Shpallje

Shkruan: Shqipe Pajaziti

“Hajt se ta kallxoj unë ty qefin masi të shkojnë këta”, janë këto fjalët e kunatit drejtuar krye-familjares që rrit dy fëmijët, babai i të cilëve nuk jeton që tri vjet.

Nuk ka përkrahjen e askujt, edhe pse përreth saj jetojnë gjithë vëllezërit e bashkëshortit të saj të dikurshëm.

Kërcënimin ai po ja bënë më 8 Mars, Ditën e Gruas, teksa po e paralajmëron se do i ndodh diçka sapo ekipi i gazetarëve të largohen nga aty.

Ajo mes-lotësh thoshte se gjithmonë ishte pa përkrahje që nga vdekja e bashkëshortit të saj.

Një javë më parë kur temperaturat kishin arritur gati deri në – 20 gradë Celsius, shtëpinë ku po strehonte dy jetimët, i’a vërshoi uji.

Pikërisht në kohën kur e kishte dert se si t’ua siguronte edhe bukën e gojës.

Çka shihej sot në atë shtëpi ishin muret e lëna zbathura, orenditë të kalbura e librat e fëmijëve të lagura, të lëna nëpër tokë.

E në kohën kur gruaja me inicialet E. A mes lotësh po fillonte rrëfimin për shtëpinë e saj të marrur nga uji, dëgjohej zëri i kunatit duke ardhur në drejtim të shtëpisë.

Bërtiste ai.

“Cka je tu bo, a bon me dit cka je tu bo”, ishin fjalët e kunatit, i cili po frikësonte fëmijët që rrinin prapa nënës duke qarë.

Pas këtyre fjalëve largoi me forcë edhe kameramanin e Tribuna Channel nga shtëpia, madje e kërcënonte që do e thyente edhe kamerën nëse nuk do të bindej për tu larguar……

Shtëpia gumonte nga zërat e fëmijëve të cilët qanin gjatë tërë kohës, e trupi i tyre po dridhej nga i ftohti.

“ Po pse bre agë spo m’len me fol, a fole ti vet të shtunën”, përpiqej gruaja me fytyrë të zbehur që të bindte kunatin e saj.

“Nuk po më intereson, të njoh unë ty, keni qef aty me dal në facebook’a”… ja kthente vazhdimisht me ton të lartë ai.

Pas daljes së kameramanit njëjtë më largoi edhe mua. Me forcë më kapi për krahu e më qiti jashtë.

Aty qëndronte edhe djali i vëllait të E. A, i cili e kishte pranuar hallën në shtëpi përkohësisht, ngase në këto ditë të ftohta ajo nuk dinte as çfarë qare t’i bënte vetës e fëmijëve të saj.

Mundohej gjatë tërë kohës ta bindte kunatin e hallës së tij, që ta ul zërin e mos të sillej keq me të, por, atij, as që i bëhej vonë.

Kishte përballë tri gra, e si dukej me atë zë të lartë kishte vendosur t’i frikësojë, e të tregojë trimëri.

Ashtu dolën të gjithë jashtë, edhe fëmijët e gruaja, të cilët asnjëherë nuk i ndalën lotët.

Përreth shiheshin gratë e tjerë që po dilnin të shikonin se çfarë po ndodhte jashtë, nuk dukeshin që po ndjenin keqardhje për këta fëmijë e një grua të vetme.

Nëse po, do dilnin ta mbronin atë.

Në këtë shtet, raste si këto po bëhen normale.

Gratë vazhdojnë të keqtrajtohen e mos të konsiderohen as si njerëz.

Drejtoresha e Qendrës për Barazi Gjinore, Luljeta Demolli thotë se shteti nuk punon aspak me dhunuesit.

“Shteti nuk po punon aspak me dhunuesin aq sa duhet , në raste të tilla në vendet normale punohet shumë edhe me atë që është i predispozuar të ushtroj dhunë në familje, të punohet, të trajtohet”… shtoi ajo për Gazetën Tribuna.

Sipas saj, mjerisht në Kosovë ende gruaja është e shkelur dhe inkurajimet e grave shpesh herë po kanë kundër-efekt në familje.

Nuk është kjo gruaja e vetme që keqtrajtohet, shumë prej tyre edhe i kanë vrarë.

Demolli thotë se sot në marshim ishte një emocion i madh kur shiheshin pankartat me emrat e Shyhretës, Dianës dhe Zejnepës.

Të parën kunetërit e larguan nga shtëpia kur i vdiq bashkëshorti, Zejnepen e vrau bashkëshorti e Dianën e vrau ish – bashkëshorti. Në rastet e tyre nuk foli kurrë drejtësia. Jo vetëm këto raste.

Kjo është Kosova e lirë, ku 15 gra janë vrarë për vetëm 10 vite. E vetëm vitin që kemi lënë pas, mbi 2 mijë raste të dhunës në familje janë paraqitur në Polici, duke mos harruar ato raste që nuk guxojnë të raportojnë.

Ligjet dhe zbatimi i tyre asnjëherë nuk janë në të mirën e gjysmës së popullsisë, grave.

Ndërkohë deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë zgjedhur të përkrahin fushatën e Albana Osmanit nga Shqipëria. Kjo ndodhi më 8 Mars, teksa po mbahej seanca për dhunën në familje.

Ata veshën bluzat e fushatës “Ti je një luledielli”, që merret me fëmijët në nevojë. Nuk duhet harruar, që ambasadore e kësaj kauze në Kosovë është bashkëshortja e kryeministrit të Kosovës, moderatorja Anita Haradinaj. Me këtë fushatë ato shesin bluza dhe paratë duhet shkojnë për fëmijët me sëmundjet e gjakut.

#ekipi nuk ka mundësi ndërhyrjeje në raste të tilla familjare, atë duhet bërë institucionet, presim reagim meqë gruaja dhe fëmijët nuk kanë as kushtet elementare për jetesë e edhe kërcënohen nga personi i lartpërmendur.

Gruaja me fëmijët jetojnë në Podujevë. Për ata që duan të ndihmojnë mund të kontaktoni në numrat 045 993 111 ose 045 992 111