Shpallje

Intervista e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, në Fax News

Ka qenë një iniciativë e mazhorancës statusi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve. Është diskutuar në fakt pa praninë e Partisë Demokratikë dhe keni qenë vetëm ju që keni përfaqësuar opozitën në komisionin e ligjeve. Pse keni deklaruar abstenim?

Tashmë është bërë në traditën e mazhorancës dhe të Komisionit të Ligjit që një pjesë e mirë e projekt ligjeve nuk diskutohen dhe nuk konsultohen me askënd sepse mazhoranca pretendon që i ka të gjitha kapacitetet ligjore. Mund të them që vetëm ditën e djeshme vetëm ligjin për avokatinë është ndryshuar 100% nga drafti që është paraqitur nga ekspertë të nivelit të lartë. Pra aty mund të ishte një mbledhje, jo pa qëllim jua kam thënë që ishte më shumë një mbledhje kooperative sesa Komision i Ligjeve, sepse është ndryshuar tërësisht ligji. Dhe në vazhdën e këtyre ndryshimeve pa u konsultuar me askënd kanë sjellë disa shtesa dhe ndryshime në statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Dhe sigurisht që ishte një ligj tejet i rëndësishëm. Ky ligj kishte nevojë për tu konsultuar që edhe unë personalisht me grupin parlamentar të LSI-së. Për t’u konsultuar dhe për të marrë një vendim politik për mënyrën sesi do të procedohet më tej pasi ky ligj kërkon 84 vota dhe sigurisht kërkon edhe votat e një pjese të opozitës qoftë të LSI-së apo edhe të PD-së. Sigurisht që kërkova kohë për të abstenuar dhe për ta diskutuar me grupin, por njëkohësisht duke dhënë edhe mendimin tim paraprak që nenin 160 të propozuar për ta ndryshuar nga kryetari i Komisionit të Ligjeve dhe një anëtare e këtij komisoni. Sigurisht që kisha rezervat e mia sepse kishte të bënte me emërimin e studentëve magjistratë, por emërim që do bëhët nga një Këshill i Lartë i Drejtësisë, një këshill që i ka mbaruar çdo lloj mandati është në limitet e fundit ose duhet të ishte në limitet e fundit. Por nuk është faji i LSI-së, as i PD-së që reforma në drejtësi ka dështuar, është devijuar, është mënjanuar, është drejtuar në një drejtim vetëm për të plotësuar vetëm interesat e Partisë Socialiste.

Në fakt ky projektligj parashikon që ky emërimet të kryhen nga kryeprokurorja e përgjithshme dhe nga KLD. Në fakt jemi në një proces ku KLP dhe KLGJ ende nuk janë ngritur. A shihni një zgjidhje alternative?

Zgjidhja e vetme është që të funksionojë KLP dhe KLGJ për të bërë në kohën e duhur emërimet për këta student magjistrature, për të bërë numërimin përkatës për shkollën e magjistraturës siç e parashikon ligji dhe nuk besoj se një ligj që do të kalojë mazhoranca duke marrë dhe një konsensus të pjesës së opozitës të ligjërojë mandatin e prokurores së pergjithshme Arta Marku. Ju e dini të gjithë, jo vetëm ju por dhe opinioni publik e ndërkombëtar sesi u zgjodh Prokurori I Përgjithshëm.

A ka një zgjidhje tjetër sipas jush?

Unë mendoj se nuk mund ti japim ne prokurores së Përgjithshme në mënyrë nominale që ajo të emërojë të gjithë, magjistratat prokurorë në vendet e reja të punës. E para do tua kërkojë si nder personal për emërimet në ato vende që do i çmojë ajo si të arsyeshme. E dyta në rast se do emërohet prokurorja e përgjithshme do ju kërkojë votën në mbledhjen e radhës që do bëjë konferenca e prokurorëve për të zgjedhur 6 anëtarë në Këshillin e Prokurorisë. Pra nëse do të fusë 13 prokurorë detyrimisht do tu kërkojë dhe votën atyre për nderin që po u bën. Nuk po flas për ndere të tjera, politike. Apo pak më tej se ndere politike, minimalja do jetë kjo, nuk ka tagrin e duhur ligjor sepse është një prokurore e përkohshme e zgjedhur me vendim të Kuvendit, me një vendim rreth 40 deputetë. Nuk kanë kërkuar konsensus. Opozita, LSI së bashku me PD kërkuan të bëheshin ndryshimet kushtetuese.

Kush do duhej ta bënte?

