Albin Kurti
Shpallje

Nga: Albin Kurti

Ky arrestim i djeshëm i zyrtarit kryesor të Serbisë për Kosovën është bërë dhjetë vjet me vonesë. Dje u dëshmua që pushteti në shtetin e kapur të Kosovës e ka lejuar dhe toleruar Serbinë në Kosovë. Policia e Kosovës ka aftësi profesionale për t’u përballur me praninë e Serbisë, mirëpo regjimi në Kosovë nuk ka vullnet politik për këtë gjë.

Mbajtja e Gjuriqit vetëm 5 minuta në stacion të policisë në Prishtinë pas defilimit prej 50 metrave para kamerave është dëshmia e dytë që ajo çfarë u bë dje nuk ishte as për sundim të ligjit e as për rend kushtetues. Gjuriq është dashur të mbetet në arrest për t’u vendosur drejtësia me proces të rregullt gjyqësor: ai nuk është dashur të akuzohet vetëm për kalim ilegal të kufirit por edhe për cenim të integritetit territorial të Kosovës.

Arrestimi i Gjuriqit ndodhi një orë pasi që Thaçi, Veseli e Haradinaj u dakorduan që Kosova ta nis shkrimin e statutit të ‘Zajednicës’ sw Serbisë, kundër së cilës kemi nënshkrimet e mbi 205 mijë qytetarëve të Republikës së Kosovës, demonstratat më të mëdha të Kosovës së pasluftës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese që thotë se plot 23 nene të Kushtetutës janë shkelur.

Aksioni që nuk është sekuencë pozitive, ka konsekuenca negative. Ne nuk e dimë nëse kishte strategji shtetërore para aksionit të djeshëm. Ne nuk dimë nëse tash ka strategji shtetërore pas aksionit të djeshëm. Dhe, ne kemi përvojë të hidhur me mungesën e strategjive shtetërore të Kosovës kundrejt Serbisë dhe për veriun e Kosovës.

Kryeministri Haradinaj nuk ishte në gjendje të thotë se ai ka dhënë urdhër dje. Ai tha se e ka ‘monitoruar gjendjen’. Po, të gjithë qytetarët e monitoruan gjendjen live para ekraneve televizive. Duket se atë e ka anashkaluar dueti Hashim Thaçi-Shpend Maxhuni. Presidenti Thaçi nuk ia ka më nevojën Haradinajt sikurse para ratifikimit të ‘demarkacionit’ me Malin e Zi. Para ratifikimit Haradinaj e kishte në dorë Thaçin, tash u ndërruan rolet.

Duket se siç vepruan me ‘demarkacionin’ ku falën tokë të Kosovës me premtimin për heqje të vizave, ngjashëm mendojnë të veprojnë edhe me ‘Zajednicën’, ku në këmbim të instalimit të saj premtohet ulësja në OKB. Nuk duhet të harrojmë e Bosnja është shtet që Serbia e njeh dhe ka ulëse në OKB, por megjithatë është shtet jofunksional për shkak të Republikës Serbe atje. Edhe Siria dhe Kongo kanë ulëse në OKB por kjo nuk i ka shpëtuar nga defunksionalizimi i shtetit të tyre dhe konfliktet tejet të rënda të brendshme. Ulësja në OKB nuk mund ta ketë si çmim shkatërrimin nga brenda të shtetësisë përmes ‘Zajednicës’ së Serbisë.

Ne dënojmë qëndrimin shovinist dhe racist të mbrëmshëm të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë gjuhë dhe shprehje e kemi dëgjuar para 20 vjetësh kur ai mbante konferenca për shtyp si ministër i informatave në qeverinë e Milosheviqit, para Hotelit Grand në Prishtinë nëpër dhomat e të cilit ishin vendosur paramilitarët e Arkanit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! Konsideron se tani e tutje katër gjëra janë të rëndësishme:

1. Në vend se të luten Lista Serbe të kthehen, të zëvendësohen ministrat e saj duke ftuar ata serbë që e pranojnë Republikën e Kosovës, psh. politikanë si Nenad Rashiq. Dhe, në vend të dialogut të mbyllur me Serbinë për pajtim, të fillojmë dialog të hapur me serbët e Kosovës dhe të gjitha pakicat për zhvillim. Përndryshe, nëse ky aksion ndodhet midis dy darkave të Thaçit me Vuçiqin, atëherë kjo është një çorbë që s’e han më kush.

2. ‘Zajednica’ ka vdekur. Ajo nuk duhet ringjallur. Marrëveshja e Parë e Parimeve Thaçi-Daçiq e 19 prillit 2013 duhet të dërgohet te Komisioni i Venedikut. Ajo është anti-demokratike dhe raciste. Psh. në pikën 9 thotë se “Do të ketë një Komandant Rajonal të Policisë për katër komunat veriore me shumicë serbe (Mitrovica Veriore, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi). Komandanti i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës i nominuar nga Ministria e Punëve të Brendshme nga lista e ofruar nga katër kryetarët e komunave në emër të Bashkësisë/Asociacionit.”

3. Nuk na nevojitet një qeveri konsensuale por një qëndrim konsensual. Sepse, nuk ka demokraci pa opozitë ndërkaq në shtetin e kapur të Kosovës pikërisht regjimit në fuqi i levërdis konsensusi. Ne kemi nevojë për qëndrim konsensual dhe strategji shtetërore karshi Serbisë. Pra, le ta ndërojmë një konsensus nacional e shoqëror, institucional e publik, për raportin tonë me Serbinë në të tashmen dhe për të ardhmen. Nuk mund të lejojmë më që Serbia të hyjë mes nesh e midis nesh. Pozita dhe opozita mund të ballafaqohen për aq shumë çështje politiko-administrative e socio-ekonomike por jo edhe për Serbinë, qëndrimin tonë karshi saj dhe raportin tonë me të.

4. Nuk ka kuptim që të arrestohet e të deportohet Marko Gjuriq ndërkaq të lejohet instalimi dhe funksionimi i ‘Zajednicës’. Nëse kjo qeveri nuk do të veprojë, ajo duhet të shkojë. Fundja, kryeministri Haradinaj është zhvlerësuar dje. Por, para zhvlerësimit të djeshëm nga Thaçi, ai ka zhvlerësuar veten kur ka ratifikuar ‘demarkacionin’ e Thaçit me Malin e Zi.