Shpallje

Ndërsa Bashkia e Tiranës po çon përpara një seri dëgjesash me grupet e interesit për fatin e Teatrit Kombëtar për të përmbushur detyrimin ligjor të konsultimit publik dhe kryebashkiaku Veliaj ka përçuar në media optimizëm të arritjes së një kompromisi me palët, artistët në mbrojtje të Teatrit Kombëtar dhanë të hënën një deklaratë të fortë ku i cilësuan dëgjesat si farsë dhe kërkuan nisjen e një dialogu real me kryeministrin Rama, i cili sipas tyre ka legjitimitetin e negocimit.

Artistët këmbëngulën se asnjë diskutim me ta nuk do të vazhdonte pa tërheqjen e projektligjit që i jep një pjesë të tokës së teatrit kompanisë Fusha shpk për ndërtime kullash, në këmbim të ndërtimit të një teatri të ri.

“Të vetëdijshëm për detyrën e lartë morale që kemi karshi qytetarëve, të qartë se interesi jonë është publikja dhe jo llogaritë e pushteteve, të kthjellët për çfarë rreziku na kanoset, me vetëdije të lartë qytetare dhe të vendosur i bëjmë me dije publikut se nuk do e lejojmë dhe nuk do e japim konsensusin për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe tjetërsimit të Pronës Publike,” deklaroi përfaqësuesi i Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Neritan Liçaj në dëgjesën mes Bashkisë, urbanistëve, arkitektëve dhe artistëve.

“Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar i bën thirrje Kryeministrit të vendit të dalë në shesh e të përballet, ai duhet ta dijë mirë kë ka përballë, ai duhet ta dijë se i vetmi dialog që mund të zhvillohet, do zhvillohet me qeverinë, dhe në kushtet e tërheqjes së projekt-ligjit,” shtohej në deklaratë.

Artistët gjithashtu i quajtën “manipulime publike” dhe “goditje nën brez” dëgjesat e organizuara nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe u shprehën se ata nuk e njohin Veliajn si autoritetin e ligjshëm të negocimit të çështjes për sa kohë projektligji që do t’ia ngarkonte atij këtë detyrë nuk është miratuar ende.

“…ju përgjigj pozitivisht thirrjes së parë për bashkëbisedim [nga Bashkia Tiranë] por hasëm në përdorimin politik dhe manipulimin publik nga ana e qeverisjes vendore dhe qendrore duke gjuajtur nën brez… Ne si artistë nuk e njohim Kryetarin e Bashkisë si autoritetin e ligjshëm me të cilin mund të negociojmë për këtë çështje…” thanë artistët.

Përpara se të largohej nga seanca, aktori Liçaj përsëriti këmbënguljen e komunitetit të artistëve për ruajtjen e teatrit aktual, ndërtimin e një teatri të ri modern diku tjetër dhe planet për mbrojtjen e integritetit territorial të Teatrit Kombëtar.

“Mos luani me publiken, mos luani me Teatrin Kombëtar sepse ne e kemi ndarë mendjen për rezistencë shembullore. Mos sepse do ketë kosto të pakthyeshme për marrëdhënien mes komunitetit tonë dhe politikës,” përfundoi Liçaj fjalën e tij.

Kryebashkiaku Veliaj, i cili luan rolin e moderatorit të “dëgjesave publike” e shpërfilli deklaratën e Liçaj si përpjekje të Partisë Demokratike në opozitë për të prishur mbledhjen dhe tha se do të jepte prova për këtë degjenerim në ndikim partiak të elitës së artistëve.

Dëgjesa, ku morën pjesë edhe një grup i vogël artistësh të shpallur pro shembjes së teatrit kombëtar dhe që mbajnë poste menaxhuese në fushën e artit, vazhdoi ndërsa arkitektë dhe urbanistë mbrojtën argumentet e qeverisë se ndërtesa aktuale është e degraduar dhe se duhet prishur, ku Shqipëria si vend i varfër nuk i përballon dot kostot e restaurimit dhe një teatër i ri është pamundësi ekonomike.

Sindikata e Artistëve të Skenës dhe Ekranit (SASE) dhe Sindikata e Pavarur e Artistëve të Teatrit Kombëtar (SPATK) lëshuan një deklaratë për shtyp një ditë përpara organizimit të dëgjesës së të hënës, ku e quajtën atë një farsë dhe bënë thirrje për bojkot nga palët.

“Sindikatat e artistëve refuzojnë të bëhen pjesë e farsës së radhës, rezultati i së cilës është paracaktuar nga organizatori dhe i bëjnë thirrje të gjithë artistëve, arkitektëve dhe qytetarëve të Tiranës ta bojkotojnë këtë farsë,” thanë artistët ndërsa konfirmuan vendosmërinë për dialog por në kushte të tjera.

Ata gjithashtu mohuan raportimet se Bashkia dhe artistët ishin pranë një kompromisi për teatrin dhe e ftuan kryebashkiakun Veliaj dhe ministren e kulturës Kumbaro të merrnin pjesë në një dëgjesë të organizuar nga ata me një panel të ftuar nga sindikatat.

“Nuk ka në horizont asnjë kompromis, madje asnjë afrim në pozicionet e palëve. Sindikatat mbeten të vendosura në qëndrimin e tyre, se ndërtesat historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental duhet të shpallen monument kulture dhe, … të merret vendimi nëse ato duhet të rikonstruktohen, apo restaurohen. Çdo opsion tjetër, është i panegociueshëm për ne!” thuhej në deklaratë.

Në dëgjesën e parë të organizuar me aktorët, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje artistëve të tregohen të zgjuar dhe “të kapin zogun që u ka ardhur në dorë” duke pranuar teatrin e ri modern në këmbim të dhënies së tokës ndërtuesit të pasur privat, si në rastin e stadiumit të ri, i cili ka në krah një kullë shumëkatëshe.

Prej 11 ditësh, nën shoqërinë e shumë qytetarëve, artistët në krye të mbrojtjes së Teatrit Kombëtar, si Robert Budina, Arben Derhemi, Robert Ndrenika, Alert Çeloaliaj, Mirush Kabashi, Alfred Trebicka dhe të tjerë janë mbledhur në shenjë protestë pranë godinës së Teatrit Kombëtar dhe i kanë kërkuar qeverisë të braktisë planet për ndërtimin e një teatri të ri falë një partneri publik privat që do t’i falte tokë të teatrit dhe bashkisë një kompanie private për ngritjen e kullave./BIRN