Ne kërkuam që ti jepej një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore. Kërkuam që të bëheshin ndryshime në Kushtetutë, pra të kishim një konsensus të gjerë. Ne rastin e prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm të bëheshin ndryshime përkatëse. Të kishte jo më pak se tre kandidatura, të bëhej me Vetting, por në çdo rast opozita kërkonte që të mos bllokohej rasti i zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Ju e dini që mazhoranca nuk e pranoi. E ka lënë për minutën e fundit, për të thënë që jemi para një fakti të kryer, po si t’ia bëjmë tani?! Të mos ti emërojmë këta studentë magjistratë?! Si t’ia bëjmë? Të mos ti shpiem edhe këta në shkollë? Për të kapur dhe shkollën e Magjistraturës. Dhe sigurisht që ne jemi me të drejtën për ti dhënë një zgjidhje të duhur ligjore, një zgjidhje që të jetë afatgjatë, jo një zgjidhje për momentin. Se po ta shikosh në projektligj nuk jep afatin, përsa kohë do jetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë që do të emërojë këta studentë në Magjistratë apo dhe Prokurorja e Përgjithshme. Pra vetëm ky fakt tregon qartë që Reforma në Drejtësi ka dështuar. Partia Socialiste qëllimin e vetëm kishte që të kapte Prokurorin e Përgjithshëm për interesat e saj personale. Qëllimi i saj ishte që të bllokohej ngritja e instititucioneve të reja, pasi një pjesë e një institucioneve pjesërisht janë zgjidhur, janë caktuar anëtarët, ndërsa pjesa tjetër kërkon vullnet politik të gjithë klasës politike, por janë interesat e Partisë Socialiste, të deputetëve të saj që duan ta kanalizojnë Reformën për interesat e tyre personale.

Duket se tashmë është krijuar një vakum. A nuk ishte parashikuar në paketën ligjore që plotësoi dhe Reformën në Drejtësi?

Parashikimi ka qenë që studentët magjistratë, të cilët diplomoheshin në vitin 2016 kishte për detyrë që ti emëronte Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ai që është aktuali dhe Prokurori i Përgjithshëm. Situata ka ndryshuar. Nuk jemi në vitin 2016. As në vitin 2017. Jemi në vitin 2018. Prokurori I Përgjithshëm është I përkohshëm. Kini parasysh që Prokurorin e Përgjithshëm, të kaluarin, e propozonte Presidenti dhe e zgjidhte Kuvendi, kurse tani kemi një nënkomision të drejtuar nga Ulsi Manja, i cili ka propozuar dhe ka zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm, që gati-gati po vjen një vit. Dhe aq më keq Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Unë kam qenë ministër i Drejtësisë për dy vjet, kam pasur probleme, jo personale, me ligjin, me zbatimin e ligjit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Mund të përmend vetëm një fakt. Kishte gati dy vjet që studentët që mbaronin Shkollën e Magjistraturës nuk emëroheshin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sepse kërkonin që vendet vakante që hapeshin t’i zinin me gjyqtarë, që vinin nga rrethet për të ardhur në Tiranë, dhe nuk kishin interes anëtarët e KLD-së që të emëronin këta studentë magjistratë. Pasi ishin shumë të dobët këta, sa kishin dalë nga shkolla, nuk ishin të dhjamosur si pjesa tjetër e gjyqtarëve, që vinin për të bërë qokën e radhës për t’i emëruar dhe për t’i pasur si kapital politik edhe nesër për t’u kërkuar votën dhe ndere të tjera. Dhe këtë u kam kërkuar propozuesve, mazhorancës pra Partisë Socialiste, por edhe ekspertëve të ardhur të OPDAT-it apo edhe EURALIUS-it që, ‘Ju lutem mos i përzini këta studentë magjistratë me KLD-në, me atë pjesë të llumit të KLD-së’. Sepse çfarë do të ndodhë? Nëse do të miratohej ky projektligj, gjëja e parë që do të ndodhte nesër është që, të 13 këta studentë magjistratë do të kapnin një nga një të 15 anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’u kërkuar nderin e radhës, për t’u kërkuar qokën e radhës, për t’i emëruar atje jo sipas meritës, jo sipas renditjes që bën Shkolla e Magjistraturës, por sipas qëndrimit që do të mbajë çdo anëtar, ose një pjesë e anëtarëve të KLD-së. Propozova 13 vende vakante në Tiranë, propozova 13 magjistratë për t’i dhënë një ndryshim dhe një tjetër fytyrë imazhit të Gjykatës së Tiranës dhe a e dini se çfarë ndodhi? Kishte disa vite rresht që studenti më i mirë magjistrat, sipas një vendimi që kishte marrë vetë Këshilli i Lartë i Drejtësisë, emërohej në Tiranë. As këtë nuk e emëruan, por e emëruan në Tropojë, sepse nuk kishin interes anëtarët e KLD-së që të emëronin pikërisht këto magjistratë të rinj që kishin mbaruar Shkollën e Magjistraturës, e që ishin të hollë nga gjendja ekonomike, por morën gjyqtarë të tjerë dhe mënyra se si u përzgjodhën ishte qoka e radhës. Nuk do doja që me emrin tim, me firmën time të kthehesha 180 gradë mbrapsht, por edhe një pjesë e mazhorancës për të votuar këtë ligj. Një pjesë e mirë e deputetëve të mazhorancës reflektoi dhe ishin tejet të habitur dhe të painformuar se çfarë po ndodhte. Nga diskutimi që ne bëmë, sigurisht që filluan të jepnin variante të ndryshme, zgjidhje të ndryshme dhe kjo zgjidhje që është propozuar nga dy deputetë të mazhorancës, sepse e panë që jo më shumë se dy javë më parë vetë ministrja e Drejtësisë, e propozuar nga kjo mazhorancë, aludonte që ishte dita më e zezë ajo çfarë kishte parë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Për koincidencë është një nga ata gjyqtarë që unë e kam propozuar të shkarkohej përpara 2-3 viteve dhe i njëjti gjyqtar vjen prapë nga ministrja e sotme e Drejtësisë, dhe prapë ky Këshill nuk e shkarkon nga detyra. Kjo tregon që ky Këshill ka mbaruar mandatin e vet. Ky Këshill do të ngelet në historinë e Juridsprudencës një nga Këshillat e Lartë të Drejtësisë që i ka bërë dëmin më të madh vendit për shkak të grupazhit të tyre, duke mbrojtur njëri – tjetrin. Dhe qëllimi i vetë reformës ky ka qenë, që të ndryshojë gjithë struktura dhe e gjithë përbërja e këtij Këshilli.

