Shpallje

Dëshmitari Mentor Hyseni, i cili ka mbajtur pozitën e drejtorit të Auditimit të Brendshëm në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), ka deklaruar se një vëzhgues ndërkombëtar ka kërkuar që të ndërmerren masa ligjore për ta ndaluar procesin e tenderit për sigurimin e objekteve në KEK.Këtë deklaratë, dëshmitari Hyseni, , e ka dhënë në seancën e së premtes në gjykimin e rastit të njohur si “KEK 2”, ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtorit të KEK-ut, Arben Gjukaj, ish-kreut të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Hysni Hoxha si dhe katër të akuzuarve tjerë, lidhur me tenderin gjashtë milionësh në KEK.Sipas Hysenit, vëzhguesi ndërkombëtar, Richard Orsmond, ka pretenduar që prokurimi po e zgjedh një kompani, e cila është më e shtrenjtë se kompania tjetër konkurruese, dhe sipas tij, ka kërkuar nga zyrtarët e Auditimit të Brendshëm që të ndërmarrin masa ligjore.

“Duke pasur detyrat e auditmit të brendshëm që ka për qëllim t’i ndihmojë kompanisë në rritjen e vlerës së saj, e kemi parë të arsyeshme të ndërmarrim masa që të sigurohemi a është real ai pretendim. Duke pas parasysh seriozitetin e pretendimit, i kam ftuar bashkëpunëtorët për të diskutuar hapat që do të ndërmerren lidhur me këtë çështje, sepse mund të vijnë informata të ndryshme dhe për të qenë të sigurt për validetin e saj jemi konsultuar”, ka deklaruar dëshmitari Hyseni.

Dëshmitari deklaroi se më pas i ka shkruar e-mail drejtorit të prokurimit, tani të akuzuarit Driton Pruthi.“E di që kemi kërkuar të mos vazhdohet procesi i prokurimit para se ta rishikojmë ne si auditorë. Pastaj, përgjigja ka qenë se jemi në proces të prokurimit ose vlerësimit dhe nuk kemi të drejtë të interferojmë në proces. Me duket qe ka ndërhyrë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), por nuk e di a është marrë me këtë çështje”, ka shtuar tutje dëshmitari Hyseni.Ai deklaroi se nuk i kujtohet përmbajtja e e-mail-it saktë, mirëpo u ballafaqua me deklaratën në polici nga kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, sipas të cilit, Hyseni kishte folur lidhur me përmbajtjen e këtij e-maili.

“Të njëjtin e kam këshilluar që të mos e nënshkruaj raportin e vlerësimit për tenderin e sigurisë fizike në KEK, meqenëse ne kemi një informatë nga vëzhguesi Richard Orsmond”, ishte deklarata e dëshmitarit Hyseni, e dhënë në polici, të cilën e ka lexuar gjykatësi Kalludra.Kurse, sa i përket përgjigjes së Driton Pruthit në këtë e-mail, dëshmitari në polici kishte deklaruar se ai i kishte thënë se nuk mund të kenë qasje për shkak të konfidencialitetit, gjithashtu, kishte thënë se ka theksuar se nëse tentohet përsëri të ketë qasje në këto raporte, do ta marr si ndërhyrje në procesin e vlerësimit dhe do të vepronte konform LPK-së.Sa i përket deklaratës lidhur me përgjigjen e Driton Pruthit në e-mail, dëshmitari tha se nuk i kujtohet, por tha se konsideron se kjo duhet të ketë qenë përgjigjja e tij.

Sipas dëshmitarit, auditorët kanë pasur të drejtë të kenë qasje në të gjitha proceset, dhe për këtë bazohet në Ligjin për Auditim të Brendshëm dhe procedurat e brendshme të KEK-ut.Korrespodenca me e-mail, deklaroi se nuk i kujtohet në cilat faza të prokurimit është bërë, por sipas tij, qëllimi ka qenë që shqyrtimi të bëhet para nënshkrimit të kontratës.Dëshmitari shtoi se nuk i kujtohet se a kanë komunikuar në forma të tjera me Pruthin për këtë çështje, dhe më pas u ballafaqua me deklaratën në polici ku kishte thënë se në korrik të vitit 2012.Sipas kësaj deklarate, Hyseni e kishte telefonuar Driton Pruthi pas orarit të punës dhe kishte thënë se nuk mund të kenë qasje në raportin e vlerësimit. Kurse, kur e kishte pyetur se pse e kishte telefonuar aq vonë, dëshmitari kishte thënë në deklaratën në polici, se Pruthi i kishte thënë se “më keni shqetësuar dhe lënë pa gjumë”.Sa i përket pjesës së fundit të kësaj deklarate të Pruthit, dëshmitari tha se i kujtohet kjo pjesë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Pruthi, avokatit Bajram Tmava, dëshmitari deklaroi se sa i kujtohet vëzhguesi që ka kërkuar të ndërmerren masa ka qenë këshilltar për çështje të sigurisë, dhe për të njëjtin deklaroi se ka qenë në dijeni se ka qenë anëtar i komisionit vëzhgues. Kurse, tha se kur i referohet si një ekspert ndërkombëtar të njëjtit, e ka fjalën për faktin nuk kishte qenë shqiptar.Kurse, tha se të drejtë për të kryer auditim, auditorët e kanë në të gjitha fazat. Ndërsa, më tutje tha se për faktin se nuk kanë kryer auditim, nuk e din se a ka pasur shkelje apo tentim të favorizohet dikush nga konkurrentët.Ndërsa, sa i përket kritereve që janë kërkuar për të fituar tenderin, deklaroi se nuk ka njohuri për të njëjtat, si dhe për faktin se cila kompani ka ofruar çmim më të lirë.Dëshminë e tij në këtë seancë e ka dhënë edhe Agron Jusufi, i cili ka thënë se ka qenë përgjegjës për përgatitjen e dosjes për tenderin në KEK, nga kompania “WDG”.

Ai ka thënë se nuk ka shkollim apo trajnime në fushën e prokurimit publik, mirëpo kompania private “WDG” ka qenë në konsorcium me kompaninë “Security Code”, për të cilën sipas tij, kanë pasur marrëveshje me shkrim.Jusufi deklaroi se nga përvoja afariste e tij, kriteret e përzgjedhjes të cilat shpjegohen me Ligjin e Prokurimit Publik duhet të caktohen në dosje të tenderit. Sipas tij, nëse një operator ekonomik eliminohet në bazë të një kriteri që nuk është kërkuar në dosje të tenderit dhe njoftimit për kontratë, mund të paraqes ankesë.Dëshmitari, tha se kompania “WDG”, nuk i ka plotësuar kushtet, sepse nuk ka qenë as e licencuar.“Sa i përket pjesës së kompanisë “WDG”, përgjegjës për përgatitjen e dosjes së tenderit kam qenë unë. Lidhur me licencat, ne nga viti 2000 kemi qenë të licencuar si kompani e sigurimit fizik dhe kemi bërë ripërtëritjen e licencës në afatet e caktuara.

Në atë kohë licenca ka qenë e përgjithshme, nuk ka qenë e ndarë në veprimtari konkrete të caktuara”, ka deklaruar ai.Dëshmitari tha se në periudhën kalimtare të hyrjes në fuqi të Ligjit për Sigurinë Private, me vendim të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, është zgjatur vlefshmëria e licencave paraprake, por kërkesat në dosjen konkrete në procedurë konkrete kanë qenë në bazë të ligjit të ri.“Sikur t’i kishim pas licencat, ne do të ishim konkurrentë me ‘Securiry Code’. Aftësitë teknike e njerëzore i kemi pas dhe kjo ka qene arsyeja e marrëveshjes për themelimin e konsorciumit. Ne kemi qenë në konsorcium për ta plotësuar në këto pika që ‘Security Code’ i ka pas mangu”, tha dëshmitari.Kurse, ai ka shtuar se me dijeninë e tij me krijimin e konsorciumit janë plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret.Dëshmitari tha se nuk mund të thotë se tenderi në fjalë është përcaktuar në bazë të rregullores apo ligjit, kurse sa i përket dorëzimit të ofertës deklaroi se nuk i kujtohet nëse e ka dorëzuar në bazë të rregullores së UNMIK-ut apo ligjit.“Sipas rregullores së UNMIK-ut, e tërë veprimtaria e sigurisë private ka qenë një licencë, sipas ligjit, një operator ka mundur të aplikoj në njërën ose të gjitha veprimtaritë e sigurimit që janë 5. Me këtë ligj, ishte paraparë që për të gjitha veprimtaritë duhet të ketë licencë të veçantë”, ka thënë ai.“Nuk mund të them sipas njërës apo tjetrës. Rregulloret kanë qenë në kohën e UNMIK-ut por e di se periudha kontraktuese e cila do të nënshkruhej sipas procedurës do të duhej të ishte në pajtim me ligjin që do hynte në fuqi. E di që më vonë janë kërkuar licencat para nënshkrimit të kontratës”, vazhdoi tutje dëshmitari.

Në këtë seancë, gjithashtu dëshmitë e tij i ka dhënë edhe dëshmitarët Destan Mustafa, Arbër Krasniqi, Fatlum Gërdovci, Arben Qerkini dhe Driton Sejdiu, të cilët kanë deklaruar se mbeten prapa deklaratave që kanë dhënë para trupit gjykues me përbërje tjetër.Ndryshe, në seancën e mbajtur më 12 prill, kishte munguar drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, për të cilën gjykatësi Kalludra kishte deklaruar se nëse nuk paraqitet në seancën e së premtes do të merret aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit.Avokati mbrojtës i Gjukaj, Ramë Gashi, e kishte informuar gjykatën se i njëjti gjendet në Turqi pasi kishte prindin e tij në gjendje të rëndë shëndetësore.

Megjithatë, i akuzuari Gjukaj, ka qenë i pranishëm në seancën e së premtes, bashkë me të akuzuarit e tjerë në këtë rast.Në seancën e së premtes, Gjukaj ishte i pranishëm dhe deklaroi se gjendja e prindit të tij kishte qenë e përkeqësuar, duke shtuar se qëllimi i tij asnjëherë nuk ka qenë për të mos u paraqitur në seancë, ndërsa deklaroi se pas seancës, ai do të kthehet sërish në Turqi, ku ndodhet për trajtim mjekësor babai i tij.Seanca e paraparë të mbahej më 18 prill në këtë rast, është anuluar me kërkesë të mbrojtjes së Sami Lushtakut, pasi që ai ka deklaruar se do të gjendet për trajtim shëndetësor në Gjermani.Seancat e ardhshme në këtë rast pritet të mbahen më 15,16 dhe 25 maj.Në rastin e njohur si rasti i “KEK 2”, hetimet kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërkaq aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.Sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.

Gjatë periudhës mars 2012 e deri në dhjetor 2012, Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “WDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u./Betimi për Drejtësi/