Shpallje

Fjala e ministrit Xhafaj në seancë parlamentare – 28 Qershor 2018

I nderuar z.Kryetar i seancës,
Të nderuar kolegë dhe kolege deputetë,

Këshilli Europian konfirmoi angazhimin e qeverive të vendeve anëtare për zgjerim të Bashkimit Europian, çka vazhdon në mbetet një prioritet kyç në politikat e Brukselit. Ky angazhim, siç u saktësua dhe në vetë tekstin e deklaratës finale, “vijon të përfaqësojë një investim strategjik për paqen, demokracinë, prosperitetin, sigurinë dhe stabilitetin në Europë”.

Vlerësimet pozitive për arritjet e Shqipërisë në procesin e integrimit qartësisht të pasqyruara në këtë dokument, krijuan kushtet për të pranuar hapjen e negociatave dhe fillimin e këtij procesi në qershorin e vitit tjetër.

Është komplet retorik pa asnjë vlerë dhe interes për publikun diskutimi mbi vlerën e vendimit të marrë dy ditë më parë. Për më tepër kur edhe prej përfaqësuesve dhe zyrtarëve më të lartë të BE-së u rikonfirmua sa më sipër. Çdokush prej tyre u shpreh për hapje të negociatave, në të gjitha deklaratat u fol për rezultate bindëse nga ana e Shqipërisë në përmbushje të detyrave të saj.

Për fat të keq lidershipi i opozitës nuk dëshiron ta njohë këtë realitet të ri. Normale pasi kanë pritur diçka tjetër, dështimin e plotë për të mos pasur një dritë jeshile në këtë proces. Një gjë për të cilën kanë luftuar fort, në mënyrë të paturpshme, me të gjitha mjetet, përfshi edhe shpifjen e baltën ndaj vendit të tyre.

Tashmë ka një fakt publik shumë të qartë. Kemi një dokument ndërkombëtar të miratuar konsesualisht nga Këshilli Europian ose e thënë ndryshe Qeveritë e 28 vendeve anëtarë të BE-së, të cilat kanë shprehur qartazi opinionin e tyre për vendin tonë dhe pritshmërinë e tij në procesin e anëtarësimit në BE. Përmes këtij dokumenti autoritetet më të larta të BE në Bruksel dhe në vendet anëtare kanë pranuar, njohur e vlerësuar gjithë procesin dhe rezultatet e reformave të ndërmarra gjithë këto vite, kanë rekomanduar një kalendar të qartë e me një datë konkrete për hapjen e negociatave dhe fillimin e bisedimeve duke rekomanduar që Komisioni të nisë punën përgatitore dhe Shqipëria të vazhdojë të dëshmojë rezultate konkrete në 5 prioritetet kyçe.

Kush ka sy e veshë dhe pak memorje e di, e ka dëgjuar, e mban mend dhe di të bëjë krahasimin mes këtij raporti historik të lëshuar unanimisht nga qeveritë e Bashkimit Europian dhe gjithë progres raporteve në vite që e kanë paraprirë.

Askund, në asnjë rresht të tij, teksa merret në shqyrtim ecuria e reformave të votuara dhe të vëna në zbatim nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë, nuk ka kritika. Si asnjëherë tjetër më parë, teksti i këtij raporti njeh merita të padiskutueshëm për vendin tonë, duke i lëvduar arritjet, inkurajuar përpjekjet dhe këshilluar rekomandime për vazhdimësi në punët e nisura.

Dokumenti i miratuar e thekson qartazi që në hyrje të tij një fakt thelbësor, që është një e vërtetë e madhe, teksa citohet: “Këshilli vlerëson progresin e reformave të Shqipërisë në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, si reforma në administratën publike, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriu, përfshirë të drejtat e minoriteteve dhe ato të pronës”

Dhe në vijim Këshilli nënvizon intensifikimin e përpjekjeve të vendit në të gjitha këto fusha, nevojën të vazhdojë të sigurojë rezultate të qëndrueshme për të konsoliduar më tej progresin e bërë dhe për të dhënë rezultate të tjera të prekshme në reformën gjyqësore në veçanti, në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kultivimin dhe trafikimin e drogës, duke thelluar momentin aktual të reformave.

Së pari, Këshilli Europian vlerëson progresin e reformave të Shqipërisë në përmbushjen e 5 prioriteteve kyçe, përfshi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duke nënvizuar se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj të sigurojë se rezultate të mëtejshme në këto fusha.

Më qartë se kurrë më parë, këtë herë Këshilli shprehu inkurajimin e vet maksimal për të vazhduar me rezultate të tjera në luftën kundër krimit të organizuar, duke ruajtur dhe duke thelluar momentin aktual të reformave të ndërmarra në këto fusha.

