Shpallje

Brazili pret biletën për cerekfinalet e Botërorit Rusi 2018, pas një ndeshje të intepretuar shumë mirë nga Selecao e Tite-s.

Brazili ka mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 Meksikën në takimin e pestë të 1/8 dhe kalon në cerekfinale dhe pret të mësojë kundërshtarin nga sfida e darkës Belgjikë-Japoni.

Pjesa e parë ishte e dominuar nga Brazili, me disa shkëndija të meksikanëve në kundërsulm me armën e tyre më të fortë Lozano, por rezultati në fund të 45 minutave ishte 0-0.

Brazili u duk se u fut me një marsh më shumë pas rifllimit të lojës dhe në minutën e 50 Neymar finalizoi me gol një aksion të bukur pas pasimit nga krahu i majtë nga Willian. Dominimi i Brazilit vijoi por pa u finalizuar. Ndërkohë në 10 minutat e fundit të takimit Meksika u hodh përpara për të gjetur golin e barazimit, por nuk ia doli, madje në minutën e 88 u kap në kundërsulm dhe Firmino vulosi fitoren 2-0.

Kundërshtari potencial i Brazilit në fazën tjetër mund të jetë Belgjika, prova e vërtetë për Selecao, por deri tani, brazilianët duken pretendent serioz për fitimin e titullit të 6 Botëror në histori.