Pra, gjykoni se KLD-ja e gjykuar nga ministrja e Drejtësisë do të bëjë emërimet?

Unë besoj që janë të njëjtët anëtarë të KLD-së që nuk ndryshojnë për asnjë arsye, kanë qenë kundër reformës, kundër atyre privilegjeve që ata i kishin krijuar. Këtu mund të përmend faktin që jo pa qëllim si ministër Drejtësie i asaj kohe, kam propozuar konfliktin e interesit që kishin anëtarët e KLD-së, sepse propozonin njëri – tjetrin. Kishin shtatë vende vakante që i mbanin në Gjykatat e Apelit dhe këtu ishte gjithë sekreti që ato votonin siç donte shumica në KLD. Sepse iu premtohej që në qoftë se do ju bindeshin KLD-së, atëherë do të merrnin ngritje në detyrë në ndonjë Gjykatë Apeli në Durrës, në Tiranë apo diku tjetër. Kjo gjë e ka dëmtuar jashtë mase gjithë sistemin e drejtësisë. Dhe besoj që, jo vetëm deputetët e LSI-së dhe Partisë Demokratike, por edhe pjesa më e madhe e deputetëve të mazhorancës nuk do ta votojnë këtë projektligj, por të insistojnë që të ngrihen institucionet e reja sa më parë, në mënyrë që këto institucione të jenë me një besim të ri, me një fytyrë të re.

Pse mendoni se, mazhoranca që në fakt e ka sulmuar KLD-në, tani do t’i besonte dhe emërimet?

Të gjithë ata që morën meritat e reformës, të gjithë ata që morën dekoratat e Reformës në Drejtësi, por edhe që u paguan jo pak në emër të kësaj reforme si ekspertët të nivelit të lartë, vendas apo të huaj, gjëja e parë që duhet të bëjnë është që të kthejnë dekoratat, sepse i kanë marrë në mënyrë të pamerituar, të kthejnë edhe paratë që i kanë marrë nga taksapaguesit shqiptarë apo edhe nga Bashkimi Evropian apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse kanë dështuar në Reformën në Drejtësi. Kanë dashur që këtë reformë ta kanalizojnë për interesat e tyre personale. Por nuk i kanë bërë mirë llogaritë. Kam qenë unë asokohe si ministër i Drejtësisë, që kam propozuar një reformim të thellë Kuvendit, Kryeministrit për të marrë situatën në dorë, sepse Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk funksiononte. Nuk po flas për Këshillin e Lartë të Prokurorisë që ishte një Këshill konsultativ. Prandaj u kërkua të ndryshohej pak fytyra e Prokurorisë, e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të përjashtoheshin nga reforma gjyqësore Presidenti i Republikës, kryetari i Gjykatës ës Lartë, Prokurori i Përgjithshëm, kryetari i Gjykatës Kushtetuese për të pasur dhe për t’i dhënë një besim të plotë sistemit të drejtësisë, por edhe qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë t’i besojnë këtij sistemi.