Ky vlerësim dhe inkurajim, padyshim lidhet me përpjekjet dhe rezultatet e pamohueshme edhe të Policisë së Shtetit duke nënvizuar vullnetin e shprehur, masat e marra dhe rezultatet e arritura veçanërisht në kuadër të Operacionit “Forca e Ligjit”.

Tashmë është fakt se vetëm në pak muaj janë goditur disa grupe kriminale dhe aktualisht vazhdojnë operacionet për vënien përpara ligjit të disa grupeve të tjera kriminale. Për më tepër, vijojnë hetimet pasurore për grupet e goditura deri më tani, si dhe të një sërë grupeve të tjera, për të çuar në sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve të tyre kriminale. Kjo krahas punës intensive të Task Forcës Anti-Skifter, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë ligj zbatuese të shteteve anëtare të BE.

Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të njohë një dimension tjetër me ngritjen së shpejti të institucioneve të specializuara si SPAK-u, Byroja Kombëtare e Hetimit etj., për ngritjen e të cilave Këshilli u shpreh veçanërisht i interesuar.

Së dyti, Këshilli në dokumentin e tij “inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë dhe thellojë përpjekjet për të reduktuar kultivimin e kanabisit, duke u mbështetur në rezultatet e para të rëndësishme të vërejtura gjatë muajve të fundit”, citon raporti.

Pra siç shihet Këshilli qartazi çmon betejën e fituar nga Qeveria shqiptare për heqjen përfundimisht të Shqipërisë nga harta e vendeve mbjellëse të kanabisit, punë që ju e dini mirë se ka marrë një certifikim të padiskutueshëm ndërkombëtar, përfshi edhe këtë qëndrim zyrtar konsensual të 28 vendeve anëtare të BE-së, falë edhe bashkëpunimit e besimit reciprok me partnerët tanë përgjatë vitit të shkuar e në vazhdim.

Është qëllimi ynë dhe synimi ynë afatgjatë që këto arritje të konsolidohen dhe të kenë ecuri gjithmonë e më pozitive dhe premtuese.

Së treti, në çështjet e azil kërkimit, qartazi theksohet se “Këshilli vë në dukje pozitivisht përpjekjet e Shqipërisë për të vendosur masa efektive që synojnë ulin kërkesat e pabazuara për azil, të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE-së”.

Mbetemi të angazhuar dhe të vendosur në përmbushjen e rekomandimit të Këshillit që këto masa të ndiqen më tej, së bashku me bashkëpunimin dhe dialogun e vazhdueshëm me Qeveritë e vendeve të prekura nga këto fenomene, për arritjen e rezultateve të qëndrueshme në këtë drejtim duke punuar fort për zbatimin dhe monitorim e vazhdueshëm të Planit të miratuar në 2017 për menaxhimin më të mirë të kufijve, parandalimin e fenomenit të azil kërkimit dhe frenimin e migracionit të parregullt edhe përmes forcimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit me të cilët ndajmë kufijtë, e mbi të gjitha intensifikimin e luftës kundër individëve apo grupeve kriminale që lehtësojnë/nxisin apo përfitojnë prej këtij fenomeni.

Së katërti, në lidhje me luftën kundër terrorizmit e në përgjithësi fenomenit të radikalizmit të dhunshëm, Këshilli e vlerëson fuqishëm bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke pohuar shprehimisht se “mirëpret angazhimin dhe përparimin e tij duke inkurajuar Shqipërinë që të vazhdojë më tej përpjekjet”.

Së pesti, Këshilli si në asnjë rast vlerësimi të mëparshëm qartazi në raporton thekson se “përgëzon Shqipërinë për bashkëpunimin e saj të ngushtë dhe të forcuar me agjencitë e zbatimit të ligjit të Shteteve Anëtare të BE-së dhe pret që kjo praktikë reciprokisht e dobishme të vazhdojë”.

Pra e thënë pak më troç, vendet anëtare njohin e vlerësojnë bashkëpunimin që ne kemi ndërtuar me agjensitë ligj zbatuese të vendeve të tyre, e konsiderojnë një gjë të tillë shumë të dobishme edhe për to dhe kërkojnë që kjo gjë të thellohet më tej.

Një konfirmim ky i një pune të palodhur shumë mujore për të ndërtuar këtë marrëdhënie bashkëpinimi e besimi reciprok, gjë të cilën kam pasur rast ta dëgjojë qartazi nga homologët e mi në Berlin, Paris, Bruksel, Vien, Mynih, Hagë e shumë vende të tjera që kam pasur mundësinë të vizitojë edhe këto dy muaj, ndërkohë që nuk rreshtnin sulmet ndaj meje dhe Policisë së Shtetit!!

