Shpallje

Lumnije Thaçi, bashkëshortja e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka folur për herë të parë pas lajmit për zgjedhjen e saj si Prodekane në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Universitetit të Mitrovicës ‘ Isa Boletini’, raporton Kallxo

Thaçi u zgjodh në këtë pozitë me propozimin e Dekanit të këtij fakulteti, Hakif Zeqiri, i cili propozim kaloi në Këshillin e Fakultetit dhe më pas në Senat.
Thaçi në një prononcim për Kallxo tha në fillim nuk kishte pasur dëshirë të pranonte këtë pozitë.

“Ka qenë kërkesë e Dekanit pasi ka qenë vakante kjo pozitë për shkak të numrit të studentëve të shumtë. Kam qenë e detyruar, jo me pëlqimin tim, nuk e kam marrë me pëlqimin tim për shkak të angazhimit shumë të madh që e kemi me ligjërata mirëpo e kam parë të arsyeshme, pasi jam pjesë e stafit të jem e angazhuar edhe në këtë drejtim”, tha Thaçi.

Ajo po ashtu deklaroi se fakti që është Zonja e Parë e Kosovës, nuk ka ndikuar për të marrë këtë pozitë.

“Ndikim nuk ka fare për shkak se unë krejt jetën time ja kam kushtuar arsimit dhe krejt këtë që e kam arritur, shumë ose pak është 100 përqind punë e imja, angazhimi im. Do të mundohem të jap angazhimin tim maksimal, jam duke u marrë me hulumtime shkencore”, tha Thaçi.

Prodekanja e sapozgjedhur komentoi po ashtu procedurën e pranimit të saj si staf akademik në Universitetin e Mitrovicës vitin e kaluar.

“Kur kam kuptuar që këtu ka konkurs për pranim të profesorëve, ka qenë dy ditë pa u mbyllur konkursi kur kam ardhur dhe nuk kam hezituar të konkuroj për shkak se kam një përvojë shumë të mirë nga Kolegji ‘Fama’, në Mitrovicë lidhur me studentët. Me ardhjen time në këtë universitet publik jam duke kaluar shumë mirë dhe jam shumë e kënaqur me studentët dhe mundohem që studentët të jenë të kënaqur me punën time”, tha Thaçi./DardaniaPost