Shpallje

Nga: Marsela Sinani 

Unë kam krijuar varësi nga celulari. Si unë e shumë të tjerë të rinj kalojmë për orë të tëra pranë një aparati, për të futur hundët në jetët e të tjerëve, për të marrë vesh se çfarë ndodh me ta…Prit pak, mos vallë po bëj punën e spiunes? Mos! Çfarë po ndodh dreqin me mua vallë? E lash aparatin, do qetësohem. Sapo kalojnë pak minuta, celulari ndodhet në duart e mia. Unë kam krijuar varësi. Dikush duhet të më shpëtojë mua. Kërkoj ndihmë…

Jam unë, je ti, ai e ajo, të cilët nuk shkëputen nga rrjetet sociale. Qëndrojnë pa pushim, edhe kur duhet të ushqehen, edhe kur duan të flenë, e ku herëpashere zgjohen nëse u ka ardhur një mesazh, një thirrje, a thua se do u ndryshonte jetën. Ky është mankthi im, mankthi juaj.

Një studim i fundit i kryer nga shkencëtarët nga Hong Kongu, kanë zbuluar një sëmundje të re. Simptoma e cila ka prekur shumicën e njerëzve quhet Ankthi i ndarjes nga celulari”.

Kërkuesit thonë se njeriu e shikon celularin si një zgjatim të vetes, dhe se nuk mund të jetojë dot më pa postuar në Facebook, Instagram dhe Twitter. Simptomat përfshijnë paaftësinë për të fikur telefonin, kontrollimi i përhershëm i tij, karikimi i shpeshtë i tij dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishmja, marrja e celularit me vete kur shkojmë në tualet. Kjo gjendje ankthi që shkencëtarët nga Hong Kongu e kanë quajtur nomofobi, po përkeqësohet gjithmonë e më shumë.

Padyshim që një nga të prekurit jam edhe unë, ndaj e gjeta të udhës për të marrë një informacion më të detajuar nga një psikologe. Ajo është psikologia Alma Kaca, e cila e pranon haptazi për “Tirana Today” se është bërë shumë bazike nevoja e telefonit, dhe e ndarjes çdo gjë online.

Në një farë mënyre është bërë si ankthi i ndarjes nga nëna e një foshnje. Siç kanë frikë se mos nëna i braktis, ashtu kanë krijuar varësi të rinjtë edhe nga rrjetet sociale.

Dhe duket sikur më shumë kanë nevojë që prindërit e tyre të shohin në çdo moment se çfarë janë duke bërë ata, edhe në rastet kur ajo mund të jetë thjeshtë fasadë”, thotë ajo.

Kohët e fundit kemi dëgjuar të flitet për “mani për celularin” apo “nomofobi”, kur del në pah një vështirësi për t’u shkëputur fizikisht nga telefoni, ose frika e të mos qenët në kontakt me botën. Personat e prekur nga ky shqetësim kanë tendencën ta konsiderojnë smartphone-n si një instrument për të kënaqur nevojat e tipit emocionale-shoqërore, dhe si mjet kryesor për të komunikuar me të tjerët.

Sipas agjencisë britanike të kërkimit “Yougov”, më shumë se 6 të rinj në 10, mes 18 – 29 vjeç, bien të flenë në shoqërinë e smartphone, dhe më shumë se gjysma e përdoruesve të smartphone-ve (53 për qind) kanë tendencën të manifestojnë gjendje ankthi, kur bateria e telefonit është drejt fundit, nuk kanë më kredite apo nuk kanë mbulim rrjeti. Në këto raste, ekspertët këshillojnë psikoterapinë.

Psikologia Alma Kaca, e përkthen këtë me shenjat e ankthit që përçojmë. “Shpesh kur telefonin nuk e gjejmë, ose e kemi pa karikim, fillon rreh zemra fort dhe simptomat janë njëlloj si ato të ankthit, duket sikur do të ndodhe diçka e keqe.

Të rinjtë, por edhe në mosha pak më të rritura, edhe kur dalin në shoqërinë e njeri-tjetrit, i sheh të gjithë duke lundruar në internet dhe në rrjetet sociale.

Në një farë mënyre, i japin më shumë rëndësi jetës virtuale të dukshme, por jo gjithmonë të vërtetë sesa vlerave reale njerëzore. Shpesh mbase edhe pa ditur efektet negative, shkeljen e privatësisë, njohjen me të panjohur apo edhe deri te ekspozimi i tepërt online”. shprehet ajo.

Nëse mendoni se këto janë shenjat negative e të qëndruarit pa pushim pranë aparatit, këtu gaboheni rëndë. Simptomat e tjera janë dhimbje qafe dhe shpinë e mpirë. Falë pozicionit që lidhet me të shikuarit e ekranit të celularit, ka një numër në rritje pacientësh të rinj, që kanë dhimbje të shkaktuara nga herniet e diskut dhe problemet e drejtimit të shtyllës kurrizore. Ndaj këshillohet mbajtja e telefonit në lartësinë e syve edhe kur jeni ulur.

Rezultatet e kërkimeve të ndryshme japin alarmin, duke dëshmuar se truri i të varurve nga celulari ishte më i prekur nga depresioni, ankthi, pagjumësia dhe impulsiviteti.

Nëse doni të jetoni të shëndetshëm, mos i neglizhoni këto këshilla!

Tirana Today