Ndërkohë që mitingashët akuzues çirreshin poshtë dritares së zyrës time, dhe angazhoheshin në shpifje dhe trillime skandaloze kundrejt meje, Ministria e Brendshme, unë si Ministër, thellonim më shumë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe konsolidonim më shumë këtë bashkëpunim.

Pikërisht në kohën që ju hakërreheshit ndaj godinës së institucionit që drejtoj dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, pikërisht në ato ditë u vendos që në Tetor të mbahet në Tiranë një samit i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor. E mikëpritëse e këtij eventi, do të jetë pikërisht kjo Qeveri, kjo Ministri, kjo Polici. Këtë zgjedhje nuk e kemi bërë ne, por Brukseli.

Të nderuar kolegë,
Kur mora detyrën e Ministrit të Brendshëm kam qënë i ndërgjegjshëm për rëndësin e kësaj detyre dhe për sfidat që duhej të ballafaqohesha. Kam qenë dhe jam i ndërgjegjshëm që një pozicion i tillë është një target shumë i mirë për kundërshtarët politik. Për të mos folur për pakënaqësitë e mëdha që prodhon kundrejt botës së krimit në ushtrimin e kësaj detyre.

Por të them të drejtën jam i shokuar kur shoh që opozita ka arritur deri aty sa të fabrikojë “ngjarje” e “prova”, vetëm e vetëm për të diskredituar politikisht dhe për të shantazhuar Ministrin e Brendshëm.

Jam i çuditur se si pa asnjë droje publike dhe në shkelje të hapur të ligjit përfaqësues të kësaj opozite janë përfshirë në një veprimtari të tillë që qartësisht përkufizohet si vepër e rëndë penale.

Dua ta them që në fillim që shpifjet dhe intrigat, të bëra në mënyrën më të pacipë politike, personale e njerëzore, por të rrezikshme përsa i përket qëllimit të mbrapsht që kanë patur dhe kanë, jo vetëm nuk kanë mundur të më ndalin në anagzhimet e mia, por më shumë akoma më kanë bindur për të ecur në drejtimin e marrë.

Për shkelje të mundshme të ligjit, për të vërteta akuzuese shumë më të lehta se sa ju si opozitë keni formuluar për mua në këto kohë, unë do ta kisha dhënë dorëheqjen në çdo rast.

Edhe pse mundej që përgjegjësia ime ligjore, funksionale mundet të mos ishte e tillë, në ato raste që të më detyronte të dorëhiqesha. Por, unë nuk mundet të jap dorëheqjen kur kërkesa bazohet në intriga dhe më shumë akoma në shantazh kriminal. Do të ishte fyerje ndaj interesave publike dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtar, nëse do të mbaja qëndrim ndryshe në këtë rast.

Opozita në këtë sallë, dhe ata të cilët nga ligësia, apo dhe ata që nga naiviteti, apo nga lodhja nervore dhe shpirtërore me këtë realitet politik, më kërkojnë dorëheqjen në emër të moralit politik e njerëzor, duhet ta kursejnë këtë kërkesë për mua, të paktën për këtë rast.

Kam gjithë eksperiencën politike dhe profesionale, dhe më shumë akoma formimin dhe edukimin familjar e shoqëror që të dalloj shumë mirë, jo vetëm çfarë është e ligjshme dhe e paligjshme, por edhe çfarë është e pranueshme dhe e papranueshme në raport me interesat e qytetarëve që kam rreth 20 vite që përfaqësoj e mbroj.

Balta që kërkoni të hidhni tek unë në mënyrën e pamerituar dhe në mënyrën më të shëmtuar me lloj-lloj akuzash dhe intrigash, nuk e pastron kurrsesi baltën që ju ka mbuluar ju me bëmat e së kaluarës dhe me bëmat e të tanishmes. Për këtë jam i vetëdijshëm jo vetëm unë por i gjithë publiku që ju shikon dhe ju gjykon.

Unë mendoj se kushdo me pak arsye, që e ka ndjekur apo i ka shërbyer kësaj skeme shantazhi, e ka kuptuar se gjithë skema e dështuar që u ngrit për të denigruar Ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, nuk funksionoi.

Është bërë më se e qartë, për këdo brenda dhe jashtë kësaj salle, se gjithë historitë e montuara apo tinëzisht të shfrytëzuara nga Partia Demokratike nuk kanë për qëllim as vërtetësinë e aq më pak drejtësinë. Që qëllimi juaj, si autorë dhe bashkëpunëtorë në maskaradat e servirur publikut ishte diku tjetër, nuk do dhe aq mend për ta kuptuar. Dhe këtë ia them sidomos atyre pak njerëzve që morën mendtë tuaja dhe ju besuan.

