Shpallje

Nga Linda Karadaku

Politika shqiptare i ngjan aventurës në një nga pyjet e dendura të Bohemisë, pa busull dhe pa ndonjë ide të qartë sesi duhet arritur në ndonjë rrugë apo rrugicë që të nxjerr në anën tjetër, në fund të tunelit të gjelbër. Nuk është thjeshtë mungesë alternativash, është një cinizëm i qartë në dritë të diellit që i ngjan një rrethi vicioz interesash, ku natyrisht nuk përfshihen interesat e qytetarëve, jeta e tyre e përditshme, problemet dhe ngërcet e funksionimit te shtetit dhe mbi të gjitha, nuk përfshihet ambicja dhe vullneti i tyre i qartë për të ardhmen. Për një të ardhme të mirë, të merituar, të ëndërruar dhe shumë më ndryshe nga kjo që kemi.

Këto politika dhe sjellje cinike politike nga palët e përfshira secila në mënyrën e vet, kanë krijuar dhe thjeshtë po mbajnë një statuskuo që nuk i bën mirë natyrisht qytetarëve të këtij vendi, por as vetë politikës. Lider ose jo ose nuk je, (sado ironike dhe idiote të duket kjo shprehje), nuk mund të marrësh një njeri nga rruga, kushdo qoftë dhe çfarëdo CV-je të ketë dhe brenda natës, ta bësh dhe ta quash lider. Ka disa parakushte të lindura dhe të gdhendura në vite dhe dekada që e bëjnë dikë të jetë lider. Nuk e bën dot me zor dhe as nga halli. Demokracia është sport i vështirë dhe shumë-palësh dhe duke qenë e tillë kërkon që të paktën palët e pozicionuara në dy ose më shumë blloqe të mëdha të kenë ofertë, alternativë dhe shpresë për qytetarët, të paktën një! Sikur të ketë më shumë, edhe më mirë, mundësitë për të zgjedhur janë më të mëdha. Dhe lideri/lideret duhet te kene vision per kete.

Por ne jemi në gjendje statuskuoje. Alternativa, të ashtuquajtura të tilla, janë në rastin më të mirë të zbehta, në rastin më të keq cinike. Të dyja janë vrastare për njerëzit. Ky vend i vogël, por hallemadh, ka nevojë për alternative/alternativa të qarta dhe të ndritshme dhe liderë që të jenë të aftë dhe të kenë këllqe për t’u shkuar punëve deri në fund. Ndryshe, keq e kemi punën. Vendimi i fundit i BE-së, që nuk vlerësoi sic duhej përpjekjet e qarta të Shqipërisë dhe Maqedonisë, secila në fushat respective, është një këmbanë alarmi për atë që do të kuptojë cfarë po ndodh në skenën evropiane dhe shumë më tepër se kaq. Duhet kuptuar, përtej politikës ditore, cinike apo zhurmuese, se Evropa dhe bota duket gjithmonë e më e pasigurtë dhe ne dhe ata, kemi nevojë të jemi pjesë e dickaje më të madhe sesa jemi vetë dhe BE-ja është një alternativë për këtë, e vetmja që kemi dhe që duam. Ndryshe, prapë, keq e kemi punën.

Kur gjërat shkojnë keq, nuk shkojnë vetëm për qytetarët e këtij vendi, por edhe për politikanët e tij. Në fund të fundit, ata ndërtojnë karrike pushteti ku nuk ulet dot më askush dhe askush nuk qeveris dot më normalisht. Aq më tepër kur mungojnë alternativat ose kur alternativat janë ose të vakëta ose cinike. Sic thoshte Presidenti amerikan Barack Obama, në fund të fundit, kjo është ajo përse janë zgjedhjet. “A marrim pjesë në një politikë të cinizmit apo në një politikë të shpresës?”. Kështu sic i kemi punët, për fat të keq, cinizëm ka sa të duash, shpresë ka pak. Dhe për mungesën e shpresës, fajin e kemi ngapak të gjithë. Kupolën atje lart, pavarësisht nëse bëhet fjalë për pushtet apo opozitë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për një ngjyrë apo shumë ngjyra, pavarësisht nga dje, pavarësisht nga sot, e kemi zgjedhur vetë. Dhe beteja e tyre më e madhe, dhe ndoshta më e rëndësishme, është të na tregojnë se nuk janë njësoj, të na tregojnë se secila prej tyre ka alternativë të qartë dhe ne kemi mundësi zgjedhjeje, të na tregojnë se e kanë frikë ligjin, drejtësinë, të vërtetën, ashtu sic e kemi frikë ne kur na troket ligji në derë, të na tregojnë se janë të shkolluar dhe arsimuar, se dinë dhe vazhdojnë të mësojnë ashtu sic bëjmë ne cdo ditë të jetës, se janë atje, në qeveri apo parlament, për ne, për këtë vend dhe për këta njerëz! Të na tregojnë se më në fund në këtë vend po ndërtohet një sistem perëndimor vlerash ku duhet të përshtatemi të gjithë, ata dhe ne, dhe se ky sistem ka në bazë vërtetë meritokracinë dhe jo nepotizmin, njerëzit e sinqertë dhe profesionistë dhe jo lakejtë dhe shfrytëzuesit. Ka ardhur koha që më në fund në këtë vend, politika të kthehet vërtetë në profesion, jo në mundësi për të harbuar, zhurmuar, përfituar apo edhe më keq, për të qenë cinikë me vuajtjet dhe hallet e njerëzve. Ne jemi mësuar të themi dhe të shajmë Shqipërinë se na e paska fajin për cdo gjë, përfshi edhe politikën dhe politikanët tanë. Në fakt, jemi ne ata që ia nxijmë jetën Shqipërisë! Bashkë me politikanët tanë! Ndryshe nuk ka si shpjegohet që shqiptarët si individë bëhen dikushi nëpër kryeqytetet evropiane, na zbardhin faqen dhe na bëjnë krenarë për kombin të cilit i përkasim, ndërsa këtu brenda, nuk gjejmë dot as rrugën në oborr, sic thoshin të parët tanë.