Lumi Sitnica ka dalë nga shtrati i tij edhe në Komunën e Mitrovicës. Deri në momentet e dërgimit të këtij raporti, uji i dalën ga ky lum ka vërshuar dhjetëra hektarë tokë buke në Frashër, dy shtëpi dhe dy ferma po në këtë fshat, raporton Botapress.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Mitrovicës, Musa Dragaj, tha për Botapress se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë dalë në terren për të parë gjendjen dhe se kanë marrë masat e nevojshme të mobilizimit për tu përballur me problemet e vërshimit.

“Deri tash janë vërshuar nga Sitnica dhjetëra hektarë tokë të punueshme, nja dy shtëpi dhe në dy biznese uji ka arritur deri në oborr, por që nuk ka pasoja të mëdha. Ne jemi të gatshëm të përballemi me vërshime në këto nivele të tashme. Mund të përballojmë edhe vërshime më të mëdha, por shpresojmë se nuk do të ketë të reshura gjë që do të na e lehtësonte punën”,tha ai.

Sipas tij, Komuna ka mobilizua operatorin për raste emergjente i cili është në gjendje gatishmërie, vendstrehimin për personat që eventualisht duhet të evakuohen, ka angazhuar edhe ekipin e zhytësve, që është në gjendje të plotë gatishmërie për shpëtimin e qytetarëve nëse ka nevojë, si dhe ka sigurua ushqimin dhe batanije të mjaftueshme nëse paraqitet nevoja./Botapress/Hysni Syla

SPONZORIZIM: Për shpallje të vogla që nga viti 2000, vizitoni www.SHPALLJE.biz