Është po aq e qartë se gjithë sa thatë e bëtë kundër meje kishte si qëllim që të krijonte efekt propogandistik tek qytetarët dhe Ministri i Brendshëm ta merrte njëherë linçimin publik, pastaj pak rëndësi kishte si do të ishte e vërteta.

Është shumë kollaj që shpifja dhe intriga të zërë vend në shoqërinë tonë.

Njerëzit të lodhur me hallet e tyre dhe të mërzitur me politikën dhe disa politikanë, baltaxhinj, mashtrues e gënjeshtarë, nuk e kanë më vonë vëmendjen dhe interesin për të vërtetën për sa thuhet për një politikan. Dhe ju si dinakë dhe intrigantë të klasit që jeni, u përpoqët të peshkonit mirë në këtë situatë.

Jam mëse i vetëdijshëm që reforma e drejtësisë dhe tashmë shumë nga rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, të punës sime si Ministër kanë prekur jo pak interesa kriminale, e jo vetëm në grupet kriminale, por edhe të disa zyrtarëve dhe politikanëve të lidhur me fije të shumta interesash financiare e kriminale me to, brenda dhe jashtë vendit.

Dhe sot këto dy kategori gjenden të bashkuara në këtë lum akuzash të pabaza, të shëmtuara. Sot gjenden së bashku duke i shërbyer njëra-tjetrës dhe duke vepruar që të më shantazhojnë mua në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, të shantazhojnë Qeverinë dhe vet institucionet e shtetit.

Ju që besoni fort se me këtë maskaradë, keni gjetur kauzën e radhës, gaboheni fort! Me këtë rast duhet t’ju kujtoj edhe një shprehje të njohur popullore: “Kush tenton t’i bëj gropën tjetrit të pres se shpejt mund të bjerë vet brenda!”

Është fare e lehtë sot që të mbyllësh hesapet politike me Lulzimin dhe me kulturën politike që përfaqëson. Ka qenë Ministër i Brendshëm njëherë e një kohë dhe nëse do që të krahasohet për punë dhe rezultate, të urdhërojë, të hapur e ka mejdanin! Le të dëshmojë çfarë pune ka bërë e çfarë gjurme ka lënë! Por këto sfida, të cilat i ka të humbura që në fillim, dihet se nuk i interesojnë, ndaj ka gjetur strehë tek ‘Babale-zbulimet’ dhe spiunimet.

E meqë ra fjala, ka ardhur dita që pesha e fjalës së cilitdo politikani të matet me përgjegjësinë publike, që ai merr pasi e pohon.

Ndaj, Lulzim bëj kujdes kur aludon shërbime inteligjente partnere, për informacione të dhëna gjoja prej tyre, në trillet e sajuara prej teje, ose përndryshe gjej guximin të thuash emër e mbiemër! Bëj kujdes se jo vetëm bëhesh qesharak mes tyre, por edhe se nuk dihet se në çfarë dërrase tjetër të kalbur je duke shkelur!

Kolegë deputet të opozitës,
Veprimtarinë time si Ministër i Brendshëm e keni para syve dhe para vëmendjes tuaj si ligjvënës, ndaj jeni të ftuar ta gjykoni dhe ta hetoni, siç shumë herë ju kam ftuar.

Integritetin tim, të çdo bashkëpunëtori tim dhe të çdo familjari dhe kryesorja përgjegjësinë time ligjore e politike të lidhur me ta, ju sfidoj publikisht ta shqyrtoni dhe ta kontrolloni deri në detajin më të imët.

Deri atë ditë, në të cilën do dështoni sërish siç dështuat, unë do vazhdoj të kryej detyrën që më është besuar. E mbase atëherë do të jem unë që do ju tregoj sesi zbulohet e vërteta konform vlerave njerëzore, politikës së shëndoshë dhe zbatimit të ligjit.

Jam njeri i ligjit dhe do të pres me qetësi institucionet e ligjit të bëjnë detyrën konform ligjit.

Jam zyrtar i shtetit dhe më duhet të respektoj dhe të pres me durim veprimin dhe përfundimet e institucioneve të shtetit. Dhe s’kam ndërmend t’i friksohem as atyre që po dridhen prej Reformës në Drejtësi, e akoma më pak bandave të krimit të organizuar që i përdorin si marioneta.

Por çdo gjë në kohën e vet.

Unë jam dhe mbetem Ministër i Brendshëm i Qeverisë dhe kam përgjegjësinë të vazhdoj të bëjë detyrën, të bëjë detyrën në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit.

E vërteta vonon, por nuk vdes!
Faleminderit!