Shpallje

“Nuk është e vërtetë që fjalë si “tradhtia” kanë humbur kuptimin sot dhe nuk janë më “në modë”.

Në sistemin ekonomiko-politik neoliberal patriarkal dhe kuturalisht post-modern, termave të tillë thjesht u është zhvendosur kuptimi nga sfera publike drejt asaj private dhe farefisnore (klanore), thuajse si çdo kuptim tjetër mbi jetën, nga prona dhe materialja deri tek idetë dhe vlerat.

Gati gjithçka konceptohet dhe përjetohet në mënyrë private, duke zhvlerësuar të përbashkëtën. Prandaj, nësë denoncon pushtetarët, veçanërisht ata që janë burra, duke treguar se po shesin e tradhtojnë atdheun, si në rastin e Demarkacionit, nuk e përjetojnë rëndë dhe atypëraty mund edhe të të përqeshin, e të të thonë se këto janë terma “të tejkaluar”, janë koncepte që i përkasin “shekullit të kaluar”…

Ama, jam i bindur se nëse të njëjtëve u tregon se gruaja e tyre ka një lidhje dhe është e dashuruar me një burrë tjetër, atëherë “tradhtia” krejt pa pritur merr kuptim për ta, dhe mund të nxjerrin nga goja fjalët më të ndyra apo edhe të degjenerojnë në dhunë fizike.

Thyerja, kontrasti dhe hendeku i madh i vlerave dhe sjelljeve mes jetës publike dhe asaj private është një nga perversionet më të mëdha të kohës sonë, që gjeneron dhunë shtypëse sa në jetën publike aq edhe në atë private” – kështu është shprehur përmes profilit të tij në Facebook Boiken Abazi nga Lëvizja Vetëvendosje.