të enjten, pritet të vazhdojë të premten, nga ora 11.

Seanca e së enjtes, në të cilën duhej të zhvilloheshin disa votime, është ndërprerë nga kryesuesi Xhavit Haliti, në mungesë të kuorumit.

Haliti ka kërkuar nga deputetet që të jenë të pranishëm në Kuvend, dhe ka paralajmëruar se do t’ju hiqen mëditjet nëse mungojnë.

Në të njëjtën kohë, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës pritet të mbajë konferencën e saj të përjavshme për media.

Kurse, më vonë, në Kuvend pritet të mbajnë mbledhje dy komisione parlamentare.

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen e tij, pritet të diskutojë për gjendjen e kompleksit memorial “Adem Jashari” dhe për një nismë legjislative për Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Pritet të marrë pjesë edhe drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës.

Ndërkaq, Komisioni parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike pritet të mblidhet për të shqyrtuar propozimet për emërimet e reja në Shërbimin diplomatik dhe për diskutuar për respektimin e kuotës së paraparë me ligj.

Të premten, Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me UNDP-në, do të shënojnë në Prishtinë me një aktivitet Ditën ndërkombëtare të numrit emergjent 112, me qëllim sensibilizimi dhe vetëdijesimi.

Po ashtu, në Prishtinë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizon tryezën me temën “Luftimi i informalitetit: Hapat e deritanishëm dhe rruga përpara”.

Do të diskutohet për përpjekjet e institucioneve të vendit gjatë këtyre dhjetë viteve për luftimin e ekonomisë joformale dhe rekomandimet se si të arrihet një efektshmëri më e lartë në këtë aspekt.

Gjatë ditës, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, do të zhvillojë dy vizita.

Fillimisht, ai do ta vizitojë komunën e Deçanit, pas përmbytjeve që kanë ndodhur nga të reshurat, për ta parë situatën dhe dëmet e shkaktuara.

Po ashtu do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Deçanit

Më vonë, Lekaj do ta vizitojë komunën e Junikut, e cila po ashtu është prekur nga vërshimet.

Në Junik gjithashtu do të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës.