Shpallje

Besa Gaxherri, nga LDK-ja, thotë se Haradinaj mund të ketë të drejtë deri diku kur thotë se Veseli mund ta rrëzojë qeverinë, pasi e kanë parë që nuk ka lëvizje pozitive nga ky koalicion, ndërsa thotë se PDK-ja mund t’ia “grabis” rrëzimin e qeverisë LDK-së.

“Haradinaj mund të ketë të drejtë kur thotë se Veseli mund ta rrëzojë qeverinë, pasi e dinë se PDK-ja mundet çdo moment ta rrëzojë qeverinë e tij në të cilën bëjnë pjesë edhe vetë ata, sepse edhe ne nga jashtë po e shohim që ajo qeveri nuk mundet të funksionojë më shumë, e ndoshta ai e ka nuhatur këtë gjë. Pra, PDK-ja mundet të na grabitë neve opozitës rrëzimin e qeverisë, pasi dihet që PDK-ja e ka këtë zakon, që është një partner, që në asnjë koalicion qeverisës nuk e ka çuar deri në fund”, shprehet Gaxherri.

Ajo përsërit edhe një herë se LDK-ja e ka seriozisht rrëzimin e qeverisë, mirëpo sipas Gaxherrit, nuk ka rëndësi se kush e rrëzon, e rëndësishme sipas saj është që në vend të saj të vjen një qeveri më serioze.

“LDK-ja e ka shumë seriozisht rrëzimin e kësaj qeverie. Nuk ka rëndësi se kush e rrëzon, por me rëndësi për ne është që kjo qeveri të shkojë, sepse vendi ka nevojë për një qeveri më serioze”, tha Gaxherri për “Bota sot”.

Ndërkaq, deputetja nga Lëvizja Vetëvendosja, Drita Millaku, thotë për “Bota sot”, se Haradinaj e ka parasysh mocionin që do të ndodh nga opozita, mirëpo ai po e pasqyron përçarjen mes Thaçit e Veselit, e qëllimi i tij është ta kuptojë pozicionimin e Veselit.