Shpallje

Nga: Marsela Sinani

Çdo ditë përballemi me lajme ku kryefjala është abuzimi i fëmijëve. Shifrat janë alarmante, e për këtë duhet një dorë e fortë për të dhënë një kontribut, e kërkesat të mos mbeten në letra.

Shoqëria shqiptare ka nevojë të krijoj një mjedis më të fuqishëm mbrojtës, dhe jo vetëm të ndihmojë në parandalimin e rasteve të tmerrshme që shfaqen në mënyrë kronike.

Nesër është dita ndërkombëtare kundër punës ndaj fëmijëve.

Teksa kjo temë na prek të gjithëve, “Tirana Today” ka shfaqur interes të shtuar se çfarë bëhet me këta fëmijë, nëse shifrat janë në trend rritës apo jo. Një përgjigje kemi marrë nga drejtori Ekzekutiv ALO 116, Mirgit Vataj. Vetë ai tregon pa doreza se situata është shqetësuese, dhe se vazhdojmë të kemi një numër të lartë të fëmijëve që shfrytëzohen. 50 mijë fëmijë në Shqipëri shfrytëzohen për punë.

“Gjatë vitit 2017, tek ALO 116 janë raportuar 120 raste të fëmijëve që shfrytëzohen. Mbi 2000 fëmijë gjenden në situatë rruge, sipas një studimi të bërë nga organizata ARSIS i vitit 2014.

Vetëm 7.8% e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë akses në shërbime të specializuara. Sipas organizatës, ILO, 50.000 fëmijë në Shqipëri shfrytëzohen për punë. Sistemi i mbrojtjes së fëmijëve është i fragmentarizuar, dhe nuk plotëson nevojat e fëmijëve dhe familjeve për mbrojtje dhe kujdes.

Politikat dhe praktikat në nivel qendror dhe lokal të sigurojnë që çdo fëmijë të jetë i mbrojtur në familje, shkollë dhe komunitet. Shërbimet komunitare të jenë të financuara 100% në nevojat e tyre! Shërbimet shoqërore të jenë të harmonizuara, mbështetëse dhe integruese për fëmijët dhe familjet e tyre.

Është e nevojshme marrja e masave për forcimin e qëndrueshëm të familjeve biologjike. 20% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në varfëri absolute; 49% e familjeve me më shumë se 4 fëmijë janë të varfër dhe 22% e fëmijëve 0-4 vjeç jetojnë në varfëri.

17.4% e fëmijëve në Shqipëri jetojnë në familje me të ardhura më pak se 15.000 lekë/muaj, ndërkohë që ende 2% e fëmijëve jetojnë në familje me zero të ardhura. Besohet se mbi 100.000 fëmijë në të gjithë Shqipërinë janë të rrezikuar nga varfëria! Asnjë fëmijë nuk duhet të jetojë në varfëri!”, citon z. Vataj.

Duke qëndruar në të njëjtën linjë, ai shprehet më tej se shteti ka për detyrë të sigurojë ushqimin dhe strehimin për fëmijët. Ndonëse janë raportuar herë pas here shifra që tregojnë se fenomeni sa vjen e rritet, masat për t’i dhënë fund këtij lloj shfrytëzimi janë ende të pakta.

Z.Vataj gjithashtu tërheq vëmendjen e qeverisë që të mbështesë ato shërbime që ofrohen për femijët, si ALO 116.

Vitet e fundit janë bërë konferenca zyrtare prej qeverisë dhe shoqërisë civile, janë shpallur projekte e janë hartuar plane pune për të drejtat e fëmijëve, por fëmijët ç’është e vërteta nuk është se po shohin një ditë të bardhë.

Punësimi i fëmijëve mbetet një fenomen që nuk po ndalet. Këtë shqetësim e prekim çdo ditë, dhe forma më e ndeshur e punës së fëmijëve në Shqipëri është shitja ambulatore, lypja, transporti, puna në ndërtim, etj.

Tirana Today