Shpallje

Ndeshja e vetme që u zhvillua sot në Vala Superligën e Kosovës në Skënderaj në mes Drenicës dhe Gjilanit, përfundoi me fitoren e vendasve me rezultat minimal 1-0, me golin e Kreshnik Ukës në minutën e 62-të.

Mirëpo pak çaste pa përfunduar ndeshja, filluan tensionet në mes tifozerive, ku pati edhe lojtarë që e pësuan.

Më së shumti e pësoi lojtari i Drenicës, Taulant Dajaku, i cili derisa ishte pranë kornerit, u godit në kokë prej gjësendeve që u hodhën nga tribuna ku ishin të pranishëm tifozët e Gjilanit.

Situata më pas eskaloi pasi tifozët u futën në fushë dhe gjyqtari pa e përfunduar zyrtarisht ndeshjen, i drejtoi lojtarët drejt zhveshtoreve.

Përleshja në mes dy tifozerive në stadiumin e Drenicës, na kthen përsëri në momente ta pahijshme kur futbolli llogaritej si gjithçka tjetër, përpos një ndeshje sportive. Në duele sportive ka fitues por dhe humbës, mirëpo pa dyshim që pamjet e tilla lënë shumë për të dëshiruar. /BotaPress