Tashmë është e bllokuar shkolla e magjistraturës dhe nga ana tjetër ka një mungesë të prokurorëve dhe gjyqtarëve. A mendoni se mund të ishte parashikuar kjo?

Parashikimet në letër besoj që kanë qenë korrekte. Por qëllimi për ta menaxhuar reformën në drejtësi për interesa personale, për interesa nepotike, për interesat e mazhorancës ka bërë të mundur që të devijohej dhe të mos bëhen emërimet në kohë. Ka mbi dy vite KLGJ apo KLP që nuk zgjidhet. Çfarë nuk po funksionon që të emërohen? Është bërë zgjedhja nga Kuvendi. Janë plotësuar vendet vakante, 5 vendet vakante për KLP dhe KLGJ. Janë plotësuar këto vende vakante por me një përplasje në Komisionin e Ligjeve, që janë bërë prezente dhe në media, pasi një pjesë e mirë e kandidatëve nuk i plotësonin kriteret ligjore, por një pjesë e mazhorancës me një mbështetje të fuqishme mediatike, na vinin gishtin dhe thoshin ju nuk doni reformën, ju keni frikë nga reforma. Dhe çfarë ndodhi? Ndodhi që një pjesë e tyre nuk i plotësonin kriteret ligjore, megjithatë janë të pestë dhe Kuvendi në njëfarë mënyre e ka bërë detyrën. Çfarë i ngelet Kuvendit për të bërë. Kuvendi nuk po zgjedh Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Pra, është detyrë e Kuvendit. Janë dy kandidatë që mund të ishte bërë vetingu dhe në dhjetor dhe në janar dhe nuk mundet që të merret me gjithë Gjykatën Kushtetuese, ta shkrijmë Gjykatën Kushtetuese, të fillojnë me Gjykatën e Lartë dhe të lënë pa zgjedhur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Pra, dy kandidat janë, ti kaloni të bëni vetingun, ti propozoni Kuvendit. Është një institucion më shuam i rëndësishëm se sa institucionet e tjera. Nëse sot kemi një institucion që bën vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nesër do jetë Inspektori i Lartë bashke me stafin përkatës që do kontrollojnë sistemin gjyqësor, do kontrollojnë gjyqtarët dhe prokurorët.

Zëvendëskryeinspektori është në detyrë. A mendoni se ai mund ta bëjë këtë detyrë?
Ne po flasim për të krijuar institucionet e reja. Pra, kemi vetingun që të gjithë nuk thonë asgjë. Nuk e bëjnë një ndarje të institucioneve të vetingut, besoj që të gjithë deputetët, partnerët tanë ndërkombëtar mbështesin institucionet e vetingut në Shqipëri, për ta pastruar njëherë e mirë sistemin gjyqësor. Por çfarë po ndodh? Barazojnë institucionin e vetingut me ngritjen e institucioneve të reja. I gjithë sistemi gjyqësor është në kolaps.

Për sa kohë mendoni se do të krijohen KLP dhe KLGJ?
Unë besoj që nëse mazhoranca nuk do të bënte llogaritë përkatëse, sepse janë 6 gjyqtarë që do zgjidhen për KLGJ dhe 6 prokurorë që do zgjidhen për KLP. Pra, mazhoranca po i përzgjedh dhe nëpërmjet vetingut, po i seleksionon të gjithë kandidatët, nuk i dalin sipas llogarive të tyre dhe i shtyn në kohë dhe gjithë përgjegjësia është e mazhorancës. Presioni që bën kryeministri, presioni që bën mazhoranca mbi prokurorë, mbi gjyqtarë, sepse do jenë këta 6 gjyqtarë, po 5 që i ka zgjedhur Kuvendi, po që i ka zgjedhur Ulsiu.

