Shpallje

Koncesionari i Aeroportit të Rinasit ka 20 milionë euro detyrime të pashlyera ndaj buxhetit të shtetit.

Mësohet se Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka kërkuar kompanisë që operon në Rinas, që të kthejë mbrapsht paratë e dhëna në vitet e para të nënshkrimit të kontratës me vlerë 20 milionë euro, një detyrë që i lindte palës shtetërore për të ndihmuar përmes një kredie në kapitalin e shoqërisë me qëllim realizimin e investimeve.

Burime bëjnë me dije se investimet nuk janë realizuar, pra koncesionari duhet t’i kthejë buxhetit të shtetit plot 20 milionë euro, të cilat rezultojnë se nuk janë kthyer.

Pavarësisht fitimeve të shumta që ka realizuar në vite kjo shoqëri, ku vetëm gjatë 2017-ës arriti një fitim neto 17.5 milionë euro, për shkak të tarifave 2-deri në 3 herë më të larta se aeroportet e tjera të rajonit, firma nuk paguan as detyrimet ndaj buxhetit të shtetit.

Autoritetet shtetërore kanë kërkuar rishikimin ekonomik të kontratës nga një këshilltar financiar i pavarur, i cili do të bëjë analizën e fitimeve të shoqërisë dhe tarifave të fluturimit në përputhje me çmimet e vendeve fqinjë.