Shpallje

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se qeveria shqiptare duket e vendosur për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar, edhe pse artistët po protestojnë kundër këtij vendimi. Teksa ka komentuar miratimin e ligjit për Teatrin në seancën plenare të së enjtes, deputetja Tabaku thotë se referuar burimeve, qeveria ka gati kontratën për ndërtimin e kullave, dhe sipas saj, prishja e Teatrit mund të fillojë brenda verës.

“Ligji për teatrin shkel katër ligje të tjera. E debatueshme është se ligji i paraqitur shkel edhe marrëveshjen e MSA-së. Prona publike nuk mund të tjetërsohet me një ligj paçavure që vjen në Parlament. Ne kemi projeksionet tona për tjetërsimin e pronës, dhe për atë që po ndodh me truallin e Teatrit. Ne i kemi kërkuar mazhorancës që të na vendosë në dispozicion dokumentin sesi është marrë ky vendim, por asnjë zyrtar shteti, nga ministrja e deri te drejtorët e thjeshtë nuk na jep dot përgjigje për këtë. Salla e Parlamentit ishte bosh në pjesën më të madhe të kohës, pasi askush nuk mund ta mbronte atë projektligj. Javën tjetër ata do të avancojnë me vendimin. Në dijeninë tonë ata e kanë kontratën gati, dhe nuk është çudi që brenda verës të fillojë puna për prishjen e Teatrit”, mësohet të jetë shprehur Tabaku.