Pra, mendoni se po mbaron vetingu i kandidatëve për KLP dhe KLGJ?
Vetingu nuk ka filluar. Ju thashë që dy janë kandidatë për Inspektorë të lartë të Drejtësië dhe nuk kanë filluar si pjesë e vetingut. Për ta përmbyllur, prokurore e Përgjithshme e Përkohshme është zgjedhur pa veting. Kanë kaluar mbi 8 muaj që kjo prokurore e përgjithshme po u bën vetingun të tjerëve dhe nuk ka hyrë vetë në veting.

A është kjo një arsye që dhe ju e shprehët kundërshtinë tuaj në mënyrë që Prokurorja e Përgjithshme të kryejë dhe emërimet?
Po as nuk ka për ta bërë ndonjëherë me votën tonë që Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme pa veting, t’i japim dhe 12 prokurorë të tjerë, ti emërojë dhe të bëjë ajo qokën e radhës për motive politike, personale.

Nuk e shihni KLD si një garanci që nuk do jenë këto emërime politike?
Po as nuk më shkon në mend një Këshill i Lartë i Drejtësisë i cili i ka mbaruar mandati me kohë, do jetë në koshin e historisë dhe nuk besoj që ne të kthehemi mbrapa dhe tu japim atyre një mundësi që për herë të fundit të bëjnë qokën e fundit dhe mbas vitesh e vitesh këtyre studentëve magjistratë tu kërkojnë nderin e radhës, për tu thënë që unë të kam emëruar, unë të kam dhënë votën.

Duke pasur parasysh që procesi i vetingut po zvarritet duke kaluar deri në 1 apo dy gjyqtarë apo dhe prokurorë në muaj ndërkohë nga ana tjetër kemi 800 punonjës të drejtësisë që po presin. Si e shihni?
Si Ministër i Drejtësisë së bashku me Kryeinspektoren e Lartë të KLD dhe 90 % e materialeve ka ardhur nga ajo zonjë e nderuar, kemi proceduar rreth 47 gjyqtarë për dy vite. Nga lëta 24 janë propozuar për shkarkim dhe 15 kishin –probleme me pasurinë. KLD për shumë pak ka vepruar për shkarkim dhe ato, për hir të së vërtetës, kanë qenë raste të arrestimit në flagrancë dhe publikimit që i është bërë në mediat elektronike dhe të shkruara. Dhe kanë qenë të detyruar para opinionit publik dhe ndërkombëtarëve sepse edhe ata nuk do t’i kishin shkarkuar.

Duke parë këtë situatë kushtetuese dhe ligjore që ju po analizoni, sa shpresë ka që të shpëtohet reforma në drejtësi?
Hapi i parë do të ishte që ata që kanë marrë dekorata në emër të reformës në drejtësi duhet t’i kthejnë. Ata që janë paguar me shuma marramendëse si ekspertë të nivelit të lartë duhet t’i kthejnë. Pastaj këtu jemi. Të gjejmë një gjuhë me konsensus të të gjitha forcave politike dhe të dalim nga kjo situatë dhe nga kjo gjendje. Një detyrim moral e kanë. Nëse ata i kthejnë dekoratat që nesër ne jemi të hapur që të ndihmojmë. Por nuk duhet devijuar nga reforma kushtetuese q ëu miratua me 140 vota. Ka një devijim të ligjeve, të 7 ligjeve, nga ajo që u miratua nga 140 deputetë. Abuzuan me mirëbesimin tonë. Ne kemi propozuar prej 3 vitesh një projektligj në lidhje me koncesionet, që të vijnë dhe të marrin në Kuvend. Keni parë që të na mbështesë PS? Nëse ato e kalojnë këtë projektligj ne jemi të gatshëm të ulemi në tavolinë dhe të negociojmë.

Sa mundësi ka që LSI të bëjë një kompromis për të bërë votat për miratimin e projektligjit?
Në rast se nesër fusin në rendin e ditës ligjin për koncesionet tregon që mazhoranca di të reflektojë por nuk besoj. Ata i kanë fondamentale koncesionet dhe nuk e japin këtë konsensus. Nëse tentojnë të joshin me koncesione apo emërime të blejnë deputetë por nuk besoj për gjatë. LSI është e hapur dhe jemi të vendosur që të mos kemi kthim mbrapa për KLD-në e vjetër apo edhe për Prokurorinë e përkohshme. Baza e reformës dhe e sistemit tonë të drejtësisë do të jetë Shkolla e Magjistraturës. Nuk mund të tolerohet që nesër këta studentë që kanë mbaruar këtë shkollë të shkojnë në dyert e KLD-së dhe të kërkojnë në formë lëmoshe apo vendin e punës, një vend që ata e meritojnë.