Shpallje

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu nuk e ka ndërmend tani për tani që të kandidojë për kryetar të LDK-së, e as për kryeministër të vendit. Kështu të paktën ka thënë ai në një prononcim për Insajderi, por që kryetari i Podujevës nuk e ka mohuar mundësinë që gjërat të ndryshojë në të ardhmen.

“Sot për sot jam i fokusuar në udhëheqjen e komunës së Podujevës. Tash për tash, nuk kam kurrfarë tendence. Por, sot mund të jemi gjallë, e nesër mund të mos jem”, ka thënë Veliu.

Ai ka shtuar se LDK nuk është duke u përçarë, dhe të gjithë anëtarët e kësaj partie janë duke punuar fortë për forcimin e LDK-së.

“Jo, nuk ka përçarje. LDK është shumë unike. Po punojmë shumë të gjithë bashkarisht. Po japim kontribut e gjithë kryesia e LDK-së, dhe deputetët. Ne jemi në pozitë shumë të mirë, dhe do të dalim partia e parë”, tha kryetari i Podujevës, Agim Veliu.

Për numrin dy të LDK-së, zgjedhjet e përgjithshme janë shumë afër dhe ato do të ndodhin shumë shpejt.

“Në bazë të rrethanave qysh janë sot, zgjedhjet nuk do të vonohen shumë”, ka thënë Veliu për Insajderi.

Mundësia për përçarjen e partisë së Isa Mustafës, kishte ardhur pas deklarimeve të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, se ai duhet të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër të vendit.

Kjo kishte ngjallur reagime nga fytyrat më të larta të kësaj partie, por edhe nga vetë Veliu.

Ata ia bënë me dije Muhaxherit, se nuk është ai i cili vendos se kush duhet të jetë kandidat për kryeministër nga kjo parti.

E Lidhja Demokratike e Kosovës, në vitin e ardhshëm do ti hyjë garës së brendshme për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kjo pasi në fillim vitin 2019, kryetarit të tanishëm, Isa Mustafa, i përfundon mandati i dytë radhazi në krye të kësaj partie.

Deri më tani, asnjë zyrtarë i LDK-së, nuk ka deklaruar publikisht se do tí hyjnë garës për tu zgjedhur lider i kësaj partie.