Mesazhi i një gazetari për pronarët e mediave: Jepini gazetarëve atë që ju takon, vlerësojeni punën e tyre

Shkruan: Marjon Gorica

Më dhemb në shpirt kur shoh punonjës të medias që nuk marrin pagat, nuk paguhen sa meritojnë, e më dhemb akoma më tepër kur shoh pronarët e tyre që pasurohen në kurriz të kësaj pune fisnike.

Flas dhe shoh cdo ditë persona të cilët dhe pse gazetarinë e kanë pasur një punë me passion, sot i kanë dhënë fund asaj gjëje. Janë fokusuar diku tjetër, duke u përkushtuar me profesione të cilat nuk kanë lidhje me gazetarinë, por për vetë kushtet dhe pagesat që ju ofron kjo tjetër punë.

Ne sot kemi një media që mbahet me sakrificë, përkushtim dhe pasion. E fokusuar brenda disa kornizave të cilat realisht duhet t’ju përshtatesh, pasi ‘fërshëllen nga puna’.

Por prap ata ja dalin. Ne nuk kemi sot një gazetari investigative, pasi ajo ka kosto, ka shpenzime, ka vërtetë punë dhe përkushtim, lodhje po e po. Ne nuk kemi sot një gazetari investigative pasi ky format i gazetarisë nuk bëhet me paga 25,000 lekëshe. Këtë gjë e dimë shumë mirë të gjithë, më mirë se ne e dinë drejtuesit e medias.

Të nderuar ‘pronar’ nuk mund ta paguani një gazetare me të njëjtën pagë të një recepsioniste.

Nuk mund të paguani një kameraman, pikërisht një nga personat më të rëndësishëm të një media, pasqyrën e vërtetë të platformës në të cilën bënë pjesë, me pagën e një shoferi.

Nuk mund të mbash rrogën e një gazetari i cili rri natë e ditë në shi dhe diell për të dhënë më të mirën për punën e tij, për median të cilën ty të ka bërë të pasur me të cilën ti ke fituar dhe pushtet.
Media sot është në ditët e saj më të vështira!

Nuk e them unë, por e thonë faktet. E thonë ata gazetar të cilët nuk e shprehin publikisht, por shpirtërisht i kuptoj shumë mirë, e thonë atje ku munden këtë gjë pasi në vende të tjera rrezikojnë vendin e punës.

Më thoni një gazetar që sot është i kënaqur nga media në të cilën bënë pjesë.

Nuk po them për punën që bëjnë, pasi për të janë tepër të kënaqur për vetë faktin sepse arrijnë me shumë sakrificë të realizojnë synimin që kanë.

Kush i del përkrah gazetarëve kur dikush i bënë presion? E kemi parë sa herë janë shitur dhe janë blerë nga ju kur janë cënuar interesat e miqve të pushtetshëm.

I keni hequr gazetarët nga puna për një status në ‘Facebook’ kur janë prekur interesat e politikës…ehhh sa dimë nga këto…

Nuk po kërkojnë asgjë tjetër, ata flasin shumë, por kurrë për veten e tyre. Jepini atë që i takon një gazetari, vlerësojeni punën e tyre, vetëm këtë kërkojnë.