Shpallje

Shkruan: Fitore Pacolli

Ministria për Integrime Evropiane, në reagimin e saj ndaj letrës publike që Albin Kurti i ka dërguar kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj, po vazhdon të gënjejë qytetarët e Republikës së Kosovës. Në reagimin që i ka dëguar mediave Ministria ka gënjyer disa herë.

Fillimisht shkruan se si “qytetarët nuk kanë nevojë për konferenca e diskutime teorike” por duke lexuar tutje reagimin e kupton arsyen pse kjo Ministri nuk dëshiron që të ketë debat të hapur dhe diskutim të sinqertë me qytetarët.

Ministria gënjen qytetarët kur shkruan se kriteri i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është i përmbushur dhe se ratifikimi i demarkacionit duhet të ndodh sa më shpejt që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave, përderisa zyrëtarë të lartë të Bashkimit Evropian vazhdojnë të theksojnë se nuk do të ketë viza pa përmbushur kushtin kryesor që është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova, në konferencën e organizuar nga KFOS para disa ditëve, ku ishte e pranishme edhe ministrja znj. Dhurata Hoxha, tha se “për të fituar liberalizimin e vizave Kosova duhet të përmbush kushtin për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Eurodeputetja Tanja Fajon ka theksuar se “procesi i liberalizimit do të filloj vetëm në momentin kur të plotësohen të dy kushtet”.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker atë ditë kur ishte në vizitë zyrtare në Prishtinë tha se “Kosova duhet të luftoj korrupsionin dhe krimin e organizuar sepse edhe ky është kusht për liberalizimin e vizave” .

Përveç zyrëtarëve evropian edhe Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli pranon se “luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter për liberalizimin e vizave, ende nuk mund të konsiderohet i përmbushur”.

Ministria nuk e thotë të vërtetën edhe kur shkruan se “është krijuar një mjedis ligjor në përputhje me standardet Evropiane dhe kemi ofruar resurset financiare për sistemin e drejtësisë.” Raportet ndërkombëtare konstatojnë se “korrupsioni mbetet i përhapur në shumë sfera dhe vazhdon të mbetet problem serioz …efikasiteti i hetimeve vazhdon të pengohet nga ndërhyrjet politike” (Progress Report, 2016) dhe se “Kosova ka problem serioz me korrupsionin” (Transparency International, 2017).

Liberalizimi i vizave nuk do të ndodh edhe nëse bëhet ratifikimi i demarkacionit. Liberalizimi i nuk është një process i thjeshtë. Ky proces varet nga të gjitha shtetet anëtare të cilat me votat e tyre mund t’a bllokojnë liberalizimin e vizave për Kosovën edhe pas ratifikimit të demarkacionit.

Miratimi i liberalizimit të vizave varet kryesisht në përbushjen e kushtit themelor – luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Vendimi i shteteve anëtare varet shumë edhe nga gjendja e rëndë ekonomike , papunësia dhe shkalla e lartë e migrimi. Sipas Gallup International shkalla e popullsisë që dëshiron të shpërngulet nga Kosova është rritur vazhdimisht që nga viti 2008 dhe në bazë të monitorimit për vitin 2017 rreth 34% e populllsisë po të kishin mundësi menjëherë do të iknin nga Kosova drejt Evropës. Kjo padyshim do ta përcaktoj vendimin e shteteve anëtare.

Është shumë e rëndësishme që qytetarëve t’i tregohet e vërteta!

Askush nuk mund të garantojnë se vota e shteteve anëtare do të jetë për liberalizimin e vizave e sidomos kur në BE me shpejtësi po ngjiten në qeverisje partitë e ekstremit të djathtë të cilat kanë qëndrim negativ ndaj Kosovës. Gjasat që edhe këtë vit të mos ketë heqje vizash janë më të mëdha sesa që të ketë.

Pse e gjithë kjo nguti për të ratifikuar demarkacionin me Malin e Zi kur Kosova ende nuk ka bërë hapa të domosdoshëm për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar?

Le ta bëjmë njëherë korrigjimin e demarkacionit pastaj ratifikimin dhe ndërkohë, e plotësojmë edhe kriterin për luftimin e korrupsionit e krimit.