Shpallje

Shkruan:
Faruk Mujka,
Nënkryetar i Mitrovicës

Mbramë për të tretën herë brenda vitit është sulmuar Qendra e Mjekësisë Familiare në Kodrën e Minatorëve dhe ka pasur tentim zjarrvënjeje. E njëjta është tentuar edhe me shkollën (fatkeqësisht kontejner) pranë QMF-së. Sa për përkujtim të dyja këto janë në shërbim të pak shqiptarëve që akoma jetojnë aty pa marr parasysh gjithë kërcënimeve dhe presioneve të papara të strukturave kriminale serbe në veri. Sulmi i mbrëmshëm është thirrur si reagim i ngjarjeve të 17 Marsit 2004, ku shqiptarët akuzohen për gjenocid dhe spastrim në veri të cilën sa për ironi vetë e kishin spastruar nga shqiptarët në Shkurt të vitit 2000.

Aksioni i mbrëmshëm përputhet me zërat së fundi për ndarjen e veriut, ndërtimin e 300 shtëpive në “Kodrën e Diellit” nga Qeveria e Serbisë dhe përpjekjet e shtyerjes së vijës administrative ndërmjet dy komunave deri te shtrati i Lumit Ibër.

Andaj duke mos dashur të drejtoj gishtin e fajit dhe përgjegjësisë tek askush, mendoj se është koha e fundit që Qeveria e Republikës së Kosovës të hartoj dhe zbatoj urgjentisht një plan për Veriun e Kosovës e posaqërisht për veriun e Mitrovicës, ku do të përfshihej:
• Rindërtimi i të gjitha shtëpive të shqiptarëve të shpërngulur
• Kthimi i të gjithë të dëbuarvë në pronat e tyre (banesat, lokalet, etj)
• Ofrimi i sigurisë maksimale dhe transportit për gjithë shqiptarët në pjesën veriore
• Ndërtimi me material të fortë të shkollës dhe QMF-së në Kodrën e Minatorëve dhe ofrimi i sigurësë 24 orëshe për to
• Ndërtimi i institucioneve arsimore dhe shëndetësore edhe në Kroin e Vitakut dhe Lumbardh (Lagja e Boshnjakëve)
• Lehtësim në punësim për banorët e veriut e posaqërisht në Policinë e Kosovës dhe FSK.
• Përfshirja e shqiptarëve në veri në skema të asistencës sociale në komunën veriore ose drejtpërdrejtë të MPMS.

Ma merr mendja që për gjithë këto pika ekziston konsenzusi i të gjitha instancave shtetërore dhe tani vetëm nevojitet vullneti politik dhe puna në terren.

Normalisht, nëse sinqerisht e dojmë Kosovën në kufijtë egzistues.