Shpallje

Nga: Arbër Zaimi

Dy hulumtime serioze të opinionit publik na e bëjnë të qartë se Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk është dëmtuar. Ajo rezulton në sondazhe njësoj si në janarin e 2017. Ndërkohë grupi i të pakënaqurve, edhe pse ende nuk e kanë një parti, rezulton me një përkrahje fare të vogël, shumë më pak se ç’duhet për të kaluar pragun.

Kjo është e çuditshme duke patur parasysh përshtypjen që ata u përpoqën të krijojnë, të largimeve të njëpasnjëshme e të pandalshme. Madje pati prej atyre që në rrjetet sociale që ironizonin me Lëvizjen duke thënë “kush ikën i fundit le të fikë dritat”, ose duke thënë “mshele derën Albin se dolën krejt”.

Pse nuk e patën efektin e duhur në elektorat apo në organizatë këto ikje? Pse nuk iu realizua pritshmëria apo dëshira dikujt?

Ndoshta pse s’ishin të rëndësishëm? Jo, ata ishin figura shumë të rëndësishme, në pozitat më të larta të Lëvizjes. Figura që kanë gëzuar respekt e dashuri prej aktivistëve e votuesve. Edhe sot po të ishin në Lëvizje, pavarësisht se a do të flisnin me Albinin apo jo, do të ishin prapë të respektuar e të votuar.

Sipas mendimit tim arsyet pse elektorati ka qëndruar besnik ndaj Lëvizjes janë këto:

– së pari, strategjia e tyre për ikje të njëpasnjëshme dhe cinizmi e arroganca e shfaqur për kinse “shkatërrimin e Lëvizjes” pati kundërefekt. Njerëzit e perceptuan Lëvizjen si viktimë, dhe ata si dëmtues të një të mire të përbashkët, siç është Lëvizja.

– së dyti, mesazhi i tyre kundër Lëvizjes ka qenë konfuz. Ka patur prej tyre që kanë thënë se Lëvizja po shkon djathtas, ka patur që kanë thënë se po shkon majtas, ca kanë thënë se po ashpërsohet, ca që po zbutet, ca që po kthehet në origjinë. Por Lëvizja vazhdon e njëjta. Me çdo seancë parlamentare, me çdo aksion të zhvilluar apo emision televiziv, po bëhet e qartë se Lëvizja vazhdon qëndrimet e saj, sipas programit politik, me transparencë, me vetëmohim dhe pa llogaritje të fshehta apo individuale.

– së treti, imazhi politik i Albin Kurtit është shndërruar në diçka më të madhe se vetë individi Albin Kurti. Është bërë tashmë simbol i disa temave e qëndrimeve, që ai i bart me konsistencë, pa kryeneçësi e pa inat, por me bindje e pa bërë tregti. Njerëzit kanë nevojë ta shohin idenë dhe shpresën, sigurisht, por të mishëruara tek politikanët, e jo thjesht si ide abstrakte për të cilat veç flitet ama nuk i zbaton askush te vetja.

Sigurisht kjo nuk do të thotë se nuk u bë asnjë dëm, përkundrazi. Por do të thotë se rreth një ideje, siç është Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe rreth një modeli politik siç është Albin Kurti, tanimë janë mbledhur aq shumë njerëz, sa që është formuar një masë kritike, sasia ka prodhuar cilësi, dhe tashmë ky numër njerëzish nuk kthehet më pas.