Shpallje

Komenti vlerësues dhe mirënjohës i gazetarit Luan Laze për figurën e doktorit të njohur Qazim Bakalli.

Doktor Bakalli njihet si mjeku i parë dietolog në Shqipëri i cili u nda nga jeta në fillim të kësaj jave.

Ai do të mbahet mend për përkushtimin dhe zemërgjerësinë për miqtë e bashkëpunëtorët e tij. Figurën dhe personalitetin e tij, gazetari Luan Laze e përmbledh me anë të një shkrimi ku rikujton momente që nga koha e komunizmit deri në herën e fundit kur janë takuar.

Komenti:

U shua njëri nga njerëzit më të mirë që rriti kjo tokë, doktori i njohur,Qazim Bakalli.

E kam njohur që kur isha fëmijë dhe gjatë gjithë jetës time ruaja një respekt të veçantë për këtë njeri të jashtëzakonshëm.

Im atë dhe nëna ime kanë punuar me të në spital prej shumë vitesh.Babai si shef kuzhine në spitalin numër 1,sic njihej në atë kohë, ndërsa nëna si infermiere .Doktori dallohej mbi të tjerët për sjellje tepër njerëzore, i papërtuar, i sjellshëm dhe shumë i kërkuar nga të gjithë pacientët. Duart dhe këshillat mjekësore të doktorit ishin balsam për të gjithë nevojtarët e shëndetit.

Nena ime e bezdiste aq shumë për të më vizituar edhe mua sa shpesh vihesha në siklet. Por doktor Bakalli duke buzëqeshur i thoshte: ‘Po çunin e ke si kokra e mollës moj Vaçe, megjithatë shtrije aty ta kontrolloj’.

Dhe kjo ndodhte dy ose tre herë në javë sa herë unë i dërgoja ushqimin nënës time në punë.Aq sa sapo shkoja aty fjala e parë ishte: ‘Mama mos me vizito me te doktori’. Por ajo vazhdonte me të vetën.Ndërsa ai si gjithjë i papërtuar më kontrollonte për t’i hequr merakun një nëne për djalin e saj të vetëm shtonte: “Ky çuni yt moj Vaçe jo vetëm bëhet burrë i madh por edhe mua kur të plaket do më flasë në rrugë”.

Dhe vërtet e pata takuar në televizionin ku punoja.U befasua kur i thashë se cili isha.E mbajte fjalën më tha .Kështu ndodhi që të takoheshim rastësisht edhe shumë herë të tjera në rrugët e Tiranës.Për të fundit herë qe u takova me këtë  mjek të paharrueshëm ishte para dy vitesh, ai po shkonte ne xhami.Unë gezoja që e takoja ,ai që nuk e harroja.Atë ditë më foli për babain si shef kuzhine dhe më befasoi me sinqeritetin e tij. Më tha shprehimisht, si mjek roje e kisha për detyrë që të provoja vetë ushqimin para se të nisej në pavion.

Por kur ishte Ramazan nuk ma lejonte besimi të fusja gjë në gojë.Ndërsa ligji e donte që ti provoja patjetër.Por yt atë më qëndronte pranë cdo sekond se kështu e kishte dhe ai rregullin si shef guzhine. Unë gjeja rastin kur largohej ai në mirëbesim e firmosja për ushqimin pa e provuar atë.E di ndaj ligjit e kisha shkelur vetëm muajin e Ramazanit por ndaj zotit isha në rregull. Mu kujtuan këto episode sapo mësova për ndarjen nga jeta të paharrueshmit doktor Qazim Bakalli.

Këto rradhë mirënjohje ndaj tij nuk i kam për vete por si një amanet i pa lënë nga dy prindërit e mi që e donin dhe e vlerësonin aq shumë doktor Qazim Bakallin . Njeriu i mirë u shuajt në muajin e Ramazanit sepse ai i shërbeu plot pasion dhe përkushtim ligjeve njerëzore dhe mjekësore por edhe besimit tij ndaj Zotit.U preftë në paqe doktori im i fëmijërisë dhe i mësimit të mirënjohjes.